Vargjet e Arben Dukës

November 8, 2012 14:59

Vargjet e Arben Dukës

Flamurin e ngriti…
Arjan Çani

Kujt i plasi çdo bëj Sala
Pavarësinë ku do festojë?!
Flamurin meqë ra fjala
Le ta ngrejë ku të dojë

Punë e tij kë preferon
Detin, fushën apo malin
Kë në buste lartëson
Zogun a Smail Qemalin

Le të bëjë çfarë të dojë
Mos ja varni teneqetë
Pordhët kush do t’ia dëgjojë
Veç atyre në pushtet?

Le të bëjë çfarë të dojë
Le ta nxijë dhe historinë
Lëre ta privatizojë
Nja dy ditë dhe pavarësinë

Është marroku që hedh gurin
Shkon i mençuri s’e gjen
Le të merret me flamurin
Fundja kush ia fërshëllen..

Ky ka qenë provokator
Nuk u bë tani në fund
Po sa herë që vjen Nëndor
Fillin Sala krejt e humb

E tërbon datë e çlirimit
Fitimtarët natyrisht
Ndaj në vakt të dëshpërimit
Çdo nëndor e nxjerr një bisht

Mos e ngisni fare nurin
Për të kokën mos e çani
Le të thotë se dhe flamurin
E ka ngritur Arjan Çani

Hiç në valle mos i hyni
Me shelegët le të qethet
Unë e di dhe ju e dini
Shumë shpejt do t’i bien gjethet

E bën gjithë këtë rrëmujë
Të harrojë hallet mileti
Nga të katër anët, ujë
Fut Saliu edhe shteti

Le ta shpjerë deri në fund
Atë që ka katranosur
Askush ndonjë gjë nuk humb
Këto data janë vulosur

Janë vulosur nga kreshnikët
Që kanë ngrënë bukë e barot
Domosdo që zvarranikët
Nuk mund t’i lëvizin dot

Salës do t’i bien gjethet
Ndryshe do të hiqen vallet
E me marrëzitë e tij
Koha gjatë më pas do tallet

Le të bëjë ç’të dojë i marri
Me të kohën humbni kot
Kur vendos një gjë i shkari
As vetë Zoti s’e ndal dot

November 8, 2012 14:59
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*