Veliaj në OKB: Shqipëria, shembull për reformat që gjenerojnë punësim për gratë dhe vajzat

March 16, 2015 14:08

Veliaj në OKB: Shqipëria, shembull për reformat që gjenerojnë punësim për gratë dhe vajzat

Në kuadër të Sesionit të 59-të të Komisionit mbi Statusin e Gruas (CWS) në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, i cili u zhvillua në datat 10-21 mars, Shqipëria solli për herë të parë eksperiencën shqiptare në luftën kundër dhunës me bazë gjinore. Paneli i diskutimeve mbi dhunën me bazë gjinore i titulluar “Breaking Mindset”, u organizua nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Agjencia e OKB-së në Shqipëri dhe Misioni i Përhershëm i Shqipërisë në OKB.

Në fjalën e mbajtur gjatë punimeve të Komisionit për Statusin e Gruas në Nju Jork, ministri Veliaj paraqiti Planin Kombëtar për përfshirjen e burrave dhe djemve për Barazinë Gjinore dhe Ndalimin e Dhunës me Bazë Gjinore, i cili aktualisht po zbatohet në Shqipëri, me fokus nxitjen e djemve dhe burrave në mbështetje të fuqizimit të grave dhe vajzave në shoqërinë tonë.

“Sot Shqipëria ka disa lajme të mira: Pas 500 ditësh me qeverisje të re, për herë të parë qeveria ka vendosur që ndihma ekonomike t’u jepet eksluzivisht grave apo që japim 5 mijë pensione sociale për gjyshet tona. Është hera e parë që 2/3 e Fondit të Nxitjes së Punësimit përdoret për të punësuar më shumë gra e vajza, sidomos në zonat rurale apo me aftësi të kufizuara. Gjithashtu, është hera e parë që kemi një nga qeveritë më progresiste në Ballkan, ku 1/3 e qeverisë dhe rreth ¼ e Parlamentit janë gra dhe vajza”, deklaroi ministri Veliaj.

Ai u shpreh se, në një vit e gjysmë qeverisje, Shqipëria në këtë fushë ka bërë shumë. “Më vjen mirë që, nga rajoni ynë, Shqipëria u përzgjodh si shembull që gjeneron mjaftueshëm reforma për të patur një impakt real në punësim, në pensione dhe në ndihmën ekonomike të grave dhe vajzave. Por, duhet të pranojmë se gjërat nuk janë të përsosura, dhuna është ende pjesë e shoqërisë tonë dhe ajo nuk thjesht çështje e politikës dhe e ligjeve, por edhe pjesë e një shoqërie më të emancipuar”, shtoi z. Veliaj. Sipas tij, qasja që Shqipëria i ka dhënë luftës ndaj fenomenit të dhunës ndaj grave nuk është fokusuar vetëm te gratë dhe vajzat e dhunuara, por kryesisht te djemtë dhe burrat, të cilët janë ftuar të bëhen pjesë e zgjidhjes.

Aty mori pjesë dhe Kryetarja e Aleancës së Gruas Parlamentare, Mesila Doda, Koordinatorja e Përhershme e OKB-së në Shqipëri, Zineb Touimi-Benjellounë.

March 16, 2015 14:08
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*