Veliaj: Institucionet publike të punësojnë persona me aftësi të kufizuar

October 31, 2013 15:02

Veliaj: Institucionet publike të punësojnë persona me aftësi të kufizuar

Shqipëria e Gjeneratës tjetër është një Shqipëri më solidare, prandaj punësimi dhe aksesi i personave me aftësi të kufizuara në institucionet publike janë prioritet i punës sonë. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve publike që të punësojnë njerëz me aftësi të kufizuara, në zbatim edhe të ligjit. “Është e vetmja mënyrë se si mund të integrohemi dhe të jemi një shoqëri më solidare”, ka deklaruar ai.

Gjatë vizitës së tij në Punishten e Prodhimit të Karrigeve me Rrota në Vorë, i shoqëruar edhe nga zëvendësministrja e MSR-së, znj. Bardhylka Kospiri, Ministri Veliaj gjeti rastin të falenderonte sipërmarrjet sociale si Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar, që kanë krijuar modele të tilla, ku jo vetëm prodhohen karrige për njerëzit në nevojë, por edhe punësohen persona me aftësi të kufizuara. “Është e rëndësishme që teksa mendojmë si të formatojmë skemën e ndihmës ekonomike dhe të asistencës sociale për aftësinë e kufizuar, t’i kthejmë njerëzit nga përfitues të ndihmës në kontribues dhe taksapagues. Jam i lumtur që ky institucion është shembull i punësimit të njerëzve me aftësi të kufizuar”, u shpreh Veliaj.

Ai u bëri një apel të gjitha institucioneve private dhe publike që të zbatojnë kriterin e punësimit të njerëzve me aftësi të kufizuar.  Sipas ligjit aktual, çdo punonjës në 25 duhet të jetë me aftësi të kufizuar. “Është koha t’u bëjmë apel të gjitha bizneseve të suksesshme që të kthejnë kokën mbrapa dhe të mendojnë se si të financojnë organizata të tilla që bëjnë një shërbim të jashtëzakonshëm për vendin”, shtoi Ministri Veliaj.

Duke prekur një tjetër çështje të rëndësishme, Veliaj bëri thirrje që të gjitha institucionet publike e private të sigurojnë aksesin ndaj personave me aftësi të kufizuara duke ndërtuar rampa në ambientet hyrëse të ndërtesave. “Një ndërtim i cili nuk siguron aksesin për personat me aftësi të kufizuara nuk duhet lejuar. Dua t’u bëj thirrje autoriteteve të pushtetit vendor të cilat japin leje ndërtimi, që ndërtesat që tashmë ekzistojnë t’i bëjnë të përshtatshme për këto kategori. Për ato ndërtesa që janë në ndërtim e sipër, Inspektoriati i Punës do të fillojë një inspektim për të parë nëse ato janë të përshtatshme ose jo”, deklaroi Veliaj.

Ndërkaq, zëvendësministrja e MSR-së, znj. Kospiri u shpreh se “duhet që të angazhohemi më shumë për të plotësuar detyrimet ligjore, si dhe për të përmirësuar kuadrin ligjor në respektim të plotë të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara”.

Punishtja e Prodhimit të Karrigeve me Rrota në Vorë është investim i USAID dhe administrohet nga Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar. Aktualisht kjo punishte ka mbi 1400 kërkesa për prodhimin e karrigeve me rrota.

October 31, 2013 15:02
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*