Vargje të zgjedhur në vite

June 29, 2018 10:56

Vargje të zgjedhur në vite

 

Qiriri…

Në rrugët e jetës,

kudo që té shkosh,

në do që të paktën,

shpirtin ta shpëtosh…

 

Dhe në mos besofsh,

Zot e Perëndi,

gjej gjëkund nj ë kishë,

dhe ndiz një qiri.,

 

O popull…

O popull që mbush qelitë,

mos rri i brengosur,

se Krishti kur lart u ngrit,

burgun ka burgosur.

 

Mos e torturo më trupin,

trupin edhe shpirtin,

braktis thikën dhe barutin,

kërko Jezu Krishtin…

 

Nuk jam gjithkushi…

Nuk jam gjithkushi,

s’jam limonadë,

jam raki rrushi,

mbi njëzet gradë…

 

Gjarpëri…

Që prej qindra vjetësh,

o njerëz të varfër,

te kolltuku i lartë,

frymë merr një gjarpër…

 

Fluturimi…

Fluturon shqiponja,

gjer tek ylli i artë,

dhe e ngre folenë,

në majën e malit,

fluturon mushkonja,

në llum e në baltë,

dhe e ngre folenë,

nën bishtin e kalit.

 

Po çudi e madhe,

në Shqipërinë time,

këto që të dyja,

quhen fluturime!

 

Jetoj mes egërsirash…

Jetoj në mes egërsirash,

mes njerëzish që zjarre vjellin,

djegur në vapë shkretëtirash,

ku gratë nepërka pjellin.

 

Jetoj në mes egërsirash,

me helm të gjarprit dehur,

dhëmbët duzina prej shtizash,

me gjuhën shpatë të mprehur.

 

Po s’trembem nga dhunë e pabesë,

nga djalli me gjithë ç’ka gatuar,

të ndritur si Yll i Mëngjesit,

kam Zotin kështjellë të besuar.

 

Ka pesë shekuj

Ka pesë shekuj Shqipëria,

që lëngon në fund të gropës,

ne të gjithë e mbajmë veten,

më të mençurit e botës.

 

Për gjithë brezat papushuar,

si për bijtë dhe për etërit,

çorba më e preferuar,

veç kokat e njeri-tjetrit.

 

Dëshpërim

O jetë e trishtuar,

si muzikë funebër,

kudo që hedh sytë,

shoh njerëz të egër.

A. Duka

 

 

June 29, 2018 10:56