Vendi i punës i jepet më të kualifikuarës

May 15, 2016 14:30

Vendi i punës i jepet më të kualifikuarës

 

“Krejt e rastësishme në çdo drejtim”, u quajt rrjedha e ngjarjeve që sipas Gojëve të Liga, solli zgjedhjen e specialistes së re të burimeve njerëzore në ministri. Fituesja përveçse ishte kandidatja më e kualifikuar për atë vend pune, rastisi gjithashtu të jetë një vajzë e mrekullueshme 23 vjeçare, një bukuri e rrallë e natyrës.

“Ajo është një xhevahir i vërtetë – e zgjuar dhe plot energji e jetë”, tha drejtori i drejtorisë Allish Verishi për specialisten Dafina Rigoni, e cila në këtë vend pune ndoqi traditën e katër paraardhëseve njësoj të kualifikuara, të bukura e të zgjuara si ajo, që ecën më lart në karrierë. “Ajo hyri në zyrën time për intervistën e punës dhe më bindi plotësisht. Mund të them se më bindi për kualifikimin e saj sapo u hap dera”.

Sipas burimeve, bukuroshja 175 cm e gjatë u zgjodh rastësisht mes katër vajzave po 23 vjeçare, por më pak të këndshme, një djaloshi merhum 24 vjeçar dhe gjashtë burrave dosido. Burimet në ministri e përshkruajnë Dafinën si tmerrësisht punëtore, që u përshtat në sekondë me stafin ekzistues, që ka një sjellje të shkëlqyer dhe që “i kap gjërat shumë shpejt”.

“Ishte një zgjedhje e goditur”, tha koordinatori i burimeve njerëzore Mafuz Kodoshi, “siç është në stilin e punës sime, unë planifikoj t’i tregoj Dafinës sekretet e këtij zanati, ndaj është e rëndësishme të kaloj disa kohë me specialisten tonë. Dua të theksoj se kjo punë ka të bëjë me faktorin njerëzor, ndaj nuk është thënë të punosh vetëm nga zyra. Jo, do të dalim për kafe apo për të ngrënë diçka në Petrelë apo tek Ura e Peshkatarit, jashtë presionit të katër mureve të zyrës”.

Kodoshi sqaron se puna e stafit të kësaj drejtorie në ministri ka marrë një hov të ri pas ardhjes së Dafina Rigonit.

“Njerëzit janë më energjikë, më vitalë, duket adrenalina në çdo lëvizje të tyre”, tha Kodoshi, “sidomos kur afrohen rastësisht të konsultohen me Dafinën”.

Fjala të mira kishte për specialisten edhe zv.ministri Dule Batalli. “Është nga ata njerëz që ta ka ënda ta hasësh nëpër korridore”, tha zoti Batalli, “apo ta shohësh kur i ngjit shkallët si flutur. I kam thënë që për çdo sqarim apo paqartësi, zyrën time e ka të hapur, tre, katër apo pesë herë në ditë, po qe nevoja”.

Në një rastësi po kaq të rastësishme, Gojët e Liga raportojnë se të tre burrat e mësipërm që kishin veçse fjalë mjalti për Dafinën, janë të grupmoshës 48-55 vjeç, me bark, të martuar dhe në gjendje të mirë ekonomike.

May 15, 2016 14:30
Komento

6 Komente

  1. qafiri May 15, 18:04

    populli yne e ka care rrugen e historise me pare,me raki dhe me p…

    Reply to this comment
  2. Arben May 15, 18:43

    SHUKRIUT I DOLEN BREKET NE TV, POR GJITHANDEJ KESHTU ESHTE, NE JEMI DESHMITARE DITA DITES.

    SHOQERIA SHQIPETARE DUHET TE RINGRIHET MORALISHT.

    Reply to this comment
  3. xin fu May 15, 23:12

    futeni ne burg xhelilin,forconi ligjin per abuzimet ne pune dhe populli edukohet moralisht.

    Reply to this comment
  4. Lili May 16, 08:20

    http://www.lejdd.fr/Politique/Harcelement-sexuel-L-impunite-c-est-fini-785595
    Politikanet franceze bejne appel per denimin e ketyre veprime Kurse politikanet shqiptare ,te djathta e te majta,shetitin neper evrope per shopping!
    Pik turpi nuk kane per mosveprimin e tyre!

    Reply to this comment
  5. anticensurë 25642654 May 17, 15:39

    “Pik turpi nuk kane per mosveprimin e tyre!”
    turpi është yni që shkojmë e votojmë këta ndyrësira o lili!!
    turpi është yni o lili që mbështesim këto gazeta po aq imorale sa dhe politika jonë!
    turpi është yni që shajmë udhi pango e mbrojmë shyqon ose e kundërta!!
    turpi është yni që kur vajza,gruaja,djali ose burri ynë,pasi bën karrierë të tillë,sjell para të madhe në shtëpi ne megjithëse e dimë se sa është vlera e tij/saj,ne pranojmë paranë,lluksin!!
    faji është yni SEPSE SHITEMI!
    SHITEMI SI INDIVIDË!
    SHITEMI SI FAMILJE!
    SHITEMI SI SHOQËRI!!

    Reply to this comment
  6. claude May 19, 09:50

    populli jonë heroik eshtë prishur në shpirt dhe ska perendi qe e sheron.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*