Vargjet e Arben Dukës

January 5, 2013 11:54

Vargjet e Arben Dukës

Shpirti i poetit

Ca e dinë e ca s’e dinë,
Se ç’heq shpirtit i poetit,
Kur shkruan për qeverinë,
Më të poshtër të planetit!

Ca e dinë e ca s’e dinë,
Ca s’do ta mësojnë kurrë,
Dhe pse shkruaj shumë satirë,
Zemra ime s’është një gur!

Do desha t’i thurrja këngë,
Edhe kësaj qeverie,
Dhe ta ngrysja këtë jetë,
Veç me vjersha dashurie!

Por kjo gjë nuk qe e thënë,
Qeveria punon keq,
Ndaj s’mund të shkruaj lirika,
Po veç satira për dreq!

Ca e dinë e ca s’e dinë,
Shumë s’do mësojnë o mik,
S’është kollaj përditë të shkruash,
Këtë humor politik!

Ngjarjet që ndodhin përditë,
Plot ngjyrime politike,
S’mund të kthehen që të gjitha,
Në ca perla poetike!

Ditë për ditë – e ditë përditë,
Si në ditë të kijametit,
Ndoshta kur kaq vargje shkruaj,
E ul vlerën e poetit!

Kur shkruaj nga këto vargje,
Zemra kurrë s’më gëzon,
Fat i keq i Shqipërisë,
Gjer në eshtër më helmon!

Ju këtu nuk do zbuloni,
Atë poetin e ndritshëm,
Si gjithmonë do të shijoni,
Veç ushqimin e përditshëm!

Unë do shkruaj e do shkruaj,
Përsëri e përsëri,
Dhe në zemër hiç nuk vuaj,
Kur gjithë vargjet s’kanë magji!

S’dua lavde edhe ndere,
Ndaj nuk kam se çfarë të humb,
Gjersa unë gjuaj për derra,
Do përdor dhe ndonjë plumb!

Vetëm ditën që do iki,
Miq të rinj e miq të hershëm,
Dua që të thonë për mua:
“Na iku një burrë i ndershëm”

Shumë gjëra s’i ke në dorë,
Tek kjo jetë more njeri,
Por të jesh i bardhë si borë,
E ke në dorë vetëm ti!

Vetëm ti e asnjë tjetër,
Kjo nuk ka lidhje me shtetin,
Po ka lidhje mik i vjetër,
Me nderin dhe dinjitetin!

January 5, 2013 11:54
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*