Vëllezërit Doçi u përgjuan në qeli, folën për vrasjen e Sulkut në Holandë

May 31, 2015 09:10

Vëllezërit Doçi u përgjuan në qeli, folën për vrasjen e Sulkut në Holandë

Seanca gjyqësore për dy vëllezërit Markeljan dhe Klejvi Doçi është bërë e mëvetësishme, madje toga e shoqërimit dhe policia janë kujdesur që gjatë daljes së italianit Salvatore Letizia nga Gjykata e Krimeve të Rënda të mos përplasej me dy të pandehurit e tjerë. Dy vëllezërit i qëndruan dëshmisë së tyre vetëm për ngjarjen e ndodhur para Fakultetit të Shkencave, duke pohuar se vepruan në mbrojtje të xhaxhait të tyre Mentor Lufi (Doçi) që po qëllohej nga Besnik Sulku dhe Salvatore Letizia. Por mohuan që të ishin pjesë e ndonjë klani kriminal, trafiqeve, apo që të ishin autorë të ekzekutimit të Durim Sulkut në Holandë, vëllait të Besnikut. Por Prokurori Gentian Trenova i ka surprizuar në sallën e gjyqit të pandehurit, duke kërkuar burg për të dy, pavarësisht se avokati u shpreh se Klejvi Doçi nuk mori pjesë në krim.

“Nga bisedat e përgjuara në qelinë e përbashkët pas arrestimit, të dyshuarit kanë përmendur edhe vrasjen e Durim Sulkut në Roterdam të Holandës. Ka dyshime të forta dhe të bazuara se ata janë autorë të krimit”, tha prokurori. Avokati e kundërshtoi, ndërsa tha se edhe Markeljani ka qëlluar duke vrarë Besnik Sulkun pasi ai i ekzekutoi xhaxhanë dhe po kështu kanë goditur me makinë italianin që po qëllonte ndaj tyre. Gjyqtari Sandër Simoni pranoi kërkesën e prokurorisë dhe dha masën “arrest me burg” për dy vëllezërit, për akuzën “vrasje për gjakmarrje në bashkëpunim” dhe “armëmbajtje pa leje”. Prokurori deklaroi se dy të pandehurit e kanë pranuar pjesëmarrjen në ngjarjen e 27 majit, ku Klejvi Doçi ka qenë më pasiv, kurse Markeljani ka pasur armën “Makarov”, me të cilën ka vrarë Sulkun.

Për ngjarjen e Holandës pritet edhe bashkëpunimi me policinë e këtij vendi për të marrë provat, dëshmitë dhe faktet që disponohen, me qëllim për të zbardhur plotësisht krimin dhe nëse vëllezërit Doçi janë të implikuar. Konfirmohet se më 6 prill kur ka ndodhur ekzekutimi me plumb në kokë i Durim Sulkut (Ilirjan Sulaj) në Roterdam, vëllezërit Doçi ndodheshin jashtë vendit. Të dyshuarit nuk pranuan të flisnin para gjyqtarit Simoni dhe në emër të tyre foli avokati mbrojtës, që kërkoi lirimin e Klejvi Doçit dhe masë të butë për Markeljanin, pasi “kishte vepruar për mbrojtje të xhaxhait, në kushtet e tronditjes së rëndë psikike”.

Prokurori kundërshtoi duke rikujtuar përgjimet ambientale në qeli. Prokurori tha se Durim Sulkun e kanë vrarë në shenjë hakmarrjeje për atentatin në dhjetor 2014 afër Stadiumit Dinamo në Tiranë ndaj xhaxhait të tyre Mentor Lufi (Doçi), që mbeti i plagosur. Por nuk u dhanë detaje për konfliktet në aktivitetet e dyshuara të paligjshme brenda apo jashtë vendit.

 

 

May 31, 2015 09:10
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim