Vargje të zgjedhur në vite

July 28, 2018 11:28

Vargje të zgjedhur në vite

Gënjemë ndonjëherë

Shpirti im-syri im s’mund të flerë,
shpirti im-syri im u verbua,
së paku gënjemë ndonjëherë,
gënjemë por thuaj: “Të dua!.”

2.Syri im-shpirti im s’mund të flerë,
më djeg e më djeg mall’ i vjetër,
të lutem gënjemë dhe një herë,
dhe thuaj: “Si ti nuk ka tjetër!”

3.Syri im-shpirti im.-Ku ta dish?…,
nëse lot kullon-apo vesë,
gënjemë-i dashur sërish,
dhe thuaj:”Për ty do të vdes!…”

Çast i zymtë…

Në shpirt m’u shuan ato zjarre,
tani mezi shtyj ditën,
alkoolin s’e duroj dot fare,
dhe femrat m’u mërzitën.

S’e di aspak se ç’më ka mbetur,
prej lodhjes dhe prej mundit,
nuk jam asgjë-veç vesë e tretur,
qiri në frymë të fundit.

Më s’di të qesh-më s’di të qaj,
më s’njoh pikën e lotit,
s’di nga të shkoj-s’di nga t’ia mbaj,
s’di pse t’i lutem Zotit!

Ti je gabimi im…

Në jetën time,
kam bërë një mal me gabime,
vite të tëra i bëra pluhur.
Po ti- e dashur,
je gabimi im më i madh,
por je gabimi i duhur…

Thonë…

Thonë se kjo jetë ka absolute,
vdekjen e zezë-dheun e zi,
ngaqë askush s’ka llogaritur,
dashurinë që kemi ne të dy!.

Popullore e stilizuar..

Kjo këmisha jote,
cipë gjarpëri,
s’ta heq dot nga trupi,
unë i varfëri.

Kjo këmisha jote,
vesë dhe dëborë,
s’ta heq dot nga trupi,
se më shkrin në dorë!..

Ç’është dashuria?…

E ç’është dashuria vallë,
dritëz e bardhë në netë të zeza…
E ç’është dashuria vallë,
një zjarr i ndezur në varreza!…

Pa titull…

Kur të ligut,
i bën një të mirë,
s’të dihet as mundi-as nderi,
njëlloj sikur vë xhevahirë,
në feçkën e ndyrë,
të një derri…

A.DUKA

July 28, 2018 11:28
Komento

2 Komente

  1. N.VJOSA July 28, 19:47

    Njera me e bukur se tjetra!
    Arben,
    ti je Liriku i dashurive te pathena!
    Ty te rrjedh vargu si uji i krojeve te Laboves!

    Reply to this comment
  2. Ahmet July 28, 21:53

    Brilante, cdo germe nje lot, cdo fjale nje rrufe-dhembje…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*