Vdes në spital biznesmeni Çela, hetohet dhe eleminimi nga rivalët

Artur Qoraj January 25, 2014 11:10

Vdes në spital biznesmeni Çela, hetohet dhe eleminimi nga rivalët

Ndërron jetë 27 orë pas ngjarjes në reanimacionin e Spitalit Amerikan të Tiranës, biznesmeni i ndërtimeve Xhemal Çela, 48-vjeç, i plagosur rëndë në atentatin me bombë të telekomanduar, ngjarje e ndodhur në segmentin Ura e Dajlanit-Plepa në Durrës. Megjithë përpjekjet e mjekëve për ta mbajtur në jetë, plagët e shumta, dëmtimet e rënda nga mesi i trupit dhe poshtë, si dhe hemorragjia pas ngjarjes, kanë qenë shkaqet që babai i katër fëmijëve të humbte jetën në mënyrën më tragjike dhe ne një krim mafioz në mes të rrugës. Ngjarja nuk njeh ende autorë, që dyshohet se janë një grup kriminal profesionistësh që njeh shumë mirë lëndët plasëse dhe që mund të jetë e njëjta dorë me atentatet seri të kohëve të fundit në vend. Atentati i djeshëm ishte i 22-i në katër muaj e gjysmë ndaj personave publikë dhe jo publikë. Kurse për ngjarjen e të enjtes, janë shoqëruar 25 persona, por nuk ka asnjë të arrestuar. Dyshohet se biznesmeni mund të jetë sulmuar për ta shmangur nga aktiviteti i suksesshëm i ndërtimeve në zonën bregdetare të Durrësit, por po verifikohen edhe pista të tjera. Për ngjarjen reaguan dje edhe kryeministri Edi Rama dhe kryepolici Artan Didi. Ky i fundit pranoi problematikën e shpërthimeve me tritol dhe të telekomanduara, duke vënë në dukje se do ketë kontrolle dhe hetime të rrepta ndaj kartave telefonike dhe lëndëve plasëse.

Shuhet biznesmeni

Policia lokale konfirmoi pasditen e djeshme, se Xhemal Çela, 48 vjeç, humbi jetën rreth orës 13:00, pasi më parë kishte kaluar në një gjendje koma. Ai kishte dëmtime të rënda nga shpërthimi i një sasie të konsiderueshme tritoli, mbi 200 gramë, i vendosur poshtë sediljes së shoferit dhe i telekomanduar me celular. Pas shpërthimit, biznesmeni ka dalë vetë nga makina dhe më pas u ndihmuar, teksa ka humbur njërën këmbë, i është dëmtuar rëndë tjetra, indet e fundshpinës dhe trauma e pësuar më tej nga djegiet dhe humbja e gjakut. Çela udhëtonte në drejtim te zonës së Plazhit Iliria, në lagjen nr. 13, ku edhe kishte disa kulla ndërtimi, aktivitetin privat dhe madje ku banonte me familjen. Po udhëtonte me mjetin e tij “Citroen”, me targa AA759EJ, i cili u dëmtua dhe shkrumbua plotësisht. Ekspertët thonë se nëse mjeti do të ishte më i rëndë dhe i madh, ndoshta biznesmeni mund të kishte marrë më pak dëmtime serioze. Ngjarja hetohet si “vrasje me paramendim, në bashkëpunim” dhe “mbajtje pa leje e lëndëve shpërthyese”. Policia tha se po heton të gjitha konfliktet, ka pyetur familjarët, po shqyrton aktivitetin e kohëve të fundit, lejet e fituara, gjendjen financiare dhe borxhet e mundshme. Por mësohet se Çela ka qenë shumë i rregullt në investimet e tij dhe jo problematik apo me konflikte. Më shumë dyshohet për një heqje qafe nga biznesi që bënte, për t’i hapur rrugë dikujt tjetër.

