Vdekja e Mësuesit

Ardian Vehbiu February 21, 2016 07:24

Vdekja e Mësuesit

Po të më duhej ta përmblidhja me një fjalë, atë çfarë ishte Umberto Eco-ja për mua, do të thoja pa ngurrim: mësuesi.

Mësuesi ka diçka nga babai, sikurse ka diçka nga prifti dhe shamani dhe guru-ja; ti ia beson fjalën, sepse ia beson zërin – por pastaj e bën atë fjalë tënden dhe ia kupton forcën dhe ashtu e verifikon, në ballafaqim me botën.

Veprat e Eco-s i kam pothuajse të gjitha; që prej vitit 1987, kur ia bleva librin e parë në një tezgë në Romë dhe deri më sot, ma ka orientuar mendimin dhe ma ka mbështetur etikën intelektuale, hap pas hapi.

Edhe mbrëmë u hodha një sy shpinave të atyre vëllimeve në bibliotekën time: disa prej tyre të blera dy-tre herë, pse i pata humbur më parë, nga Italia në Shqipëri, pastaj në Itali sërish dhe më pas në anën tjetër të Atlantikut.

Asgjë nuk kish ndryshuar; titujt të njëjtë dhe paragrafët të renditur njëlloj – por vetëm muzika në sfond kish marrë një tonalitet funebër.

Dhe këtu njeriu nis të pyesë se çfarë do të thotë vdekja e një intelektuali publik, filozofi dhe shkrimtari si Eco-ja, për dikë që e ka njohur veç për së largu, nëpërmjet dijes që ai ka sjellë në botë; ose si intentio auctoris.

Sikurse vazhdon të pyesë, pas pak, se çfarë do të thotë që një intelektual publik, filozof dhe shkrimtar i admiruar është ende gjallë.

Për figura të tilla, që shkruajnë dhe mishërojnë historinë intelektuale të shekullit, të jesh gjallë është shumë më vështirë se të kesh vdekur.

Eco-n disa e njohin si autorin e Il nome della rosa, të tjerë për ndërhyrjet e panumërta në shtyp; ca të tjerë si historian erudit të estetikës mesjetare; të tjerë akoma si semiolog dhe si teoricien letrar; me siguri do të ketë edhe ndonjë që ta njohë si pamfletist, mjeshtër të lodrave gjuhësore, parodist dhe hokatar.

Arritja më heroike, e një intelektuali kaq poliedrik, është ndoshta aftësia për t’i bërë ballë, sa është akoma gjallë, peshës së papërballueshme të veprës që ka krijuar tashmë; dhe jo vetëm t’i bëjë ballë, por edhe të mos e lërë veten të skllavërohet prej saj dhe të jetë në gjendje të na befasojë sërish.

Si babai në përkufizimin e famshëm prej Lacan-it, Eco-ja arrinte të na habiste (épater) me fjalën e tij rishtas; duke mbetur deri në fund autoritar por jo autoritet; magnetik por jo robërues.

Në një bisedë të paradokohshme, pat folur për “mallkimin” e romanit të tij të parë, best-seller-it Il nome della rosa, i cili e bëri të njohur anembanë botës dhe më pas iu shndërrua në shenjë dalluese; si një farë kostumi i Arlecchino-s.

Haraç i pamerituar, që Eco-s iu desh të paguante, për famën e merituar edhe pse kushedi të padëshiruar.

Ngaqë kam jetuar gjatë në Itali, e kam përjetuar drejtpërdrejt rolin që luan një intelektual publik si ai, në jetën kulturore të një shoqërie moderne komplekse; madje edhe në Itali, ku kulturës i matet mosha me mijëvjeçarë.

Më pas, e kam krahasuar këtë me ndikimin dhe pushtetin e Eco-s jashtë Italisë, ose për së largu. Dy mësues thelbësisht të ndryshëm në dy role të ndryshme, edhe pse gjithnjë kam parapëlqyer ta konsideroj Eco-n si të krahut tim dhe të lagjes sime. Tek e fundit, mua ai më mësoi të lexoj!

Prandaj u jam kthyer e rikthyer veprave të tij, por edhe kam pritur që të dalë vepra e re e radhës, me përgjigje për pyetjet e veprave të mëparshme; dhe me pyetje të reja.

Dhe kështu do t’i përgjigjesha pyetjes pak më lart, në lidhje me kuptimin që merr, për ne që nuk e patëm njohur kurrë profesorin personalisht, vdekja e tij: në vend që tani të pyesim ç’mendon ai për këtë apo atë çështje, dilemë, paradoks, gjëzë, enigmë, sfidë të mendimit a të etikës, do të vrasim mendjen të gjejmë se ç’do të kish menduar.

Kalim nga dëftorja në kushtore – kështu do t’ia përkufizoja vdekjen, edhe pse kjo nuk ma lehtëson gjë pikëllimin për humbjen. Tek e fundit edhe Eco-ja vetë, me Wittgenstein-in, do të kish thënë, në këtë rast, se për çfarë nuk mundemi të flasim, atëherë bëjmë mirë të heshtim.

 

Ardian Vehbiu – Peizazhe të Fjalës

Ardian Vehbiu February 21, 2016 07:24
Komento

5 Komente

  1. SH.KOLONJA February 21, 10:16

    Respekt per autorin e ketij shkrimi qe respekton vepren e e nje prej me te medhenjve te letrave pas luftes se dyte boterore bjo vetem per Italine por per mbare kulturen Boterore!
    Do te evidentoja nje ‘episod’ :Ceremonija e funerali do behet sipas riteve LAIKE’ ne Italine e ‘krishtere’ ku ndodhet edhe shteti i Vatikanit thjesht per kujtese alabakerise se politikes se Bathores por edhe te ashtuquajtur informacion se mos shkojne me gjithe grate e luten per TE para prifterinjve qe u heqin ushkuret e imameve qe u ngrejne 25 vjet bythen perpjete sepse nuk dine te dallojne shtetin nga feja aqe me teper kur shteti nuk egzioston e fajala LAIKE eshte zevendesuar biznes.

    Reply to this comment
  2. Aleks February 21, 12:35

    I ben nder Ardian Vehbiut shkrimi per profesor Ekon, kete njeri te madh qe i dha shume njerezimit qe ky te afrohej me shume me NJERIUN. Ka edhe te tjere qe kane ber vepra te medha, ndonjeri edhe mund te krahasohet me profesor Ekon, mirepo autoriteti i tyre nuk ngjit. Nuk ngjit, nuk bind, se keta te dytet i ndan prej profesor Ekos morali. Fjala vjene, profesor Qosja te bind “sepse ia beson zerin”, kurse Kadareja nuk te bind se ska ze, zeri i tij cirret per veten.
    Respekte autorit te shkrimit.

    Reply to this comment
  3. Ligor Luarasi February 21, 13:35

    EDHE SHQIPERIA KA UMBERTO EKOT E SAJ.
    ^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^
    Umberto Eko sa kuptojme ne lexuesit me keto shkrime te pakta,gjithe kete lavderim e ka krejt te merituar,te faktuar,ndryshe merita etij nuk arinte kete vleresim nga gjithe ata lexonjes te shkrimeve te tij.
    Ajo qe. drejtusat e shqiperise te re,eshte analiza e thelle qe duhet bere per faktin,si jane trajtuar mesuesit ne shqiperi gjate 103 viteve shtet.
    Dy jane themelite e nje shteti thote Hygo: nena dhe mesuesit.Te dy keto themele i kemi prej ” rere,kur ato duhet te jene prej shkembi granit.”
    Te dy keto themeli ndertojne brezin e ri te atdheut.C’mund te rite ne placente nje nene qe s’ka te haje, c’mund te studioje dhe te edukoje nje mesues i pa vleresuar? i pa pregatitur gjate gjithe rruges se tij arsimore?sa cilesor eshte nje mesues qe ble diplomen e tij, sepse edhe politikanet qe na drejtojne blejne dioplomat, i marin pa merita ne politike, dhe jane pa aftesira drejtuse.Nuk studiojne per politike dhe pounojne ne politike.
    Umberto Eko-ja ishte vertet mesues,meritoi emrin mesues,nuk di si e sa e vleresuan.
    Por di mesuesit e mi,te pa vleresuar,p.sh. Merpoi Maliqi, Maliqarka nje yll i arsimit ne Korce,mbylli jeten me pa vleresim.Sa mesues te tille kane mbyllur jeten te pa vlersuar. Shikoni bustin e Petro Ninit Luarasit ne fshatin e tij,braktisur,rethuar nga plera,o objekte te renuara,me nje shkolle pa dritare dhe xhama,pa mesues dhe pa nxenesa te gjallerojne jeten e gjithe fshatrave per reth, te patriotit Petro Nini Luarasit.
    Katraurat ne arsim,ndodhin ngqe mesuesit nuk vleresohen me roge serioze.Kjo roge i detyron ti sherbejne arsimit me perkushtim.

    Reply to this comment
  4. Korcari. February 22, 00:40

    TEACHING is the greatest of all the ARTS.

    Te dhenit mesim , eshte arti me madheshtor i te gjitha arteve.

    Kjo sentence qarteson sa mjeshteri kerkohet kur behesh mesues, Umberto Eko, ishte pikerisht mesues i tille.

    Reply to this comment
  5. Moza February 22, 15:04

    Per komentuesit:
    Ne komentet e mesiperme per shkrimin vihet re mungesa e kultures per figuren e madhe te Umberto Ecos.Ai nuk eshte mesues i nxenesve,por i njerezve me te ditur kudo ne bote me veprat e tij te shumta estetike, filozofike,semantike etj.Mesues i popujve per vlerat njerezore kunder antivlerave.Studjuesi Ardian Vehbiu e ka shkruar bukur.Edhe une ndjeva trishtim per ikjen e tij nga jeta.Kujtimi i tij eshte vepra e pavdekshme e perkthyer ne shqip nje pjese

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*