Vaskë Koleci: Pengesë për rrëzimin e Enver Hoxhës ishte Mehmet Shehu, Koçi urdhëroi eliminimin e tij

Kujtim Boriçi May 17, 2013 16:02

Vaskë Koleci: Pengesë për rrëzimin e Enver Hoxhës ishte Mehmet Shehu, Koçi urdhëroi eliminimin e tij

Ekskluzive / Gjyqi kundër Koçi Xoxes. Seanca e 9-të, datë 19 maj 1949. Deponimet e të pandehurit Vaskë Koleci për planin e grupit trockist për eliminimin e Mehmet Shehut, si pengesë për marrjen e pushtetit të Enver Hoxhës. Debatet mes të pandehurve Xoxe dhe Koleci lidhur me akuzat për fajësi.

 

“Fillimisht ishte largimi nga detyra si Shef i Shtatmadhorisë së Ushtrisë, të cilin Sigurimi nuk po e merrte nën kontroll. I kishim hapur dosje në Sigurim dhe mblidhnim informata për të. Me qëllim diskreditimin, informatat që mblidhnim për të ja dërgonim KGB-së në Moskë!”

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

I vetmi institucion i lartë shtetëror që nuk ishte vënë ende nën kontrollin e Koçi Xoxes e grupit armiqësor trockist, ishte Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, ndërkohë gjeneral Mehmet Shehu ishte pengesa kryesore. Për këtë, në skenarin e Koçi Xoxes ishte eliminimi i Mehmetit, pengesa kryesore për goditjen përfundimtare mbi Sekretarin e Parë të Partisë e Komandantin Enver Hoxha.“Pengesë për rrëzimin

e Enver Hoxhës ishte Mehmet Shehu ndaj Koçi Xoxe përgatiti skenarin, urdhëroi eliminimin e tij. Fillimisht ishte largimi nga detyra si Shef i Shtatmadhorisë së Ushtrisë, të cilin Sigurimi nuk po e merrte nën kontroll. I kishim hapur dosje në Sigurim dhe mblidhnim informata për të. Me qëllim diskreditimin, informatat që mblidhnim për të, ja dërgonim KGB-së në Moskë!” – pohoi në seancën e datës 20 maj 1949 i pandehuri Vaskë Koleci…

 

 

Prokurori: -I pandehuri Vaskë Koleci. Sektori që ju drejtonit në Ministrinë e Brendshme ishte sektori më i rëndësishëm apo…?

 

Vaskë Koleci: -Sektori që kisha unë ishte më i rëndësishmi.

 

Kryetari(Frederik Nosi): -Kështu është i pandehuri Koçi Xoxe?

 

Koçi Xoxe: -Sektori më i rëndësishëm ishte ai që kishte i pandehuri Vaskë Koleci, domethënë, Seksioni i II-të. Dhe kur mungonte Nesti, ky e zëvendësonte.

 

Vango Mitrojorgji: -Seksioni i të pandehurit Vaskë Koleci ka qenë më i rëndësishmi dhe gjatë vitit 1947, asnjë veprim nuk bëhej pa u pyetur Vaska.

 

(Mbi këtë shoku Prokuror lexoi një deklaratë të Kopi Nikos, shef i Sigurimit të Gjirokastrës, prej të cilës rezulton se ky i ka vajtur të pandehurit Vaskë Koleci në lidhje me një proces dhe i ka thënë se procesi nuk është aspak real, nuk ka material dhe në bazë të tij nuk mund të veprohet. Por i pandehuri Vaskë Koleci i është përgjigjur se duhet të veprosh ashtu si të them unë).

 

Vaskë Koleci: -Nuk është e vërtetë t’i kem thënë kështu Kopi Nikos, por kjo ka lidhje me procesin e Sami Celibashit.