Deklarata e Didit

Shitja e kartave të telefonave pa procedurat e nevojshme është cilësuar si një nga problemet që duhet hetuar në lidhje me shpërthimet me tritol të ditëve të fundit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi theksoi se shpërthimet e fundit po hetohen në disa pista. Sipas Didit përsa i përket sigurisë, situata është normale. Gjatë një takimi me Avokatin e Popullit Igli Totozani, Didi theksoi se ka nevojë për përmirësime ligjore dhe se shitja e kartave të telefonit pa kontroll mbetet problem, ndërsa do shtohen kontrollet për këtë problem dhe për lëndët plasëse. Gazeta DITA publikoi dje një raport-analizë për 22 atentate me eksploziv të ndodhura nga 8 shtatori dhe deri ditën e mërkurë. “Ka vërtet shqetësime dhe një fenomen që po bëhet i shpeshtë është përdorimi i lëndëve eksplozive. Ka pista të ndryshme dhe ne po hetojmë. Një nga këto është problemi i shitjes së kartave nga kompanitë e telefonisë celulare. Ka nevojë për përmirësim në kohë që kompanitë celulare nuk i përgjigjen kërkesave të policisë për të përparuar në hetime lejon që kartat e tyre të shiten pa kriter. Nuk bëhet fjalë për trafik të lëndëve eksplozive sepse ne lëndët eksplozive i kemi këtu që nga 1997. Bizneset që kryejnë punime në rrugë apo veprimtari minerare përdorin eksploziv. Situata e kontrollit nuk është në masën e duhur. Një nga masat që do marrim është ta vendosim këtë kontroll nën masat e policisë”, u shpreh Didi.

***

Atentat me C4 biznesmenit të ndërtimeve, dyshohet konkurrenca

Atentatet me tritol tronditin edhe qytetin e Durrësit. Një biznesmen i njohur ndërtimi po lufton me vdekjen në Spitalin Ushtarak të Tiranës, pasi persona ende të panjohur i vendosën poshtë makinës së tij një sasi eksplozivi C4 dhe e hodhën në erë me telekomandë. Ngjarja ndodhi rreth orës 10:25 të mëngjesit të djeshëm, në segmentin Plepa-Ura e Dajlanit, te vendi i njohur si “Plazhi Iliria” e lagjes Nr. 13, pak metra nga vilat qeveritare. I plagosur rëndë u nxor nga vetura e tij “Citroen” me targa AA759EY, biznesmeni 45 vjeçar Xhemal Çela, banues në Durrës. Shpërthimi ka shkaktuar edhe djegien e plotë të mjetit, ndërsa dëshmitarët i dhanë ndihmën e parë duke e nxjerrë nga makina dhe dërguar në spitalin rajonal fillimisht e më tej për mjekim të specializuar në kryeqytet. Mjekët thanë se biznesmeni ka plagë serioze, me humbje të gjymtyrës së njërës këmbë, dëmtime të tjetrës, në trup, inde dhe pjesë të tjera. Ai ka kaluar edhe në gjendjen e komës dhe po bëhet gjithçka për ta mbajtur në jetë. Kurse policia nisi hetimet e menjëhershme dhe pista kryesore është atentati për shkak të biznesit, një konkurrencë, pasi Çela ishte mjaft i njohur në qytet si ndërtues i suksesshëm. Por një tjetër pistë janë edhe borxhet e mundshme të biznesit, që po verifikohen. Policia tha se babai i katër fëmijëve nuk kishte asnjë precedent penal apo të kishte qenë më parë i dyshuar, ndaj edhe ngjarja për zbardhje bëhet më e vështirë.

Ngjarja

Biznesmeni ka qenë duke udhëtuar nga Ura e Dajlanit në drejtim të Plepave. Shpërthimi i fuqishëm që është parë nga shumë kalimtarë dhe udhëtarë, hodhi në erë makinën në lëvizje dhe e mbuloi atë nga tymi e flakët. Mjeti devijoi për një çast dhe doli mbi trotuar, duke ndaluar. Shpejtësia nuk ka qenë e madhe. Pavarësisht frikës se mund të ndodhte tjetër shpërthim, dëshmitarët janë afruar për ta ndihmuar dhe vetë Çela është përpjekur të dalë për t’i shpëtuar flakëve. Në momentin e parë nuk dalloheshin dëmtime të rënda për jetën, por sipas mjekëve, forca e shpërthimit i ka shkaktuar plagë serioze nga mesi i trupit dhe poshtë. Mjekët e Durrësit rekomanduan dërgimin drejt Tiranës dhe në mesditë u bë futja në sallën e operacionit të Spitalit Ushtarak të Tiranës. Për shkak të ngjarjes qarkullimi është bllokuar për më shumë se një orë.

