Veliaj rehabiliton një tjetër bllok banimi te lagja e Lulit: Besimin e qytetarëve e kthyem në punë konkrete

August 31, 2018 12:39

Veliaj rehabiliton një tjetër bllok banimi te lagja e Lulit: Besimin e qytetarëve e kthyem në punë konkrete

 

Edhe pse një nga banorët e saj ka qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës për 4 vjet, Njësia 8 në kryeqytet nuk ka patur asnjëherë më shumë investime se gjatë tre viteve të fundit. Bashkia e Tiranës përfundoi rehabilitimin e infrastrukturës rrugore në bllokun e banimit që kufizohet nga Rr. “Qemal Stafa”, Rr. e “Dibrës” dhe Rr. “Bardhyl”, duke sjellë në një nga lagjet më të vjetra të Tiranës rrugë e trotuare më të mira dhe më shumë ndriçim. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vlerësoi transformimin pozitiv që ka pësuar e gjithë lagja.

“Ky është vetëm mandati ynë i parë, por në Njësinë 8 nuk ka pasur asnjëherë kaq shumë investime. Në të kaluarën, Njësia 8 ka prodhuar edhe kryetarë bashkie, edhe nënkryetare bashkie, por nuk do të thotë që të qenit çun apo gocë e lagjes përkthehet në punë. Përkthehet ndoshta në manipulim të votuesve, por jo në punë konkrete; besoj se e kemi provuar që punë konkrete mund të bëjë vetëm kjo administratë. Banorët e Njësisë 8 janë treguar qytetarë model, duke nisur nga zonat e saj të vjetra, me tironsit e vjetër, me ata që kanë qenë të parët që lenë një metër për të tërhequr avllinë e tyre që të kalojnë familjarët, prindërit, parapelgjikët, nënat me karrocë”, tha ai.

Veliaj u shpreh se banorëve të Njësisë 8 iu është kthyer në investime besimi që ata kanë shprehur te administrata e re e Bashkisë së Tiranës. “Besoj se i jemi përgjigjur Njësisë 8, ashtu siç njësia na është përgjigjur ne. Njësia 8 na ka dhënë një besim të fortë në dy votime rradhazi, kurse ne i jemi përgjigjur me dyfishimin e investimeve në këtë njësi. Kemi një paketë me 50 rrugë, 47 ha, pra një bllok të tërë; “4 Dëshmorët”, “Qemal Stafa”, Rr. e ‘Dibrës’”, theksoi kryebashkiaku.

Veliaj solli në vëmendje edhe ndërhyrjet e bëra në infrastrukturën arsimore, çka ka sjellë dhe një shfryrje të ngarkesës në klasa, si dhe rritje të cilësisë së mësimdhënies. “Jo vetëm kaq, por kemi ndërhyrë edhe në shkolla, duke filluar nga ‘Shkolla e Kuqe’, shkolla “Servete Maçi” që po bëhet e re, pastaj në të gjitha çerdhet e kopshtet; besoj që kjo njësi ka dalë në dritë sot dhe duhet të pranojmë që njësia nuk ka më fizionominë që ka pasur në vitet ‘90, pra një njësi me shtëpi qerpiçi, të ulta, tironsit e vjetër. Sot, njësia shkon deri tek Bregu i Lumit, ndaj edhe tek Bregu i Lumit, që prek disa njësi, 4, 8, 9, 11, kemi ndërhyrë fillimisht për të rehabilituar lumin, pastaj kemi rehabilituar edhe aty disa blloqe me disa hektarë. Mirënjohje nga zemra atyre që po e kalojnë gushtin, shtatorin e gjithë kohën e pushimeve në zhegun e Tiranës, për të mbaruar në kohë punët. Kur qytetarët, nxënësit, të kthehen në 17 shtator në bankat e tyre do gjejnë një qytet shumë herë më të ftilluar se ç’e lanë, por sigurisht më e mira është përpara”, tha ai.

Deputeti i PS, Ervin Bushati falenderoi bashkinë për investimet në këtë zonë, ndërsa tha se në një vit janë kryer investime më shumë se në 25 vite së bashku. “Në vetëm një vit

janë investuar më shumë se 25 vite të marra bashkë, rreth 4.7 miliardë lekë, dhe janë ndryshuar dy blloqe shumë të rëndësishme banimi. Në mandatin tjetër e gjithë zona e Njësisë 8 do të jetë e sistemuar. Në qoftë se këtë vit janë bërë sa 25 vite bashkë investime, kjo është kthyer në një lagje model, rrugët në të gjithë këtë bllok ndërmjet rrugës “Qemal Stafa” dhe Rrugës së “Dibrës” janë rikonstruktuar dhe me hapjen e shkollave, do shohim që do rigjallërohet gjithë njësia. Shpresojmë që ky të jetë një vit i mbarë, jo vetëm mësimor, por të jetë një vit i mbarë investimesh për të rregulluar ato pak punë që kanë mbetur nën unazë”, tha Bushati.

l.h/ dita

August 31, 2018 12:39
Komento

1 Koment

Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*