Vdekja e Gjergj Kastriotit

March 26, 2018 11:32

Vdekja e Gjergj Kastriotit

Moikom Zeqo

Gjergj Kastriot Skënderbeu nuk ka varr.

***

Erërat nuk kanë varr.

***

Deti është varri i gjallë i vetvetes.

***

Hëna është monument mbivarror, pa asnjë kufomë.

***

Idetë e padukshme nuk kanë qimiter të dukshëm.

***

Skënderbeu lëviz madhështor-pas shpine i vizatohen luanë të mëdhenj, të purpurt.

***

Zëra të yjëzuar. Prilli ndërfutet mes xhamave të mëdha. Bretkosat përgojojnë kometat. Në vend të këpucës së Hirushes befas gjejmë Qytetin e Zogjve. Jemi kukulla të gjuhës. Dhe buisin gonxhet e zambakëve në terr si shkrepja e fotoaparateve. Është kalbur Libri i Miteve. Kjo grykë alpesh është si këllëfi i kalimit të një Kryeengjëlli prej shtrëngate dhe bronzi. Imagjinata, sinonim i stilit. Shekulli e ngre një flamur flokëmjekërbardhë, pra, ky qenka profeti Ekzekiel.

***

Hyjmë në dendësinë e fjalëve historike. Ndërsa fjalët johistorike digjen në kristale blu.

***

Rrëzohet një gjethe, vigmë e mekur, shkronjë e humbur nga dorëshkrimi i pergamentë i vjeshtës. Thua ky muzg hemoglobine del nga lëkura jonë! Bora na mbulon si Shpirti i Shenjtë, ardhur nga kozmosi. Prej kohësh po dekompozohet Apokalipsi i fëmijërisë së largët.

***

Na puth e Panjohura e Gjithësisë. Lëvizim në Fjalëkryqet e Diellit. Humbasim të vesuar në kopshtet qiellore të erës. Ja, këta gurë mëmësuar nga deti, por pa atësi. Engjëjt e Heshtjes na tmerrojnë. Poshtë themeleve të një kishe të vjetër përherë e gjejmë një Barlet.

***

Gjergj Kastrioti nuk ka varr.

***

Çdo njeri e ka një vdekje. Jo çdo njeri e ka një varr.

***

Varri është fshikëza e krimbit që shndërrohet në flutur dhe na mbulon muzgu i oksidit të hekurit tek Bregu i Habitjes.

***

Vjen Mëngjesi i Fshehtë. A mund të udhëtosh me një anije të futur brenda një shisheje? Oh, si shfaqet porti i përfytyruar, Maximus in Minimus! Nimfat fshihen në strehimin antibërthamor. Gratë i ngujojnë fëmijët e lindur sërish në mitër! Përdorim sytë e të vdekurve për të parë kohërat e tyre.

***

E shkyejmë qefinin squfurzjarr të Sodomës dhe Gomorës.

***

Ndërsa muzikën e kthejmë në një algjebër shpirti.

***

Vërtitet mekanika e ndryshkur e përditshmërisë.

***

Na nguros trillimtaria.

***

Gjergj Kastrioti nuk ka varr-stuhitë e kanë rrëzuar Historinë nga shala arqëndisur, me frerët e këputur të rrufeve të ndryshkura.

***

Gjethet sulen me një fluturim vampirësh, vesa mbi shpinat e kuajve bën gurë unazash të perandorëve bizantinë, idetë janë rrënjëzuar në thellësi të tërmeteve dhe epokën e ndryshimeve të kërthnesta, ajri ngrin si pantel i Van Gogut mbi pllajëtragjedinë e Albulenës.

***

Në deje i pagëzojmë popujt e peshqve të misterit.

***

Gjergj Kastrioti nuk ka varr, mund të jesh gjallë dhe të kesh varr, mund të vdesësh e të mos kesh varr, ajme!

***

Gjergj Kastrioti nuk ka varr.

***

Nën sipërfaqen e detit rri amalgama e pasqyrave. Lypësit marrin frymë me flegrat e engjëjve dhe salamandrave. Princi Buda thotë: – Unë jam Mona Liza! Leonard da Vinçi e mban penelin e tij magjik me gishtërinjtë e Skënderbeut, Zoti i Egër – Dieu Sauvage, sy pa atdhe, harrojmë gjuhën e lindjes dhe flasim gjuhë të tjera, madje pa i kuptuar as vetë ato, Gjergj Kastrioti nuk ka varr.

