Veliaj: 1500 paketa ushqimore dhe dhurata për fëmijët në nevojë

December 16, 2015 19:32

Veliaj: 1500 paketa ushqimore dhe dhurata për fëmijët në nevojë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mori pjesë në mbledhjen e parë për konstituimin e Këshillit Rinor të qytetit, i cili ka në përbërje e tij 70 përfaqësues nga gjimnazet, fakultetet dhe organizatat rinore. Në fjalën e mbajtur në mbledhjen me të rinjtë e qytetit, kryebashkiaku Veliaj u shpreh se Këshilli Rinor do të konsultojë çështje të caktuara që kanë lidhje me rininë, para se ato të bëhen pjesë e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak të Tiranës.

“Në 3 vitet e gjysmë që kemi përpara do të kemi mundësi të takohemi për të diskutuar dhe për të nxjerrë një produkt konkret për rininë e Tiranës. Ka disa arsye pse e them këtë: Së pari, sepse jemi një nga kryeqytetet me moshën më të re në Evropë. Sikur të kishim më shumë organizim rinor, për të kuptuar që fuqia e 1 milion bashkëmoshatarëve është më e madhe se fuqia e çfarëdo lloj partie ose lëvizje politike, ne do kishim ndryshime rrënjësore në vendin tonë”, u shpreh Veliaj. Sipas tij, edhe pse bashkia nuk ka në kompetenca arsimin universitar, në këtë këshill ka përfaqësues nga të dyja nivelet e arsimit.

Në kushtet kur 89 shkolla bëjnë mësim me dy turne, kryetari i Bashkisë së Tiranës bëri të ditur se për të rregulluar situatën shkollat e reja do të ndërtohen sipas partneritetit publik-privat.

“Këtë muaj po flasim për solidaritetin. Solidariteti nuk mund të jetë monopol i bashkisë. Me gjithë dëshirën e saj të mirë, bashkia nuk mund të jetë në çdo shtëpi fëmije, në çdo qendër sociale, në çdo të moshuar, në çdo azil, pavarësisht se detyra e bashkisë është t’i menaxhojë gjatë gjithë vitit këto institucione. Ne na duhen grupe të rinj që i vizitojnë qendrat sociale, grupe vullnetarësh që shërbejnë 2 orë në ditë supë apo gjellë në mencat sociale, etj.”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Ai ftoi të rinjtë që t’i bashkohen nismave të Bashkisë së Tiranës për t’i dhënë ndihmë fëmijëve në nevojë. “Ne kemi një nismë për të dhuruar 1500 paketa ushqimore dhe dhurata për fëmijët jetim, për ata me ndihmë ekonomike, për komunitetin rom dhe aty ku shohim se ka nevojë”, tha Veliaj. Më tej, kryebashkiaku i Tiranës ftoi të rinjtë që bëhen pjesë e kauzës për të mbajtur qytetin pastër. “Në qytetin e Tiranës secili prej nesh do jetonte dy vjet më pak seç do jetonte në një qytet tjetër. S’ka pse të jetë kështu! Në qoftë se në 1 ditë pa makina ndotja bie ndjeshëm nën nivelin e BE-së, do të thotë se këto janë vendime që ne i paskemi vetë në dorë. Duhet të marrim disa masa për të inkurajuar jetën e shëndetshme, ata që përdorin biçikleta, ata që ecin në këmbë, sidomos kur distancat janë të vogla”, përfundoi Veliaj.

December 16, 2015 19:32
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim