Vaskë Koleci: Me urdhër të Koçi Xoxes, arrestuam dhe torturuam 90 vetë në Shkodër

Kujtim Boriçi May 16, 2013 15:08

Vaskë Koleci: Me urdhër të Koçi Xoxes, arrestuam dhe torturuam 90 vetë në Shkodër

Ekskluzive / Gjyqi kundër Koçi Xoxes dhe 4 bashkëpunëtorëve të tij, pjesëtarë të grupit armiqësor trockist. Dëshmia e Vaskë Kolecit për torturat masive deri në vdekje me urdhër të Xoxes, kontrollin e korrespondencës së Enver Hoxhës dhe dorëzimin e tyre KGB-së jugosllave

 

Dëshmia e ish-kreut të Sigurimit: Disa u pushkatuan, të tjerë u dënuan nëpërmjet fakteve të trilluara me vite të tëra burg. Për të vënë nën kontroll Shtabin e Përgjithshëm, Koçi Xoxe urdhëroi arrestime masive në ushtri nga Sigurimi

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

I pandehuri Vaskë Koleci, një nga drejtuesit e Sigurimit dhe besnik i të pandehurit Koçi Xoxe, i vënë përballë argumenteve të akuzës e deponimeve të të pandehurve të tjerë, në seancën e radhës gjyqësore, pranon aktivitetin kriminal që kanë kryer lidhur me terrorizmin dhe arrestimet masive, torturat çnjerëzore, si dhe vënien nën kontroll të plotë të korrespondencës së Enver Hoxhës nga Koçi Xoxe…“Arrestuam me urdhër të Koçi Xoxes Myzafer Pipën që vdiq në qeli nga torturat.Po me urdhër të Xoxes kryem terror masiv të popullsisë në Shkodër dhe arrestuam pa pasur material kompromentues 90 persona. Disa u pushkatuan, të tjerë u dënuan nëpërmjet fakteve të trilluara me vite të tëra burg” – pohon mes të tjerave i pandehuri Koleci…

 

 

Prokurori(Bedri Spahiu): -Seancën e 8 e vazhdojmë me pyetjen e të pandehurit Vaskë Koleci. Ti vetë, i pandehuri Vaskë Koleci, ke dhënë urdhra për arrestime në masë, për vrasje, për tortura?

 

Vaskë Koleci: -Për arrestime në masë nuk kam dhënë urdhra. Është urdhëruar të bëhen arrestime në masë dhe thoshim se janë të nevojshme. Por aktivist në këtë drejtim nuk kam qenë.

 

(Mbi këtë, prokurori lexoi një anëshkrim të të pandehurit Vaskë Koleci të dhënë në një raport, në të cilën ka shënuar se ‘përse të arrestohen kaq pak vetë në Shkodër, 70 vetë, sa kërkohej nga raporti dhe jo më shumë. Ju tregua të pandehurit dhe tha se shkrimi është i tij)

 

Prokurori: -Vazhdojmë i pandehuri Vaskë Koleci…

 

Vaskë Koleci: -Po. Kjo është e vërtetë. Por kjo ka ndodhur se shefat e Sigurimit poshtë kishin dërguar material për 90 vetë, ndërsa me këtë raport propozohej për 70 vetë. Prandaj vura shënimin se këtu shikoja një kundërshtim me numrat.

 

Prokurori: -Gjithë urdhrat që të ka dhënë i pandehuri Koçi Xoxe, a i ke vënë në zbatim?

 

Vaskë Koleci: -Po, të gjithë urdhrat që më ka dhënë Koçi Xoxe, unë i kam vënë në zbatim.

 

Prokurori: -Ti vetë, a ke torturuar, apo u ke dhënë urdhër të tjerëve që të torturojnë?

 

Vaskë Koleci: -Unë vetë kam torturuar Myzafer Pipën, që doli edhe këtu në gjyq kjo çështje. Urdhrat që më kanë dhënë për të torturuar, unë  ua kam dhënë edhe të tjerëve.

 

Prokurori: -A ke bërë ti ndonjë përpjekje ose të kesh bërë ndonjë tentativë që të zbusësh urdhrat arbitrare që të jepeshin.

 

Vaskë Koleci: -Ndonjë tentativë për zbutjen e këtyre urdhrave nuk kam bërë….

 

Prokurori: -A ke dhënë urdhër vetë ti i pandehuri Vaskë Koleci për të kontrolluar korrespondencën e Komandantit(Enver Hoxhës)?

