Veliaj në Gjenevë, Shqipëria për herë të parë anëtare e bordit të ILO-s

June 6, 2014 14:42

Veliaj në Gjenevë, Shqipëria për herë të parë anëtare e bordit të ILO-s

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, mori pjesë sot në punimet e Sesionit të 103-të të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Gjenevë, ku Shqipëria u zgjodh, për herë të parë në histori, anëtare e bordit drejtues të ILO-s, me më shumë se 400 vota. Që në krye të fjalës së tij, Ministri Veliaj tha se ndihet krenar për progresin e dukshëm që Shqipëria ka bërë keto muaj me modernizimin e zyrave të punës dhe reformën e pensioneve.

Duke falenderuar ILO-n për ndihmën e rëndësishme që ajo ka dhënë në promovimin e dialogut social, mbrojtjen shoqërore dhe përpjekjet për të zbutur udhën drejt një ekonomie dhe tregu formal pune, Veliaj u shpreh se programi i Qeverisë i kushton vëmëndje të madhe cështjeve sociale dhe e cilëson si prioritet hapjen e vëndeve të reja të punës. Sipas tij, Strategjia Kombëtare për Punësim dhe Aftësi 2014-2020, e hartuar së fundi nga MMSR-ja, është një dokument i vyer i cili integron politikat ekonomike me politikat arsimore dhe sipërmarrëse me qëllim rritjen e punësimit dhe kalimin në një treg aktiv të punës.

“Duke i kthyer sytë nga arsimi dhe formimi profesional po ndërmarrim një tjetër reformë të rëndësishme, e cila synon të aftësojë qytetarët shqiptarë në mënyrë që ata të rrisin mundësitë e tyre për punësim. Vitet e kaluara, sistemi ynë arsimor ka prodhuar studentë me diploma, por jo studentë me aftësi të nevojshme për të gjetur një punë. Prandaj, me këtë strategji synojmë të ngushtojmë hendekun midis kërkesës së tregut të punës dhe aftësive që u ofrojmë të rinjve tanë”, u shpreh Ministri Veliaj në konferencën e ILO-s, duke shtuar se efektet e para të strategjisë janë ndjerë me hapjen e zyrave të reja të punës.

Nga ana tjetër, Veliaj përmendi vendosmërinë për të forcuar skemat e mbrojtjes sociale dhe reformën e pensioneve. Sipas tij, skema aktuale e pensioneve vuan nga shumë probleme dhe financiarisht është e paqendrueshme, duke sjellë përfitime të uleta dhe informalitet të lartë, cka në të ardhmen të moshuarit rrezikojnë të mbeten pa pensione. “Reforma që kemi nisur synon të rregullojë të gjitha këto probleme, së pari për të sjellë më shumë përfitime për të moshuarit e nesërm, uljen e informalitetit dhe rritjen e kontributeve”, tha ai.

Veliaj theksoi se gjatë këtyre muajve dialogu midis Qeverisë dhe punëdhënësve ka arritur në nivele shumë të mira, duke qenë së janë vetë kompanitë private ato që po financojnë modernizimin e zyrave të punës. Ai shtoi se Qeveria është e vendosur të ecë drejt një modeli ekonomik miqësor ndaj punësimit dhe forcimit të sistemit të mbrojtjes sociale.

Më shume se 500 delegate ndoqën punimet e konferencës se Organizatës Ndërkombëtare të Punës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Gjenevë, ku përfaqesues të qeverive dhe sindikatave të shumë vendeve të botës diskutuan mbi cështjet e punësimit dhe emigracionit.

June 6, 2014 14:42
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*