 

Prokurori: -Nuk është çështja nëse është apo nuk është e vërtetë, por kjo është një punë prej armiku, antipopullore, anti-shqiptare, një punë kundër indipendencës së Partisë dhe të republikës Popullore dhe në këtë vijë, ti ke qenë plotësisht dakord me banditin Koçi Xoxe. Dhe këtë rrugë të tradhtisë ti e ke ndjekur deri në fund dhe qëndruat me klikën e Beogradit gjer në Plenumin e XI-të. Në Plenumin e XI-të, ti ke mbajtur qëndrim të keq dhe nuk ke ndihmuar aspak për të sqaruar çështjet. Je munduar që të vesh në opozicion Komitetin Central dhe për shkak të këtij qëndrimi, me gjithë tradhtinë e madhe, u bë që Koçi Xoxe të mbetet akoma Ministër dhe u dërgua në Ministrinë e Industrisë. Për këtë aktivitet anti-popullor e anti-shqiptar, Vaskë Koleci gjendet në bankën e të akuzuarit.

 

Prokurori: -Po informatat për Mehmet Shehun pse ja jepnit sovjetikëve?

 

Vaskë Koleci: -Me urdhër të Koçi Xoxes, informatat për Mehmet Shehun ja jepnim sovjetikëve. Unë mendoj se Koçi Xoxe e bënte këtë për të diskredituar shokun Mehmet Shehu.

 

Koçi Xoxe: -I kishin kërkuar ata vetë, prandaj ua dhashë.

 

Kryetari(Frederik Nosi): -A e pranon ti i pandehur Vaskë Koleci përmbajtjen e deklaratave të tua të bëra në procesin hetimor?

 

Vaskë Koleci: -Po, procesin hetimor e pranoj.

 

(Mbi këtë, shoku Prokuror lexoi një deklaratë të lëshuar nga shoku Gaqo Tashko, në të cilën përshkruhet se si ai ka ndërhyrë disa herë pranë të pandehurit Koçi Xoxe për të siguruar ardhjen në Shqipëri të patriotit e shkencëtarit Dalip Zavalani i cili kishte mbërritur nga Egjipti në një skelë të Jugosllavisë dhe pasi kishte pasaportë të skaduar, kërkonte ndërhyrjen e autoriteteve shqiptare për të ardhur në Shqipëri. Koçi Xoxe i ka thënë përfundimisht se nuk është e mundur të bëhet kjo se këtë çështje e dinte dhe Velebiti. Velebiti, shokë gjyqtar, është agjent i anglo-amerikanëve në Ministrinë e Jashtme të Jugosllavisë, siç rezulton nga letrat e VKP (b) të drejtuara Partisë Komuniste Jugosllave. Dhe po t’i lexoni ato letra, do të shihni emrin e këtij agjenti. Si përfundoi puna e Dalip Zavalanit nuk dihet, por fakt është se ai persekutohej nga imperialistët dhe njihej si antifashist e patriot i ndershëm. Akuza publike nuk ka prova që të përfundojë se edhe ky është një nga viktimat e trockizmit, por këtë e përmendim në këtë proces me rezerva dhe të mbetet në histori).

 

Koçi Xoxe: -Për këtë më ka ardhur nja dy herë Koço Tashko dhe unë kam ndërhyrë, por nuk e di se pse nuk erdhi në Shqipëri Dalip Zavalani. Sa për Velebitin, nuk di t’i kem thënë gjë Gago Tashkos.

 

Prokurori: -Po të donte i pandehuri Koçi Xoxe atë e sillte menjëherë në Shqipëri.

(Përfundon seanca, shtyhet për ditën e nesërme, datë 20.V.1949)

 

Kryetari(Frederik Nosi): -Nisim sot(20.V.1949) seancën e nëntë të gjyqit, me pyetjen e të pandehurit Vango Mitrojorgji. I pandehuri Vango Mitrojorgji, e ke marrë aktin e akuzës dhe a e pranon akuzën që të bëhet?

 

Vango Mitrojorgji(I pandehur): -E pranoj pjesërisht akuzën. Nuk jam dakord me përmbajtjen e akuzës për sa i përket veprimit me koshiencë dhe atë që kam qenë anëtar aktiv i këtij grupi.

 

Prokurori(Bedri Spahiu): -Kur keni ardhur në Ministrinë e Brendshme, i pandehuri Vango Mitrojorgji?

 

Vango Mitrojorgji: -Në 11 janar të vitit 1946 kam ardhur në Sigurim, më ka thirrur i pandehuri Koçi Xoxe dhe më tha se do të hiqja shenjat jeshile të Divizionit të Parë dhe do të vija shiritat e kuqe të Sigurimit… Ai më tha se do të emërohesha shef i Seksionit të Sigurimit të Tiranës…

 

Prokurori: -Po ti i pandehur, a e ke kundërshtuar këtë rrugë të shtrembër që ndiqej në Sigurim?

 

Vango Mitrojorgji: -Unë nuk them se e kam kundërshtuar, sepse edhe unë nuk kisha eksperiencë.

 

Prokurori: -Për tortura dhe arrestime, a ke dhënë urdhër ti?

 

Vango Mitrojorgji:- Po, unë kam dhënë urdhra për arrestime dhe për tortura. Torturat ishin sistem në hetuesi dhe marifet tjetër nuk dinim.

 

Prokurori: -A kishit urdhër nga lart që të vazhdonit torturat?

 

Vango Mitrojorgji: -Ndonjë urdhër të shprehur nuk kishim por deri sa torturat vazhdonin dhe nuk ndaloheshin, kjo donte të thoshte për ne se në këtë rrugë duhej të vazhdonim. Një rast specifik di atë të Syrja Selfos kur erdhi Vaska e më tha se ishte urdhri i Koçi Xoxes që t’i bëheshin këtij të gjitha llojet e torturave për ta bërë që të fliste. Ai akuzohej se ishte në qarkorin e organizatës së Ballit Kombëtar.

 

Prokurori: -A i ke drejtuar ndonjë pyetje rreth udhëheqësve Syrja Selfos, sidomos për Komandantin(Enver Hoxhën) meqë ishte nga Gjirokastra?

 

Vango Mitrojorgji: -Nuk i kam drejtuar ndonjë pyetje lidhur me ndonjë udhëheqës Syrja Selfos. Koçi Xoxe, sigurisht mund të ketë pasur ndonjë qëllim dhe këtë e di nga praktika me të burgosurit e tjerë të cilët pyeteshin rreth udhëheqësve. Por Syrja Selfon, unë nuk e kam pyetur.

 

Prokurori: -Po në Drejtorinë e Sigurimit, kur vajte, çfarë sektori ke pasur?

 

Vango Mitrojorgji: -Në Drejtorinë e Sigurimit vajta në prill të vitit 1947 dhe u caktova në sektorin ekonomik, domethënë, në sektorin e III-të.

 

Prokurori: -A ishte ky një nga sektorët më me rëndësi?

 

Vango Mitrojorgji: -Ky qe një sektor i rëndësishëm, por unë nuk bëja ndonjë dallim  se cili qe sektori më me rëndësi.

 

Prokurori: -Sa kohë ke punuar në këtë sektor dhe çfarë direktivash të kanë dhënë Koçi Xoxe dhe Vaskë Koleci?

 

Vango Mitrojorgji: -Në këtë sektor punova nga muaji prill deri në muajin gusht të vitit 1947. Ndonjë direktivë nuk m’u dha, por atëherë kishte ardhur Safet Filipoviçi si këshilltar dhe një ditë Koçi Xoxe më tha se ky është një shok jugosllav që do të na ndihmojë për çdo gjë. Safeti kishte përgatitur disa referate me tema të ndryshme dhe në bazë të atyre referateve punuam ne në Drejtorinë e Sigurimit.

 

Prokurori: -Udhëzimet e Safet Filipoviçit, a i kishin pranuar Koçi Xoxe e Vaskë Koleci?

 

Vango Mitrojorgji: -Po. Si Koçi, ashtu edhe Vaska, ato udhëzime të Safetit i kishin aprovuar.

 

Prokurori: -Për sektorin tënd, i jepje ti informata Safet Filipoviçit?

