Veliaj ndjek në terren për operacionin e shuarjes së zjarrit në Ibë

July 23, 2017 14:39

Veliaj ndjek në terren për operacionin e shuarjes së zjarrit në Ibë

 

Falë angazhimit të shërbimit zjarrfikës, punonjësve të pushtetit vendor, Agjencisë së Parqeve, forcave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme, si dhe kontributit të banorëve dhe vullnetarëve, sot u bë i mundur izolimi i zjarrit masiv që përfshiu pasditen e djeshme pyjet e kodrat e Ibës, në afërsi të Tiranës.

Forcat që morën pjesë në operacion luftuan me flakët gjatë gjithë pasdites së djeshme dhe gjatë natës së sotme, duke vënë nën kontroll zjarrin, ndërsa janë ende në terren për të mbajtur situatën nën vëzhgim deri sa të largohet çdo rrezik tjetër.

Aksionin në terren e ndoqi sot edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili gjatë paradites u njoh me situatën dhe gjendjen e vatrave të zjarrit, falenderoi të gjithë ata që rrezikuan jetën e tyre për të bërë të mundur shuarjen e zjarrit në kushte të vështira. “Dua t’i falenderoj të gjithë me zemër, zjarrfikësit, Policinë Bashkiake, Agjencinë e Parqeve, Policinë e Shtetit, FNSH-në, Prefektin, emergjencat e bashkisë, administratorët dhe gjithë kolegët që u përfshinë në këtë përpjekje titanike. Kësaj here dolëm faqebardhë, por le të përgatitemi sepse vera s’ka mbaruar akoma, thatësira do të vazhdojë, problemet me ujin do të vazhdojnë, teksa ende presim të bjerë shi pas 150 ditësh thatësirë. Megjithatë, si çdo herë, kur Tirana bëhet bashkë, kur të gjithë bashkëpunojmë, ia dalim me sukses. Bravo dhe faleminderit të gjithëve”, tha ai.

Veliaj theksoi se falë përpjekjeve dhe bashkëpunimit të të gjitha forcave, u arrit që gjatë orëve të para të ditës së sotme zjarri të vihej në kontroll të plotë, ndërsa është bërë e mundur shmangia e rrezikut më të madh. “Jam shumë krenar sot për të gjithë kolegët që përballuan një situatë emergjence të paprecedentë. Më vjen mirë që kemi pasur 65 zjarrfikës në terren, të cilët e kanë gdhirë gjatë gjithë natës, për t’u siguruar që sot Tirana të zgjohet më e sigurt dhe e gjithë kjo zonë, e Krrabës, Petrelës, Ibës, Bërzhitës, të shpëtojë nga ndoshta një tragjedi nëse zjarri do të kishte avancuar në zonat e banuara”, theksoi kryebashkiaku.

Veliaj u shpreh se është e nevojshme që shembulli që dha komuniteti i zonës së Ibës të jetë shembull edhe për të gjitha zonat e tjera të Tiranës, për të sinjalizuar dhe bashkëpunuar në përballimin e emergjencave të tilla.

Ai u bëri thirrje banorëve që jetojnë në zonat përreth Tiranës që të bëjnë kujdes dhe të mos rrezikojnë pyjet nga zjarret, ndërsa kërkoi që të sinjalizojnë sa më parë çdo rast, pasi kështu mund të shmangen dëme të parikuperueshme në pyje dhe pronën e banorëve. “Me zjarrin nuk bëhet shaka. Kush mendon se duke i vënë zjarrin një toke pyjore për të hapur një bahçe të vogël, për të mbjellë diçka apo për të fituar një kullotë, ka bërë një dëm të madh. Dua t’i përgatis qytetarët se epoka ku jetojmë është epoka e sfidave me natyrën, zjarri në pyll, thatësira në burime, ngricat në dimër, vërshimet në vjeshtë. Është shumë e rëndësishme që mos ta menaxhojmë këtë situatë me histeri, por me qetësi dhe bashkëpunim. Sa më herët të sinjalizohemi, aq më herët veprojmë dhe aq më pak dëm do të kemi për qytetin e Tiranës”, tha Veliaj.

Tashmë që rreziku në këtë zonë ka kaluar, Veliaj kërkoi nga Policia e Shtetit që të hetojë çdo rast zjarrvënie të qëllimtë dhe të vendosë para përgjegjësisë ligjore shkelësit. Ai bëri të ditur se do të kërkojë forcimin e ndëshkimeve për çdo rast zjarrvënie të qëllimtë.

 

July 23, 2017 14:39
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*