 

Vaskë Koleci: -Unë vetë nuk kam dhënë urdhër për të kontrolluar korrespondencën e Komandantit. Kur ndodhej Komandanti(Enver Hoxha) në Moskë së bashku me Koçi Xoxen, kam folur me Nako Spiron që kishte mbetur këtu për mënyrën se si do ja dërgonim korrespondencën delegacionit tonë që ndodhej atje, domethënë Komandantit në Moskë. Deshëm që ta dërgonim me anën e Legatës sovjetike në Tiranë dhe unë fola me sekretarin e Legatës së Bashkimit Sovjetik. Ai më paraqiti disa vështirësi teknike. E rregulluam këtë me ndërmjetësinë e Beogradit, me anën e shokut tonë atje, Shpend Degës. Ne do ja dërgonim Shpend Degës telegramet të shifruara. Por ata të UDB-së i kërkuan të shifruara(të lexueshme, të hapur), pasi shoku jonë në Beograd nuk ka pasur shifër me Moskën…

 

Prokurori: -Po pse Shpend Dega nga Beogradi të ka pyetur telegrafisht se si do t’i dorëzohej kështu korrespondenca UDB-së?

 

(Mbi këtë Prokurori lexoi telegramin që Shpend Dega i dërgonte të pandehurit Vaskë Koleci, të cilit i kërkonte mendimin nëse telegramet do i dorëzoheshin UDB-së të hapura, apo të shifruara dhe pastaj përgjigjen e të pandehurit Vaskë Koleci që i thotë se t’i dorëzohen të deshifruara. Dhe kështu, UDB-së ju dhanë të lexueshme telegramet, që t’ia transmetonte Moskës).

 

Vaskë Koleci: -Ka qenë kërkesa e Shpend Degës dhe unë i jam përgjigjur.

 

Prokurori: -Jo. Çështja është se ai të pyeste nëse telegramet do të dërgoheshin të shifruara, apo ashtu siç i kërkonte UDB-ja, të shifruara(të hapta). Në rrugën e UDB-së a mund të shkonin të shifruara telegramet?

 

Vaskë Koleci: -Po, në rrugën e UDB-së mund të shkonin edhe të shifruara.

 

Prokurori: -Kurse ti i pandehur e ke urdhëruar të shkojnë të deshifruara.

 

Vaskë Koleci: -Unë për këtë kisha biseduar me shokun Nako Spiro.

 

Prokurori: -Ta zëmë se të kishte thënë shoku Nako Spiro, po kujt i takonte të ruante fshehtësinë e kësaj korrespondence?

 

Vaskë Koleci: -Ruajtja e fshehtësisë së kësaj korrespondence, na takonte ne të Sigurimit. Por ato kanë qenë njoftime të zakonshme të situatës.

 

Prokurori: -Po sikur këto të mos ishin vetëm lajme, si duhej vepruar?

 

Vaskë Koleci: -Unë veprova pasi kisha biseduar me shokun Nako Spiro, të cilin e njihja si shokun përgjegjës që kishte mbetur këtu.

 

Prokurori: -Po ne e pamë se çfarë konsideracioni kishit ju për Koçi Xoxen dhe për shokun Nako. Por urdhra të tilla janë dhënë me qëllim që UDB-ja të informohej për çdo që që i shkonte delegacionit tonë në Moskë. Është absurde të mendohet, qoftë edhe për një minutë, që ju të kishit besim tek shoku Nako. Ju nuk kishit asnjë besim edhe tek Sekretari i Përgjithshëm (Enver Hoxha), të cilit i keni kontrolluar gjithë korrespondencën. Se ju, po të kishit besim tek fjalët e Komandantit(Enver Hoxhës), nuk dëgjonit qorrazi urdhrat e Koçit por do të vepronit dhe kishit mundësi ta hidhnit në erë banditin Koçi Xoxe.

 

Prokurori: -Po kur ishe ti Ndihmësministër, a jepje urdhra për arrestime në ushtri?

 

Vaskë Koleci: -Po, në kohën që unë isha Ndihmësministër, merrej aprovimi im për arrestimet në ushtri. Bazoheshim në materialin që paraqiste Sigurimi i Ushtrisë. Gjatë tre muajve që isha unë, arrestimet kanë qenë të kufizuara dhe për këto, është marrë mendimi i të pandehurit Koçi Xoxe. Para meje ka qenë Nesti dhe ky po kështu vepronte. Për arrestimet në ushtri jepte miratim Ministri, me përjashtim të ndonjë rasti flagrant ose të shkëputur që bëhej me urdhër të Ndihmësministrit.

 

Koçi Xoxe: -Për 5-6 muaj, në vitin 1948, arrestimet në ushtri janë bërë me miratimin e Drejtorisë Politike. Kurse kohën tjetër, mbi propozimin e Drejtorisë Politike, por të aprovuar nga Drejtoria e Sigurimit.

 

Prokurori: -Nga ka hyrë metoda trockiste për arrestimet në Ushtri?

 

Koçi Xoxe: -Deri në vitin 1948 ka pasur këshilltarë jugosllavë për çështjet e Sigurimit në ushtri.

 

Prokurori: -Domethënë, del e qartë se edhe në Ushtri janë jugosllavët që e fusin metodën trockiste të punës. Këtu mbetet vetëm Shtabi ku nuk kanë mundur që të hyjnë jugosllavët, sepse atje ndodhej shoku Mehmet Shehu dhe prandaj është kërkuar nga të pandehurit e jugosllavët që të largohej andej me çdo kusht shoku Mehmet.

