Veliaj dëgjesë me banorët e Kinostudios: Po projektojmë Tiranën e gjeneratës tjetër

July 18, 2016 21:16

Veliaj dëgjesë me banorët e Kinostudios: Po projektojmë Tiranën e gjeneratës tjetër

Gjatë një bashkëbisedimi me banorë të njësisë 4 në Tiranë, kryebashkiaku Erion Veliaj, theksoi rëndësinë e Planit të Përgjithshëm Vendor për të gjithë qytetin, por në mënyrë të veçantë për Kinostudion, e cila pritet të jetë një nga 7 qendrat e ardhshme të Tiranës policentrike. Veliaj përmendi një sërë investimesh të bëra deri tani nga bashkia, si dhe theksoi se këto kanë qenë ndërhyrje të domosdoshme në vitin e parë të punës.

“Plani që prezantojmë sot merr vendime afatgjata dhe më vjen mirë që përkon me periudhën një vit pas betimit, në datën 30 korrik, kur thamë se do ta çojmë Tiranën në drejtimin e duhur. Sigurisht, Tirana sot është 30% më e ndriçuar, ka 40% më shumë puseta. Por, në vitin tonë të dytë nuk do të merremi veç me pusetat dhe ndriçimin, sepse këto janë pjesë e punëve të përditshme që s’duhet të ndalojë kurrë, por me investime afatgjata. Tirana duhet të mendojë për gjeneratën e ardhshme”, theksoi Veliaj.

Sipas tij, Plani i Përgjithshëm Vendor, i cili e kthen Kinostudion në një nga shtatë qendrat e reja të Tiranës, është një vendim për të ardhmen sepse në bazë të tij do të përcaktohen edhe investimet në çdo zonë.

“Pasi të miratojmë planin e ri, Kinostudio, Kombinati, Lapraka dhe qendrat e tjera do të trajtohen me statusin e një qendre të një qyteti policentrik; që do të thotë se edhe investimet do të ndahen sipas këtij plani”, tha ai. Kryebashkiaku pohoi se Kinostudio mund të kthehet lehtësisht në një qendër të tillë, për sa kohë aty janë zhvendosur disa institucione të rëndësishme, si ministri, televizone apo edhe afërsia me qendrën spitalore.

Veliaj solli në vëmendje se përtej Unazës së Madhe të Tiranës, Plani i Përgjithshëm Vendor parashikon edhe krijimin e pyllit orbital, pra planit që në 15 vitet e ardhshme të mbillen 2 milionë pemë në Tiranë. Një tjetër propozim, pjesë e Planit, janë 5 unazat në kryeqytet për të krijuar kështu mundësi lëvizje jo vetëm për makinat, por edhe për njerëzit.

July 18, 2016 21:16
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*