 

Vango Mitrojorgji: -Për sektorin tim nuk i kam dhënë informata Safetit, por ai më pyeste se ç’kemi andej nga Kuçova. Informatat ne ja çonim Ndihmësministrit. Dhe aty nga muaji maj ose qershor i vitit 1947, u tha që këto informata të bëheshin në dy kopje, shqip e jugosllavisht. Dhe kështu që të përkthyera, i jepeshin Safetit.

 

Prokurori: -A ka lidhje puna që jugosllavët hoqën rrjetin e spiunazhit në vendin tonë me faktin se informatat i dorëzoheshin të përkthyera në gjuhën e tyre agjentit Safet Filipoviç?

 

Vango Mitrojorgji: -Tani realizoj se ka lidhje heqja e rrjetit të spiunazhit të jugosllavëve në vendin tonë me faktin se informatat i jepeshin Safet Filipoviçit.

 

Prokurori: -Çfarë di ti për arrestimet në masë?

 

Vango Mitrojorgji: -Në kohën kur zhvilloheshin proceset e grupit të deputetëve dhe të organizatës tekniko-intelektuale, Koçi më ka thirrur në shtëpinë e tij dhe më kërkoi propozime për t’i arrestuar dhe ne i paraqitëm një listë prej 60 vetë që kishim material. Koçi Xoxe, me këtë rast na tha se tani është momenti që të bëhen spastrime, duke kërkuar që të arrestoheshin më shumë. Por ne i thamë se nuk kishim material. Por, ai, me njëherë nxori nga xhepi një listë me 20 emra dhe kur ne i thamë se nuk kemi material dhe për këta, ai na përgjigj se “jeni teveqela, se materiali do të dalë nga proceset”. Atëherë ne e shtuam numrin e atyre që do arrestonim duke e ngritur në 120 vetë.

 

Prokurori: -Në çfarë mënyre do të dilte nga proceset ky material që kërkonte Koçi Xoxe?

 

Vango Mitrojorgji: -Natyrisht do të dilte nga torturat që do të përdoreshin kundrejt të arrestuarve dhe efektivisht, asgjë nuk doli si material sepse kur u kthyem ne nga Bashkimi Sovjetik, ata nuk ishin dërguar ende në gjyq.

 

Prokurori: -Ke përgjegjësi ti për këtë punë?

 

Vango Mitrojorgji: -Mua, për pjesën time nuk më vjen ndonjë përgjegjësi sepse për seksionin tim nuk shtova tjetër njeri përveç atyre që ishin në listën e parë dhe për të cilët kishte material. Jam fajtor për ato 20 veta që i shtoi Koçi Xoxe dhe ne i pranuam.

 

Prokurori: -A ke përdorur ti sistemin e sugjerimit në hetuesi?

 

Vango Mitrojorgji: -Ka pasur raste që Paskal Andoni kishte përdorur sugjerime në hetuesi, por unë i kam thënë se nuk duhej përdorur ky sistem në hetuesi.

 

Prokurori: -A ke përdorur ti si sistem hetuesie provokacionin?

 

Vango Mitrojorgji:- Është përdorur tortura dhe sugjerimi në hetuesi, për provokacionin nuk di gjë konkrete.

 

(Vijon nesër)

 

Përgatiti: Kujtim Boriçi

 

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Dëshminë e të pandehurit Vango Mitrojorgji: Si organizova survejimin e Nako Spiros dhe përgatita dosjen e shantazhit për të me urdhër të Koçi Xoxes.

-Deklarata e oficerit të Sigurimit Paskal Andoni: Si u morën dëshmi nën torturë të burgosurve për gjeneral Mehmet Shehun, Spiro Kolekën e Gaqo Tashkon.

-Akuza në seancën e nëntë: Si dhe pse arrestuan të pandehurit Xoxe e bashkëpunëtorët e tij 120 vetë pa meterial. Nga ishin të arrestuarit dhe përse i akuzonin.

Kujtim Boriçi May 17, 2013 16:02
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*