 

(Mbi këtë u lexuan deponimet e të pandehurit Vaskë Koleci, në faqen 9 të procesit hetimor, ku ndër të tjera ka thënë: “Lidhjet ndërmjet Drejtorisë së Sigurimit dhe seksionit të Sigurimit në Ushtri kanë qenë kështu: Seksioni i Sigurimit të Ushtrisë do të bashkëpunonte me Drejtorinë. Bashkëpunimi ishte për çështje arrestimi e përpunimi, për çështje vije dhe forme organizimi. Seksioni i Ushtrisë kishte një këshilltar jugosllav”.)

 

Prokurori: -Kush ju ka urdhëruar që Sigurimi i Ushtrisë të bisedonte pa rezerva me Safet Filipoviçin?

 

(U kënduan deponimet e të pandehurit Vaskë Koleci në faqen 9 të procesit, ku ndër të tjera ka thënë: “Me urdhër të Koçi Xoxes, unë kam urdhëruar Shefin e Sigurimit të Ushtrisë që të bisedonte mbi punën e Sigurimit të Ushtrisë. Domethënë, Safet Filipoviçit t’ia shtronin punën haptas dhe pa rezerva. E që ky i fundit, Safet Filipoviçi, do të jepte vijën dhe materialin e eksperiencës jugosllave”)

 

Kryetari(Frederik Nosi): -Ju i keni thënë dhe i keni firmosur këto deponime i pandehuri Vaskë Koleci?

 

Vaskë Koleci: -Po, të miat janë, unë i kam thënë e firmosur.

 

Prokurori: -Në çështjen e kontrollit të Partisë nga Sigurimi, çfarë roli ke luajtur ti i pandehuri Vaskë Koleci?

 

Vaskë Koleci: -Kontrollin e Partisë nga Sigurimi nuk e kam kundërshtuar dhe kam dhënë udhëzime për ta vënë në praktikë këtë.

 

Prokurori: -Po për arrestime në operacione, për njerëzit që janë zhdukur pa dijeninë e Komandës së Operacioneve, çfarë di ti?

 

Vaskë Koleci: -Në operacionin e Shkodrës unë kisha autorizim që të ndihmoja në arrestime në qytet, pasi të aprovoheshin nga Komanda e Operacionit.

 

Prokurori: -A ka pasur dijeni Komanda e Operacionit kur u ka vdekur Myzafer Pipa nga torturat?

 

Vaskë Koleci: -Jo, për vdekjen e këtij, nuk ka pas dijeni Komanda e Operacionit.

 

Prokurori: -Me këtë punë që ke bërë ti, del i pandarë nga gjithë veprimtaria e Koçi Xoxes, si në çështjen e torturave, si në punën në hetuesi, në zbatimin komplet të urdhrave që janë dhënë nga Ministria e Brendshme… Nuk ke përgjegjësi ti për gjithë këto?

 

Vaskë Koleci: -Unë kam zbatuar plotësisht urdhrat e dhëna dhe nuk ka në punën time ndonjë të çarë me punën e Koçi Xoxes.

 

Prokurori: -A je cilësuar me të drejtë si anëtar i këtij grupi trockist?

 

Vaskë Koleci: -Mua, për të gjitha këto vepra më bie përgjegjësi. Por si pjesëtar i grupit nuk mund të quhem sepse në ato kondita, ka punuar i tërë aparati i Sigurimit.

 

Prokurori: -A e ke kundërshtuar ndonjëherë ti këtë platformë?

 

Vaskë Koleci: -Jo, konkretisht nuk i kam bërë ndonjë kundërshtim kësaj platforme dhe kam punuar në bazë të saj. Por nuk e kam menduar kështu.

 

Prokurori: -Po a pranon ti se me punën e bërë ke dëmtuar rëndë interesat e vendit, të Partisë, popullit, të Republikës?

 

Vaskë Koleci: -Po, është e vërtetë se kam dëmtuar dhe ka fajësi në punën time. Por unë, si kuadër i ri, i ardhur që në fillim në Sigurim, punova me ato direktiva që ishin dhënë.

 

(Vijon nesër)

 

Përgatiti: Kujtim Boriçi

 

NESËR DO TË LEXONI

-Dëshmia e të pandehurit Vaskë Koleci: Me urdhër të Koçi Xoxes, informatat për Mehmet Shehun, ua jepnin sovjetikëve. Koçi Xoxe donte që ta diskreditonte Mehmet Shehun.

-Debatet mes të pandehurve Koçi Xoxe e Vaskë Koleci për përplasjen e deklaratave të tyre lidhur me veprimtarinë armiqësore të përbashkët.

-Dëshmia e të pandehurit Vango Mitrojorgji në seancën e nëntë të gjyqit: Me porosi të Koçi Xoxes, kam torturuar me të gjitha mënyrat Syrja Selfon, për të siguruar informacione për Ballin Kombëtar.

Kujtim Boriçi May 16, 2013 15:08
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*