VARGJE TË ZGJEDHURA NGA ARKIVI

Arben Duka March 18, 2016 12:21

VARGJE TË ZGJEDHURA NGA ARKIVI

1. Vetëm…

Dje vetëm-sot vetëm,
nesër vetëm,
pa vdekur-mikja ime,
u tretëm…

1998

2. I mjafton secilit…

Nuk mund ta dëgjoj,
sot unë zilkën tënde,
se kumbora ime,
si këmbanë buçet,
kur ka rreze drite,
s’duket dritë hëne,
i mjafton secilit,
pikëllimi i vet…

1997

3. Dhe hasmi u bind…

Dhe hasmi u bind,
që s’jam dru i shkundur,
ndaj vrapoj si xhind,
s’kam kohë për të humbur…

1997

4. O popull…

O popull që mbush qelitë,
mos rri i brengosur,
se Krishti kur lart u ngrit,
burgun ka burgosur.

Mos e torturo më trupin,
trupin edhe shpirtin,
braktis thikën dhe barutin,
kërko Jezu Krishtin.

5. Qiriri…

Në rrugët e jetës,
kudo që të shkosh,
në do që të paktën,
shpirtin të shpëtosh…

Dhe në mos besofsh,
Zot e Perëndi,
gjej gjëkund një kishë,
dhe ndiz një qiri.

1997

6. Gjarpri…

Që prej qindra vjetësh,
o njerëz të varfër,
te kolltuku i lartë,
frymë merr një gjarpër.

1998

7. Fluturimi

Fluturon shqiponja,
gjer tek ylli i artë,
dhe e ngre folenë,
në majën e malit,
fluturon mushkonja,
në llum e në baltë,
dhe e ngre folenë,
nën bishtin e kalit.

Po çudi e madhe,
në Shqipërinë time,
këto që të dyja,
quhen fluturime!

1998

8. Jetoj mes egërsirash

Jetoj në mes egërsirash,
mes njerëzish që zjarre vjellin,
djegur në vapë shkretëtirash,
ku gratë nepërka pjellin.

Jetoj në mes egërsirash,
me helm të gjarprit dehur,
dhëmbët duzina prej shtizash,
me gjuhën shpatë të mprehur.

Po s’trembem nga dhunë e pabesë,
nga djalli me gjithë ç’ka gatuar,
të ndritur si Ylli i Mëngjesit,
kam Zotin kështjellë të besuar.

1998

9. Rruga e mëkatit

Rruga e mëkatit,
për njerinë,
duket shtruar,
me qilim të gjelbër,
po në mes të saja,
një greminë,
të pret gojëhapur,
si kuçedër

1998

10. O bir robërie

Ul kokën e mjerë,
o bir robërie,
dhe jetën-skëterrë,
jeto veç prej zorit,
kambana për shurdhin,
kurrë-jo nuk bie,
as dielli s’del,
për syrin e qorrit!

Arben Duka March 18, 2016 12:21
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin