Veliaj: Të gjithë duhet t’i kthejmë sytë nga arsimi profesional

Redaksia Online September 17, 2013 15:10

Veliaj: Të gjithë duhet t’i kthejmë sytë nga arsimi profesional

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, vizitoi sot Shkollën e Mesme Profesionale të “Hoteleri-Turizmit” në Tiranë. Vizita kishte për qëllim njohjen nga afër të gjendjes në të cilën ndodhet shkolla, por edhe urimin për një vit të mbarë shkollor. Gjatë takimit me stafin pedagogjik dhe nxënësit e kësaj shkolle, Veliaj përcolli mesazhet e qeverisë për një qasje të re në sistemin e arsimit dhe formimin profesional në Shqipëri.

Duke qenë se të gjitha shkollat profesionale kanë kaluar nën administrimin e MMSR-së, z. Veliaj vizitoi disa nga laboratorët dhe dhomat e praktikës mësimore të shkollës, u takua personalisht me nxënësit dhe u njoh me arritjet, problemet dhe sfidat e shkollës, si dhe planet për të ardhmen e tyre. Ministri vuri theksin në faktin se kush studion sot në arsimin profesional, bën një investim të shkëlqyer për të ardhmen e tij.

Veliaj vuri në dukje vështirësitë me të cilat është hasur shkolla e mesme profesionale e “Hoteleri-Turizmit” që në ditën e parë të fillimit të vitit të ri shkollor me mungesën e dritave për shkak të faturave të papaguara dhe me një buxhet jo të konsoliduar mirë. “Shkollës duhet t’i japim mundësinë për vetëfinancim dhe të dalë në treg, të mbajë me ushqime konviktin e saj ose të furnizojë me gatime institucione apo biznese jashtë shkollës”, u shpreh ministri Veliaj për median.

“Mjafton të shikoni faqet e verdha, ku ka më shumë kërkesa për juristë, e shumë pak faqe kushtuar profesionistëve apo teknicienëve, si elektricistë, hidraulikë etj. Industria shqiptare po fokusohet tek shërbimet dhe gatimi, pasi ka përfunduar lulëzimi i biznesit të ndërtimeve. Të gjithë duhet t’i kthejmë sytë nga arsimi profesional”, tha ai, duke iu bërë thirrje prindërve që ta shohin arsimin profesional si një mundësi mjaft të mirë për të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Veliaj tha se MMSR-ja do të fillojë menjëherë zbatimin e sistemit dual gjerman në shkollat profesionale. Sipas këtij sistemi, nxënësi apo studenti duhet të ndërthurë praktikën me teorinë; nëpërmjet partneriteteve me sektorin privat, nxënësve do t’u jepet mundësia që atë çka mësojnë në teori ta zbatojnë në praktikë.

Shkolla e mesme profesionale “Hoteleri-Turizëm” është themeluar në 1958 dhe rikonstruktuar në 2009-ën. Operon me dy turne dhe ka 891 nxënës gjithsej. Është shkollë kombëtare me konvikt dhe rreth 15-20% e nxënësve vazhdojnë shkollën e lartë në degën Teknologji Ushqimore ose në atë të Hoteleri-Turizmit në Durrës.

 

Redaksia Online September 17, 2013 15:10
Komento

1 Koment

  1. gburimi September 17, 23:44

    Minister qe viziton shkollen duarbosh? Asnje mase konkrete per te inkurajuar arsimin profesional? Kujtova se PS kishte nje program…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*