Veliaj: Punimet në Rrugën e Elbasanit përfundojnë brenda 15 shtatorit

August 27, 2019 13:44

Veliaj: Punimet në Rrugën e Elbasanit përfundojnë brenda 15 shtatorit

Nga një rrugë e degraduar me gropa, pluhur e baltë, Rruga “Kadri Kërçiku” në Njësinë 2 dhe dy degëzimet e saj, po shtrohen me asfalt e po pajisen me kanalizime, trotuare dhe ndriçim LED. Bashkia e Tiranës është duke i dhënë dorën e fundit punimeve, në mënyrë që stina e shirave ta gjejë rrugën të përfunduar. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet dhe kujtoi se kjo ndërhyrje është një premtim i mbajtur për banorët e lagjes.

“Vërtet është gusht, vapë, por kam qenë këtu në fushatë dhe kemi premtuar se Rr. “Kadri Kërçiku” do të bëhej këtë vit, ndaj nuk ka shans të mos bëhet këtë vit. Është një lagje e ndërmjetme, midis Rrugës së Elbasanit, që është një aks kryesor, dhe “Qytetit Studenti”. Duke ndërhyrë në të gjitha hapësirat rreth “Qytetit Studenti”, bëhemi gati për masterplanin, që banorët të mos ndihen si të mbetur pasdore, kur qeveria dhe bashkia të fokusohet tek ‘Qyteti Studenti’”, tha Veliaj.

Ai shtoi se ky investim, përveç banorëve të përhershëm të kësaj njësie, do t’i shërbejë edhe studentëve, të cilët në të shumtën e rasteve gjatë pushimeve apo pas mbarimit të universitetit, strehohen në këtë lagje. “Një pjesë e madhe e studentëve të “Qytetit Studenti” bëhen banorë të Njësisë 2, pasi vendosin që të jetojnë në Tiranë, ndaj për të gjitha këto arsye, jam shumë i lumtur sot që Rr. “Kadri Kërçiku”, që mban emrin e një doktori të madh, të persekutuar, që dha kontributin e tij për mjekësinë shqiptare, besoj se i bën nder”, shtoi kryebashkiaku.

Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës edhe në këtë investim po ruan të njëjtin standard sa i përket cilësisë së punimeve, ashtu si në shumë investime të tjera të rëndësishme në Tiranë. “Më vjen mirë që është aplikuar i njëjti standard, si në qendër të Tiranës, pra me ndriçim LED, kanalizime, me kabllot që do shkojnë nën tokë. Është një ditë e mirë për Tiranën! Dua t’u jap forcë dhe kurajë kolegëve në këto ditë të fundit të verës, që më pas edhe aksi kryesor i kanalizimit të ujërave të zeza, që merr të gjithë ujërat e “Qytetit Studenti”, për t’i çuar në Rrugën e “Elbasanit“, gjithashtu të mbarojë në datën 15 shtator, gjatë ditëve që përgatitemi për fillimin e shkollës”, tha ai.

Ndërkaq, Veliaj u bëri thirrje prindërve që të respektojnë udhëzimet dhe fëmijët e tyre t’i regjistrojnë në shkollat më të afërta, pasi kështu shmanget mbipopullimi në klasa dhe trafiku i mëngjesit. “Dua t’u bëj thirrje banorëve të Njësisë 2 dhe njësive të tjera, që secili të regjistrohet tek njësia e tij. Duke shkuar nga 2-shi tek 3-shi, nga 3-shi tek 4, në fakt bëhemi palë-palë me njeri – tjetrin dhe shkarkojmë një stres të panevojshëm. Thirrja për të gjithë banorët është: Respektoni udhëzimet e njësisë, në shkollën më të afërt! Fatmirësisht jemi duke punuar në shkollat e çdo njësie; pra, punojmë tek “Mihal Grameno”, është mbaruar shkolla “Kosova”, shkolla e Baletit, dhe nuk ka asnjë arsye pse të dyndemi nëpër njësitë e tjera”, deklaroi Veliaj. Mandej, ai shtoi se brenda tetorit, kur studentët të kthehen në Tiranë, do ketë përfunduar edhe rikonstruksioni i 3 konvikteve të fundit.

Rruga “Kadri Kërçiku” ka dy degëzime: në këtë investim janë parashikuar kanalizime të ujërave të zeza dhe ujërave të bardha, ndriçimi LED, sistemimi i linjave të internet-telefonisë, etj.

o.j/dita

August 27, 2019 13:44
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*