 

Hetimet

Fillimisht në vendngjarje shkuan patrullat dhe Zjarrfikësit që shuan flakët. Më pas ekspertët e Krimeve të Rënda dhe Njësia Antieksploziv. Mësohet se nuk u gjetën gjurmë celulari, ndaj u mendua edhe për një shpërthim të baterisë në lëvizje ose shkëndijë elektrike. Por sipas dëshmitarëve dhe disa gjurmëve të tjera, bëhet fjalë për eksploziv plastik. Dyshohet se ka qenë një sasi me të paktën 200 gramë C4 i telekomanduar dhe i vendosur poshtë sediles, në pjesën që lidhet me shasinë. Kjo e vërtetuar edhe nga vatra e shpërthimit e zbuluar nga ekspertët. Mësohet se autorët kanë qenë në ndjekje të biznesmenit prej orëve të mëngjesit dhe në momentin e shpërthimit e kanë telekomanduar nga distancë e afërt, duke e parë ngjarjen. Por ajo që vështirëson hetimet, pavarësisht se ka pasur të paktën 20 të shoqëruar deri në mbrëmje, është fakti se Çelës nuk i gjendet asnjë konflikt i hapur serioz që të shkonte deri në këtë lloj atentati hakmarrës. Pista kryesore mbetet konkurrenca në biznesin e ndërtimeve në rrethin e Durrësit, tepër të lakmuar nga investitorët. Por nën hetim edhe ndonjë borxh i mundshëm biznesi, por kjo mbetet të verifikohet. Në pyetje u morën familjarë dhe të afërm, ndërsa mësohet se Çela gëzon reputacion të mirë në qytet dhe sipas policisë, nuk ka precedentë penalë apo të ketë qenë problematik. Ai ka ngritur disa kulla në të gjithë Durrësin, me një aktivitet më tepër se 10 vite.

 

Artur Qoraj January 25, 2014 11:10
Komento

5 Komente

  1. Likja January 24, 15:00

    Ngushellime familjes, mallkim atyre qe inskenuan dhe realizuan kete krim

    Reply to this comment
  2. Toni i Madhe... January 24, 18:47

    Krimet nuk kane fund ne SHqiperine tone……. Popull kriminel……..

    Zoti i dhente forcè Familjes per ket dhimbje.

    Reply to this comment
  3. Arben January 25, 11:26

    NORMALE QE KESHTU DO TE NDODHE, ESHTE FUTUR NE MODE BIZNESI I BOMBAVE NE MAKINE, EDHE E GJITHE KJO SEPSE POLICIA MERRET ME HAJDUTAT E PULAVE, SA PER TE JUSTIFIKUAR PUNEN, E NGA KETA KRIMINELE MERR PERQINDJE MBI TE ARDHURAT E TYRE.

    KJO ESHTE E VERTETA E HIDHUR

    Reply to this comment
  4. sazan January 25, 14:36

    Sali shkerdhatokracia prodhoi demokratikas shkerdhata me shumice. Shpirt kalburi

    Reply to this comment
  5. Tefta January 25, 19:48

    Ngushellime familjes dhe te afermeve te te ndjerit bizesmen, Xhemal Çela! Ndjej dhembje e trishtim per kete akt kriminal, qe i mori jeten te ndjerit Çela ne moshen me te bukur, kur po i jepte e do t’i jepte akoma me shume biznnesit shqiptar.
    Ky akt kriminal, ashtu si dhe aktet e tjera kriminale, kane te bejne jo vetem me shpalosjen e nje konkurence qe shoqerohet me krimin, por dhe me nje bande banditeske te organizuar e keqdashese ndaj progresit te Shqiperise e te shqiptareve. Tefta

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*