Veliaj: Kënd lojërash për fëmijët në Komunën e Parisit

August 30, 2016 14:00

Veliaj: Kënd lojërash për fëmijët në Komunën e Parisit

Tiranës i shtohet një tjetër hapësirë kushtuar qytetarëve më të vegjël të saj, fëmijëve. Bashkia e Tiranës ka nisur zbatimin e projektit për ndërtimin e një këndi lojërash për fëmijë në “Komunën e Parisit”, i cili do të shërbejë edhe si një shesh pushimi për të moshuarit dhe banorët e zonës. Fillimin e punimeve e ndoqi edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se është i vendosur të krijojë kushte dhe mundësi të njëjta arsimimi dhe argëtimi për fëmijët në të gjitha lagjet e kryeqytetit.

Veliaj: Qyteti vërtet ka 1 milion banorë, por 250 mijë nga këta janë fëmijë dhe e gjithë ajo gurgule e këndit të lodrave te Liqeni prodhoi një mundësi fantastike, që jo vetëm të bënim mirë atë kënd lojërash, por të nisnim punën për kënde lojërash në 12 lagje të Tiranës.

Ai theksoi se përveç rikonstruksionit të çerdheve dhe kopshteve është detyrim për bashkinë që, në njësinë më të madhe administrative të Tiranës, të ndërtojë edhe një shesh të tillë që do të shërbejë në rradhë të parë për fëmijët.

Veliaj: Komuna e Parisit, njësia 5, është ndoshta qyteti i dytë më i madh në Shqipëri, pas Tiranës për nga popullsia. Ndaj nuk mjafton që kemi investuar kaq shumë në kopshte dhe çerdhe, por duhet që edhe hapësirat rekreative të jenë në të njëjtin nivel. Edhe në këtë rrugë kryesore do të fillojmë me këtë kënd lodrash, i cili do të jetë i gatshëm pas 6 ose 8 javësh.

Sipërfaqja totale e sheshit ku do të zbatohet projekti është rreth 800 m2, ku gjysma e sipërfaqes është e gjelbëruar dhe gjysma tjetër është dedikuar për krijimin e këndit të lojërave dhe pjesëve për kalim. Ai do të ketë zona Wi-Fi dhe stola për të moshuarit. Pas tre këndeve të inauguruara, këndi i nisur sot në Komunën e Parisit është këndi i shtatë i filluar nga bashkia, duke garantuar të njëjtën cilësi dhe standard. Shpejt vijojnë punimet në dy kënde të tjera në Kombinat dhe te Oxhaku, ndërsa brenda vitit Bashkia e Tiranës do të synojë të përfundojë 12 sheshe sportive dhe kënde lojërash për fëmijë.

August 30, 2016 14:00
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*