Vargjet e Arben Dukës

December 26, 2012 09:38

Vargjet e Arben Dukës

Shqiponjës dua t’i ngjaj

Në malet e larta,
Sytë seç më mbenë,
Aty ku e ka,
Shqiponja folenë!

Shqiponja e malit,
Rron mbi njëqind vjet,
Po s’e braktis kurrë,
Folezën e vet!

Shqiponja e malit,
Dhe pse s’është njeri,
Aty lind e rritet,
Dhe vdes po aty!

Aty dashurinë,
Shqiponja ka mbjellë,
Ndaj fole e saj,
Është një kështjellë!

Edhe unë shqiponjës
Dëshiroj t’i ngjaj,
Që s’e braktis kurrë,
Folezën e saj!

Ndaj shpirti rehat,
S’më gjen asgjëkundi,
Iki si veriu,
Po kthehem si plumbi!

Po. Kthehem si plumbi,
Nga toka e huaj,
Se larg tokës sime,
S’e shty dot një muaj!

Kthehem porsi plumbi,
Në viset e mia,
Veç këtu kuptohet,
Ç’është dashuria!

Ç’është dashuria,
Për një prag shtëpie,
Për një rrap të lashtë,
Për një degë hardhie!

Ndaj vetëm shqiponjën,
Kam në jetë model,
Se edhe dielli vetë,
Aty ndryshe del!

Ndryshe ndrisin yjet,
Ndryshe ndriçon hëna,
Në viset e mia,
Ku më prehet nëna!

*Arben Duka e ka shkruar poezinë e radhës nga Nju Jorku ku ndodhet për një ndërhyrje delikate kirurgjikale. I urojmë bashkëpunëtorit tonë shërim të shpejtë dhe kthim shëndoshë në atdhe

December 26, 2012 09:38
Komento

3 Komente

  1. Zani Burimi December 26, 13:33

    Vargje për Arben Dukën

    Eja shpejt në fole,
    More Arben djali,
    Kthehu, o shqiponjë
    Se të thërret Mali.

    Atje ku shndrit guri,
    Ku e ke folenë,
    Atje të ndrit nuri,
    Nga lëshon rrufenë!

    Nëna të ka lindur
    Që të kesh besë;
    Baba të ka skalitur
    Vetimat e rrufesë.

    Të do Toka Mëmë,
    Të do vegjëlia
    Ne duam shokun tënë,
    Të ndrittë Shqipëria!

    Të ndrittë vargjet e tua
    Të ndrittë mendje e sy,
    Me vargjet që na thua
    Shqipe të kemi ty!

    Me respekt,
    Zani Burimi

    Reply to this comment
  2. Nje shok i vjeter December 27, 05:41

    Mundet gazeta juan te na jape emrin espitalit ose nje nr. Telefoni?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*