***

Bie borë nga qerpikët e Shën Marisë e ai, s’ka varr, s’ka varr, mbi plazhet ra harresa e turpshme e ai, s’ka varr, ultima ratio – s’ka varr, univers i mbështjellë me varak, kohëra kuturitëse nëpër rrokje – s’ka varr, dallgë, breshka të bardha nga rendin drejt formave tona prej Akili – s’ka varr, e pamundur, e pamundur sërish botën ta ribëjmë – s’ka varr, shkrimet me kallamar mbi letër si jashtëqitjet e Homerit të sëmurë me diare – s’ka varr, era qëndis me vetëtima ëndrrat tona – s’ka varr, koka e Skënderbeut mbi supet e Nikes së Samothrakës – s’ka varr, sytë e Skënderbeut në fytyrën e Krishtit onufrian, seksi prej mashkulli i Skënderbeut te Afërdita e Milos në Luvër.

***

Homeri s’ka varr, pra Skënderbeu s’ka varr, Shekspiri ka varr, por Hamleti s’ka varr, Servantesi ka varr, por Don Kishoti s’ka varr, digjet shëmbëlltyra e Skënderbeut në një flakadan psikik, tout passe par le regard-gjithçka kalon me një vështrim, a mund t’i riparojmë humbjet si arnimet e çorapeve të vjetra?

***

Gjergj Kastrioti nuk ka varr e megjithatë toka, deti, qielli janë brenda një peme ndiejmë grama sfinksi e ai s’është më, zbrazu qiell sa të mundesh, zbrazu e megjithatë kurrë ti qiell nuk shteron – ai s’është më, duar të padukshme na rrëmbejnë nëpër qiej si engjëj shën Palin në trans – ai s’është më, s’është më, s’është më, sa libra e harresa, bëma, trille të bëra konserva!

***

Gjergj Kastriot Skënderbeu nuk ka varr. Pilotë të ëndrrës mbi pyllnaja agimesh – s’do ta gjeni askund!

***

Ky mur i gurtë bëhet befas plot rremba, sy, qime, sy – mund të shfaqemi ne, por jo ai! Dhe shiu na mbërthen me një petk hyjnor meshtari. Dhe ai s’është më!

***

Në kreshtat sipërane të fuqishmërisë thyhen përdhunshëm qelqurinat veneciane të ajrit, sa njerëz jetojnë nën lëkurën e të tjerëve dhe vdesin që në fillim jashtë lëkurës së tyre!

***

Gjergj Kastriot Skënderbeu nuk ka varr.

***

Statuja e shënjon një varr, por është bronzimi i kufomës, që lartësohet në qiell, statuja është e pavarrosshme dot edhe nëse fragmentohet, ose shkrihet për truptransformime të tjera. Torsi i një kafshe mitike është plot basorelieve babilonase, ndërsa bubullimat e kanë ritmin e orëve antike.

***

Emri fosilizohet në kohën ku s’ka as jetë, as vdekje!

***

O Njeri, je Minotauri i labirintit kretez të dejeve të tua dhe njëkohësisht Perseu, që e vret vetveten e parë!

***

Dhe lulëzojnë detet të blatuar nga Hëna.

***

Ç’kurajo hyjnie e yllit, që s’pranon të vetëzhduket!

***

Duart tona enjten e bëhen male. Balli i Skënderbeut plot kinematografi gnostike!

***

Sendfrymorët psherëtijnë. Baltë e rëndomtë e mbushur me shpirtra të mëdhenj!

***

Ti je i vetëm Kastriot… dhe pa asnjë sozi!

Durres,1995

March 26, 2018 11:32
Komento

4 Komente

  1. Muratori March 26, 21:05

    Te lumt Dora o Maikom

    Reply to this comment
  2. Plaku Xhuxhumaku March 27, 04:12

    O Moikom me thuaj c’kishe pire, e c’kishe tymosur kur perçarte keto dokrrat me siper qe nuk vlejne per gje?

    Reply to this comment
  3. Rudi March 27, 18:43

    I vlejne kombit te heroit per te dalluar shqiptarin nga te tjeret. Per te qene krenar nder shekuj pamvarsisht sfidave te kohes.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*