Vdekja imagjinare e Nexhmije Hoxhës

December 21, 2017 08:59

Vdekja imagjinare e Nexhmije Hoxhës

Xhevdet Shehu

Dje në mesditë u përhap në disa portale një lajm i bujshëm: Vdiq në moshën 96-vjeçare gruaja e Enver Hoxhës! Më tej një biografi e shkurtër që u fshi shumë shpejt, pasi ishte një lajm i rremë. Teuta Hoxha e përgënjeshtroi lajmin, duke thënë se Nexhmije Hoxha është shëndoshë e mirë dhe vazhdon të shkruajë kujtime. Pas ndonjë muaji e ca, më 8 shkurt 2018, Nexhmije Hoxha mbush 97 vjeç.

Me sa kam dijeni, është e dyta herë që bëhet një lojë e tillë me njoftimin për vdekjen e Nexhmijes. Duke qenë gruaja e Enver Hoxhës, ajo ngjall kërshëri dhe përbën lajm sa herë shfaqet në faqet e gazetave, ndonëse rrallë e më rrallë. Unë jam ndër të rrallët gazetarë që jam takuar dhe kam biseduar me të në mesin e muajit shtator të këtij viti. Kam edhe fotografi me këtë grua, dhe i kam bërë fotografi në shtëpinë e saj, një prej të cilave po e botojmë sot.

Në moshën e saj, kam përshtypjen se Nexhmije Hoxhës nuk i bën përshtypje vdekja. Ka jetuar gjatë, ka parë shumë dhe nuk befasohet as me lajmet që jepen paraprakisht nga disa portale për vdekjen e saj. E ka thënë edhe vetë në një intervistë të para do kohëve në TV se i ka munguar gjatë Enverit të saj të shtrenjtë…

Nuk kam komunikuar me të për këtë çështje, por mendoj se ajo zbavitet kur dëgjon lajme të tilla. Madje mund të ketë kuriozitetin se çfarë do të shkruajnë për të pas vdekjes së saj. Andon Zako Çajupi na ka dhënë një simbolikë të fuqishme këtu e rreth një shekull më parë kur shkroi komedinë “Pas vdekjes” kur një botues privat bënte gati nekrologjitë e atyre që kishin radhën të vdisnin, ndërkohë që ata ishin shëndoshë e mirë. Gjithsesi, ata nxitonin, madje paguanin edhe para të merrnin vesh se çfarë do të shkruhej për ta pas vdekjes… Një biznes i pastër. Në këtë aspekt, Nexhmije Hoxha duket se është me fat, pasi ia dërgojnë falas njoftimet, sikur të jenë të porositura.

Këtë fat e ka pasur shkrimtari i madh Ernest Heminguej, i cili për dy javë u konsiderua i zhdukur pas një aksidenti ajror në Afrikë dhe për vdekjen e tij shkruan gazetat më të mëdha të kohës. Hemingueji shpëtoi mrekullisht nga ai aksident dhe gajasej me ato që lexonte nëpër gazeta.

Por le të kthehemi në terrenin shqiptar. Për herë të parë po tregoj një histori të ngjashme më këtë të “vdekjes” së Nexhmijes apo Ernest Heminuejit. Para 12 vitesh, ndërsa punoja në gazetën ‘Albanian Daily News”, çuditërisht më vjen një email nga gazeta ‘The Guardian” e Londrës. Ishte një nekrologji. Më kërkonin të vërtetoja saktësinë e shkrimit. Shkrimi nga gazeta e mësipërme fillonte me këto fjalë: “Sot u nda nga jeta ish-Presidenti i Shqipërisë, Ramiz Alia, pasardhës i Enver Hoxhës…” Më tej vazhdonte një biografi e gjatë e ish-udhëheqësit komunist. I ktheva përgjigje gazetës duke u thënë se i gjithë shkrimi ishte tejet korrekt, me përjashtim të fjalisë së parë, pasi Ramiz Alia është shëndosh e mirë dhe nuk ka vdekur…

Ata më shkruan menjëherë, dukë më sqaruar se: E dimë këtë fakt, por ne e kemi në praktikën e punës që për njerëzit e shquar, e bëjmë lajmin gati shumë kohë para se ata të ndahen nga jeta…

Sepse ai është fundi i pashmangshëm nga i cili nuk bën askush përjashtim!

E veçanta është se në lajmin e përhapur dje, nuk kishte as profesionalizëm, as moral.

December 21, 2017 08:59
Komento

3 Komente

  1. Shqiptari December 21, 12:10

    Nexhmije Hoxha nuk vdes si per te vertetuar ate shprehjen shkodrane “Nuk ha mortja MUT”

    Reply to this comment
    • Granit Boni December 21, 21:53

      @Shqiptari.
      Vetem shqiptar nuk je ti mor kopil e bir kopili. Se nuk ka shqiptar qe gezohet per vdekjen e nje tjetri. Te gjithe do ikim nga kjo bote o vemje por ka nje gje qe na dallon. Vula qe jeme pas ne rrugetimin tone. Kjo grua dinjitoze e ka lene gjurmen e saj per mbi 50 vjet. Kurse ti fossil di te fshihesh mbas nickname si morr i fishkur dhe te thuash idiotesine e rradhes.

      Reply to this comment
    • Xxx December 22, 00:42

      Ose ate tjetren: ” Sa here e beni te vdekur aq me sh ja zgjatni jeten” qe te talle trapin me ju

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*