Vargjet e Arben Dukës

December 15, 2012 14:50

Vargjet e Arben Dukës

Me doktor Saliun,
Dhe aktor Imamin!

Që të ëndërrosh,
Nuk është ndonjë faj,
Po bashkimi ynë,
S’është aspak kollaj!

S’është aspak kollaj,
Them gjithmonë me vete,
Nga bashkimi ynë,
Prishen katër shtete!

Prishen katër shtete,
Ku ka gjak shqiptari,
Ndizen menjëherë,
Katër vatra zjarri!

Ëndrra mund të shohim,
Ne në Shqipëri,
Po më shumë se ëndrrat,
Nuk të lë njeri!

Nuk e lënë bashkimin,
Ata që na ndanë,
Dhe ata siç ishin,
Prapë te vendi janë!

Nga kufijtë që vuri,
Europa s’tundet,
Vetëm me Kosovën,
Bashkimi dhe mundet!

Dhe unë jam patjetër,
Një nacionalist,
Por e shoh çdo gjë,
Me sy realist!

Po qe se vërtet,
Kërkon të bashkohesh,
Duhet që me forcë,
Ti t’u imponohesh!

Me ushtri të fortë,
Dhe ekonomi,
Po ne mirë e dimë,
Ç’ka në Shqipëri!

Kur në çdo drejtim,
Je në fund-në bisht,
Askush dhe askush,
S’të merr seriozisht!

Ata që do “ndezin”,
Gjithë Ballkanin flakë,
Në stadin që jemi,
Janë qesharakë!

Sot s’ka asnjë shans,
Ta bashkojmë vatanin,
Me doktor Saliun,
Dhe aktor Imamin!

Ministrit të “Luftës”,
S’kam dëshirë t’ia ngop,
Po nuk i ka mbetur,
Një tank a një top!

December 15, 2012 14:50
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*