Veliaj te Njësia 8: Sheshi Skënderbej do të jetë një nga sheshet më të bukura në botë

June 8, 2017 12:42

Veliaj te Njësia 8: Sheshi Skënderbej do të jetë një nga sheshet më të bukura në botë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ftoi të gjithë qytetarët që të marrin pjesë në koncertin festiv që do të organizohet me rastin e hapjes të sheshit “Skënderbej”. Në takimin e zhvilluar me banorë të njësisë Nr. 8 për bilancin e punës dy-vjeçare, Veliaj zbuloi disa nga risitë e këtij sheshi. “Dua që t’u ftoj të gjithëve publikisht, në orën 19:30, ditën e shtunë që të bëheni pjesë e festës për të gjithë qytetarët e Tiranës, por edhe e të gjithë qytetarëve të Shqipërisë dhe e të gjithë shqiptarëve që jetojnë larg trojeve tona. Secili aty do të gjejë pllakën e vet në shesh, pemën e vet në të gjithë hapësirën e gjelbër, do të gjejë gjithashtu edhe kostumet e veta, traditën e vet, këngën e vet në skenë”, tha Veliaj.

  Kreu i Bashkisë tha se sheshi “Skënderbej” sot ka 28 mijë m2 gurë dhe 32 mijë m2 gjelbërim në të gjithë perimetrin e vet. “Kjo do të thotë që për herë të parë kemi një shesh i cili në totalin e projektit të vet ka më shumë gjelbërim se sa pllakë. Problemi i këtyre është se këta rrinë tërë ditën në Vienë. Po mirë hajde flasim pak për Vienën. Sheshi kryesor në Vjenë nuk ka asnjë pemë, sheshi kryesor në Hagë, sheshi kryesor në Amsterdam, sheshi kryesor në Roterdam, meqë ky është i Holandës, nuk ka mbjellë asnjë pemë. San Marko në Venecia nuk ka të mbjellë asnjë pemë. Piaca në Navona në Romë nuk ka të mbjellë asnjë pemë. Sheshi i Pallatit Mbretëror në Shën Petërsburg nuk ka të mbjellë asnjë pemë. Sheshi i Kuq në Moskë ka të mbjellë vetëm një pemë ngjitur me kishën që është me kupola”, tha Veliaj duke shtuar se për herë të parë do të ketë një shesh ekologjik.

  “Sheshi ka 100 shatërvanë që gurgullojnë ujë gjithë kohës. Duke qenë se sheshi ka pendencë, uji shkon në fund, përfundon në pompë, filtrohet, pastrohet dhe del sërish. Pra sheshi jo vetëm kaq, por ruan çdo pikë shiu që bie në shesh. Është hera e parë që ne kemi shesh ekologjik”, tha ai.

  Veliaj deklaroi se suksesi i arritur me ndërtimin e këtij sheshi, ka bërë që të vijnë kërkesa nga studiot më të mira të arkitekturës për ta prezantuar si projekt. “Sa herë që bëhet një punë e bukur, ca ditë para se të mbarojë ajo, fillon gjithë histeria, helmi, cinizmi. Të thuash që po vjen nga ekspertët thua, hajde se po i dëgjoj, por vjen nga ata që 4 vjet nuk rregulluan dot sahatin, nuk ngulën dot një gozhdë. Iu kam rezervuar të njëjtën përgjigje si te këndi i lodrave të kalamajve. Do të vijnë aty dhe do të shikojnë një nga sheshet më të bukura jo në Europë, por në botë. Ende pa u hapur kemi marrë dje një ftesë zyrtare nga bienalja e Çikagos, një nga bienalet më të mëdha të arkitekturës, për ta prezantuar sheshin “Skënderbej” si një nga produktet dhe projektet e arkitekturës më të mira sot në botë”, theksoi Veliaj.

  Kryebashkiaku u shpreh se për herë të parë një investim publik arrin që të mbulojë koston. “Për herë të parë po bëjmë një investim publik I cili paguan veten e vet. Bëhen lulishte, bëhen stadium, por asnjëherë nuk paguajnë dot koston e vet. Gjysma e sheshit është parkim.  Hera e parë që një investim jo vetëm është i bukur dhe i mirë, por lan lekët e veta. Për herë të parë ne kemi një parkim për 358 makina për ta zgjidhur edhe më shumë çështjen e trafikut në Tiranë”.

 Veliaj deklaroi se tashmë investimet e Bashkisë po shkojnë në nivel kapilar në çdo lagje të kryeqytetit dhe është vetëm çështje kohe sa të ndërhyhet në çdo rrugicë. “Sot e quajmë “Dy vjet zgjuar” sepse besojmë se i gjithë qyteti në të gjitha qelizat është zgjuar, jo vetëm në qendër të Tiranës ku po mbaron sheshi “Skënderbej” por edhe te lagjja “Besa”, edhe te Bregu i Lumit, edhe në këto rrugicat e vogla. P futemi në nivel kapilar për t’u thënë njerëzve e kemi mendjen te puna, jo te gjumi, jo te llafet, jo te zullumi, jo te sherret, jo the thashethemet, jo te cinizmi, jo te ironia, jo te të sharat, jo te lufta me njëri –tjetrin por te bashkimi për punë”, tha Veliaj.

June 8, 2017 12:42
Komento

1 Koment

  1. Petriti June 8, 15:55

    VERTET KA DALUR NJE MREKULLI BRAVO

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*