Veliaj: Shpresëplotë se edhe minoranca e zhurmshme që saboton punët e qytetit, të na bashkohet për Tiranën

August 1, 2018 13:29

Veliaj: Shpresëplotë se edhe minoranca e zhurmshme që saboton punët e qytetit, të na bashkohet për Tiranën

Një vit më parë, blloku i banimit në zonën e Doganës i ngjante një zone lufte, ku kalimi në dimër ishte tejet i vështirë prej baltës dhe gropave të shumta. Por sot, banorët e kësaj lagjeje të re të kryeqytetit, kanë një bllok të transformuar, me rrugë të rregulluara dhe hapësira të mjaftueshme, njësoj si në qendër të qytetit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Kryetari i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi, inspektoi përfundimin e punimeve për rikualifikimin e bllokut të banimit tek Dogana, ku janë rehabilituar 35 segmente rrugore, duke përfshirë ndërtimin e infrastrukturës nëntokësore dhe shtrirjen e rrjetit të ri të ujësjellës kanalizimeve.

“Jam shumë i lumtur që kthehemi pas një viti dhe në dallim nga hera e parë, me çizme e kambale, sot jemi në një situatë si dita me natën. Jo vetëm që infrastruktura këtu ishte e ngjashme me Kandaharin, por krijohej trafik, pluhur, baltë e llucë. Ndërkohë sot, jo vetëm që s’ka trafik sepse secili mbaron punë shpejt në rrugicën përkatëse, por kemi transformuar një bllok me 35 rrugë”, tha Veliaj.

Ai theksoi se tashmë është koha që edhe ata që kishin në dorë të bënin diçka për Tiranën dhe nuk e bënë, të bashkëpunojnë përtej bindjeve politike, për vendime të rëndësishme për qytetin.

“Unë e kuptoj se jo të gjithë punojmë me të njëjtën dëshirë dhe dashuri për qytetin. Ka disa që nuk u vjen mirë pse qytetit po i shkojnë punët mbarë, megjithatë them se është mirë edhe për ata. Një qytet që funksionon, një qytet që është i pastër, një qytet ku njerëzit e duan njëri-tjetrin, është mirë edhe për ata. Edhe për ata që e kishin në dorë dhe mund ta kishin ndryshuar Tiranën, por humbën një shans për ta bërë dhe do të duhet që tani të bashkëpunojmë të gjithë, përtej të majtës dhe të djathtës, për vendime të rëndësishme për qytetin”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se është optimist që edhe minoranca e zhurmshme që do të sabotojë punët në qytet, do të kontribuojë në mbarëvajtjen e punëve të Tiranës.

“Këtë frymë ende nuk e kemi parë, megjithatë jam shpresëplotë se duke shtrirë gjithmonë dorën, ne që duam punë dhe që duam qytetin, besoj se edhe ajo minorancë e zhurmshme që do të sabotojë punën në qytet do të ketë mundësi të na bashkohet në këtë vit të fundit, për të thënë edhe ata që dhanë një kontribut modest për mbarëvajtjen e Tiranës”, tha Veliaj.

Gjatë inspektimit, ai theksoi se pas legalizimit të ndërtimeve informale, bashkia po vijon punën për urbanizimin e këtyre zonave, duke u krijuar banorëve të ardhur nga e gjithë Shqipëria kushte më të mira jetese.

“Njësia 7 është njësi specifike, ka një pjesë shumë të madhe të asaj që ne e quajmë një kore urbane e pjesës së vjetër të Tiranës, ndërkohë është edhe pjesa e re, kryesisht me njerëz të ardhur nga veriu dhe jugu i Shqipërisë, të cilët gjithashtu meritojnë që pas 27 viteve të trajtohen njësoj si gjithë qytetarët e tjerë Tiranës. Do të thotë legalizim nga qeveria qendrore dhe urbanizim nga bashkia. Tani që kemi urbanizim, investojmë me risitë më të fundit; pra, me ndriçim Led dhe duke e bërë ujësjellësin nga e para”, tha ai.

Veliaj shtoi se edhe në këtë vit të fundit të mandatit, Bashkia e Tiranës do të jetë në terren duke çuar investimet edhe në zonat rurale të Tiranës.

“Do të vazhdojmë edhe këtë vit të fundit me një ‘sprint’ për të marrë vendime të tjera, të cilat mundësojnë që të përveshim mëngët dhe të jemi në terren non-stop. Tani që kemi mbaruar disa zona, për të cilat nuk mendohej se do të vinte ndonjëherë asfalti dhe Led-i, sot jemi në një situatë ku po mendojmë që të njëjtin standard ta përdorim në zonat rurale të Tiranës. Në momentin që dikujt i prek këmba asfalt nga Shëngjergji te Dogana, në Ndroq, në Kashar, në Krrabë, them se kemi një qytet shumë herë më dinjitoz se ai që gjetëm 3 vite më parë”, përfundoi kreu i bashkisë.

Duke vlerësuar investimin e realizuar në këtë zonë të re të kryeqytetit, kreu i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi, tha se në 3 vjet janë marrë 300 vendime të rëndësishme, ku pjesa më e madhe e të cilave lidhen me përmirësimin e infrastrukturës. “Jemi më pak se një vit nga vizita e fundit këtu dhe kemi parë një zonë në nevojë për infrastrukturë. Në 3 vjet kemi marrë 300 vendime për Tiranën, nga këto 300 vendime një pjesë e madhe kanë qenë për infrastrukturë, ashtu si kjo ndërhyrje, në këtë bllok. Më vjen mirë që sot banorët do të jetojnë në një rrugë me standarde të mira; marrin vlerë banesat, bizneset etj”, tha Dalipi.

Në këtë bllok banimi, Bashkia e Tiranës ka ndërhyrë për rehabilitimin e 35 segmenteve rrugore, duke përfshirë ndërtimin e infrastrukturës nëntokësore, punime në trupin e rrugës për shtresat përkatëse dhe trotuare, ndërtimin e rrjetit të ndriçimit rrugor dhe linja rezervë, ndërtimin e sinjalistikës horizontale dhe vertikale.

l.h/ dita

August 1, 2018 13:29
Komento

1 Koment

  1. Martini August 2, 06:17

    Erjon mos caj koke fare.Luften me perfaqesuesit politik dhe koalicini me ata qe dy here ne qeverisje e shndruan Tiranen ne shurrtore masive.Realisht.Eke te fituar.Beson se ka qytetar normal Tirane qe ka qef.qe.vendi ku jeton te mbaje realisht perseri ere shure?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim