Veliaj dhe Fleckenstein përurojnë qendrën sociale te Bregu i Lumit, përfitojnë 170 familje në nevojë

April 6, 2018 12:33

Veliaj dhe Fleckenstein përurojnë qendrën sociale te Bregu i Lumit, përfitojnë 170 familje në nevojë

 

Tiranës i shtohet edhe një qendër e re komunitare, për t’i ardhur në ndihmë familjeve në nevojë në njësitë administrative 4 dhe 8, por njëkohësisht edhe si mjedis për zhvillimin e aktiviteteve që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës së komunitetit.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe anëtari i Parlamentit Evropian, Knut Fleckenstein, përuruan dje pasdite Qendrën Komunitare Multifunksionale të sapohapur pranë Bregut të Lumit, ku 170 familje në nevojë dhe 300 fëmijë të moshës 4 deri 15 vjeç përfitojnë shërbime sociale. Qendra Komunitare Multifunksionale ishte objekti i tretë që u ndërtua nga Bashkia e Tiranës në këtë zonë, me mbështetjen e BE-së, pas ndërtimit të shkollës “Ardian Klosi” dhe një kopshti.

Kryebashkiaku Veliaj tha se kjo qendër synon nxitjen e zhvillimit të fëmijëve dhe të rinjve përmes edukimit, argëtimit, aftësimit profesional. Ai falenderoi institucionet europiane për bashkëpunimin dhe kontributin e rëndësishëm për qytetin e Tiranës. “Ata që kanë bërë diçka të mirë për ne janë miqtë e BE-së, KE-së dhe Parlamentit Europian sepse duke na dhënë këtë qendrën këtu, na kanë dhënë një mjedis fantastik për fëmijët, ku mund të bëjmë kurse, të mësojmë, të ushqehemi dhe të bëjmë detyrat e shtëpisë. Unë besoj se një qytet me kaq shumë probleme, vlerësojmë jo ata që ankohen dhe thonë: ‘Shiko sa probleme ka’, por ata që thonë: ‘Po, ka probleme, por ne do t’ju ndihmojmë’”, tha Veliaj.

Anëtari i Parlamentit Evropian, Knut Fleckenstein, u shpreh se kjo qendër do të jetë një mjedis për të rinjtë dhe njerëzit në nevojë. “Jam shumë i lumtur që më ftuat këtu dhe jam shumë i lumtur që Bashkimi Europian dha disa para që ju mund t’i përdorni sepse jo gjithmonë politikanët japin para. Së dyti, do të doja t’u them pse po e bëjmë një gjë të tillë, pse kryebashkiaku po e bën një gjë të tillë, pse Bashkimi Europian po e bën një gjë të tillë: Ne duam t’ju ndihmojmë që të bëheni të fuqishëm dhe të mençur. Dua që të më premtoni që kur ju të rriteni, të bëheni më të fuqishëm, të jeni ju ata që do të kontribuoni në këtë vend që të bëhet më i mirë”, iu drejtua Fleckenstein fëmijëve.

Ndërkaq, Veliaj theksoi rëndësinë pse fëmijët në situatë rruge duhet të jenë pjesë e qendrave të tilla dhe u bëri thirrje qytetarëve që të njoftojnë autoritetet nëse shohin një fëmijë në rrugë. “E kemi shumë të nevojshme që në qoftë se ka fëmijë të tjerë në situatë rruge t’i ftojmë këtu. Nuk është detyra e një fëmijë që të shkojë në rrugë dhe të lypë. Ndaj nëse dini fëmijë të tjerë, që prindërit i detyrojnë të dalin në rrugë, na njoftoni që t’i sjellim të gjithë këtu dhe ashtu siç po kalojmë bukur këtu, edhe ata të kenë të njëjtin shans për të ecur përpara në jetë. Sa më shumë të mësojmë tani dhe të kapim kohën e humbur, aq më të mirë do bëhemi nesër”, nënvizoi ai.

Kjo qendër komunitare, përveç edukimit të të rinjve, një vëmendje të rëndësishme do t’i kushtojë edhe fuqizimit të të moshuarve dhe targetgrupeve të tjerë në mënyrë që të sigurohet pjesëmarrja e tyre në zhvillimin e komunitetit. Përmes programeve specifike të asistencës, orientimit e sigurimit të shërbimeve përkatëse, synohet gjithashtu gjithëpërfshirja dhe integrimi i Personave me Aftësi të Kufizuar si pjesë e komunitetit.

Veliaj kërkoi një kujdes të shtuar ndaj moshës së tretë dhe më shumë solidaritet nga i gjithë komuniteti për njerëzit në nevojë. Qendra e re multifunksionale është rezultat i projektit “Ndërtimi i Infrastrukturës Sociale, Edukimore dhe Transportit për komunitetet lokale”, financuar nga fondet e BE IPA. Ajo do të jetë e hapur çdo ditë të javës, nga e Hëna në të Premte, 8:00 – 20:00, dhe në fundjavë nga 10.00-17.00.

l.h/ dita 

April 6, 2018 12:33
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim