VARGJE TË ZGJEDHURA NË VITE

A. Duka September 17, 2016 12:18

VARGJE TË ZGJEDHURA NË VITE

1. Vajzë e bukur…

Ah-gjirin e njomë,
mos e lër të vyshket,
ah-trupin e gdhendur,
mos e lër të prishet!

Në ëndrra pa fund,
nuk mundet të flesh,
pak vite në jetë,
ti je Mbretëreshë.

S’jemi të përjetshëm,
as ti dhe as unë,
qëllo si rrufeja,
zhduku si furtunë!

Sot dhe vetëm sot,
nesër s’mund të presësh,
sot njëlloj si Djana,
burrat mund t’i vdesësh.

Sot dhe vetëm sot,
nesër s’ka-mos prit!
Nesër bukuroshe,
s’t’i hedh njeri sytë!

27.09.1999

2. E mira do shpallet mbret

Dhe fituan të pabesët,
dhe u shtypën të pashpresët,
nga kjo luftë e kjo përpjekje,
shpresa u plagos për vdekje.

U plagos e u hoq zvarrë,
po akoma nuk është vrarë,
se kollaj ajo nuk vdes,
se shpresa gjithmonë ka shpresë!

Pak kanë mbetur-shumë kanë ikur,
shumë kanë rënë e pak janë ngritur,
lufton drita errësirën,
lufton e keqja të mirën!

Po shpresa ime nuk humb,
se do ketë një gjyq në fund,
paskëtaj do hapen retë,
e mira do shpallet Mbret!

21.10.1999

3. Miq të dashur

Miq të dashur që ju dua,
ju që bëni kryq për mua,
eni-ku më keni lënë,
do më gjeni siç kam qënë.

Ky pisllëk e kjo kolerë,
nuk më preku asnjëherë,
shpirti im prej qelibari,
mbeti prapë ai i pari.

Ballë për ballë i dola jetës,
ndënë tingujt e trompetës,
se ç’u shova-se ç’u rropa,
nëpër shpella-nëpër gropa.

Ndënë tingujt e trompetës,
në kërkim të së vërtetës,
po s’u ktheva-po s’u tuta,
s’kërkova shtigje të buta!

1.11.1999

4. Në vargjet e mia…

Jeta që jetoj,
më rrëmben si lumë,
se dhe unë nuk rroj,
në akuarium.

Në vargjet e mia,
kurrë s’bie brymë,
se njerëzit pareshtur,
aty marrin frymë.

Kullëz e fildishtë,
nuk nxjerr asnjë zë,
po s’shkrova për njerëzit,
nuk vlej për asgjë!

2.11.1999

 

A. Duka September 17, 2016 12:18
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*