Vendimi i ri, KESH-it dhe OSHEE nuk i bllokohen llogaritë nga përmbarimi

March 16, 2015 07:44

Vendimi i ri, KESH-it dhe OSHEE nuk i bllokohen llogaritë nga përmbarimi

Të enjten parlamentare që lamë pas dhe që ishte rekord për nga koha e shfrytëzuar në miratim të ligjeve kuvendore, kaloi gjithashtu dhe një projekt i rëndësishëm i qeverisë “Për Pagesat e Vonuara dhe Detyrimet Kontraktore”. Duke u bërë një shtesë në ligjin nr. 48/2014 “Për Pagesat e Vonuara dhe Detyrimet Kontraktore” tre institucionet kryesore që sigurojnë energjinë në vendit tonë, KESH, OSHEE dhe OST mund të shtyjnë afatet e tyre të pagesave pa u bërë kjo pjesë e zyrave përmbarimore. Përse u ndërmor ky hap? Për këtë ka një shpjegim të detajuar në relacionin bashkëngjitur këtij ndryshimi. Në argument theksohet se vijon të ngelet problem shlyerja e detyrimeve të pretenduara nga operatorët që veprojnë në sektorin elektroenergjetik. Për shkak të detyrimeve të shumta të prapambetura që shoqëritë publike kanë ndaj pjesëmarrësve të tjerë të tregut, vazhdon të jetë problematike shlyerja e faturave korrente të detyrimeve të ndërsjella. Ky zinxhir i borxheve të krijuara e ka fillesën nga konsumatorët fundorë, që nuk paguajnë furnizuesin me pakicë, dhe, si rezultat, furnizuesi nuk ekzekuton detyrimin ndaj shoqërisë së shpërndarjes, shoqërisë së transmetimit dhe furnizimit me shumicë, ndërkohë që furnizuesi me shumicë (KESH) nuk paguan prodhuesit privatë të energjisë apo shoqëritë tregtare, të cilat i shesin energji elektrike nga importi. Por tashmë kjo nuk mund të ndodhë nga prodhuesit e vegjël, ata nuk mund t’i drejtohen një zyre përmbarimore për të marrë të ardhurat e tyre.

KESH: Procedurat përmbarimore, e kanë vënë në vështirësi institucionin

Kjo pasi “KESH-i vazhdon të jetë në një gjendje të vështirë financiare e krijuar si rezultat i mosshlyerjes në vlerë të plotë nga ana e ish-CEZ Shpërndarje, sh.a., (tani OSHEE, sh.a.) për detyrimet që rrjedhin nga furnizimi me energji elektrike nga KESH, sh.a. për konsumatorët tariforë sipas përcaktimeve dhe rregullave të sanksionuara në Modelin e Tregut të Energjisë”. Kjo ka bërë që KESH, sh.a., në mënyrë të vazhdueshme të kërkojë një mbështetje financiare nga qeveria shqiptare nëpërmjet Ministrisë së Financave, ndërmjet të tjerave edhe për të përballuar detyrimet e papaguara ndaj HEC-eve të vegjël. “Bllokimi i llogarive bankare të kësaj shoqërie kryhej në bazë të ligjit nr.8662, datë 18.9.2000, “Për trajtimin si titull ekzekutiv të faturës së konsumit të energjisë elektrike”, i ndryshuar me ligjin nr.10486, datë 26.11.2011, që konsideronte si tituj ekzekutivë, përveç faturave të konsumit të energjisë elektrike nga ana e konsumatorëve fundorë, tashmë edhe faturat e shitjes, blerjes dhe faturat e shërbimit të transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike”, thuhet në relacion dhe që e bënte ekzekutimin e faturës për këto shërbime të detyrueshëm në bazë të titullit ekzekutiv që lëshohet në përputhje me nenin 510, të Kodit të Procedurës Civile të detyrueshëm. Ndërkohë nga ana e shoqërisë KESH, sh.a., drejtuar shoqërive që operojnë me HEC-et private dhe për dijeni Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, bëhet e ditur se gjatë viteve 2013-2014 pjesa dërrmuese e prodhuesve të pavarur dhe të vegjël të energjisë elektrike kanë vënë në ekzekutim të detyrueshëm titujt ekzekutivë (faturat tatimore të shitjes së energjisë) pranë shoqërive të ndryshme përmbarimore. Sipas KESH-it, aktivizimi i procedurave përmbarimore nga ana e këtyre prodhuesve i ka shkaktuar këtij institucioni vështirësi serioze financiare dhe operative për realizimin e veprimtarisë së tij ekonomike si pasojë e bllokimit sistematik të llogarive pranë bankave tregtare të nivelit të dytë. Për shkak të kësaj situate, KESH-i nuk ka mundur të garantojë as radhën e preferimit në pagesa sipas parashikimeve të nenit 605 të Kodit Civil lidhur me detyrimet ndaj organeve tatimore e deri në pagesat për pagat e punonjësve të vetë shoqërisë. Ndërkohë, gjatë fundit të vitit 2014 dhe fillimit të vitit 2015, KESH, sh.a-ja, me mbështetjen e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, po bën përpjekjet maksimale për të mundësuar shlyerjen në kohë të faturës së energjisë elektrike të prodhuar nga shoqëritë në administrim të saj, nëpërmjet shfrytëzimit të shumë burimeve të financimit përfshirë edhe hua të buxhetit të shtetit, në kuadër të përpjekjeve për rimëkëmbjen e sektorit të energjisë elektrike. Megjithëse këto fonde kanë sjellë një përmirësim të ndjeshëm në pagesa, shumë shoqëri vijojnë me bllokimin e llogarive të shoqërisë KESH, sh.a. Këto bllokime dëmtojnë procesin edhe për shkak të kostove shtesë që krijojnë përmbaruesit gjyqësorë në financat e KESH, sh.a-së, që logjikisht zvogëlojnë fondet e KESH-it, në dispozicion për pagesat e prodhuesve të energjisë elektrike, ndaj është e parë e nevojshme dhe kjo ndërhyrje në ligj.

OSHEE në një situatë të ngjashme me KESH

Sipas relacionit në një situatë të ngjashme vijon të mbetet edhe OSHEE-ja, e cila ka ngritur shqetësimin e zbatimit të ligjit nr.48/2014, “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore e tregtare”, zbatimi i të cilit sjell vështirësi në aktivitetin e shoqërisë, që po pengon realizimin e objektivave të qeverisë shqiptare dhe të shoqërisë së shpërndarjes së energjisë elektrike për përmirësimin e treguesve ekonomiko financiarë të shoqërisë, kryerjen e investimeve në rrjetin e shpërndarjes, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve që ofrohen ndaj klientëve të saj. Kjo duke konsideruar se tashmë prodhuesit e energjisë elektrike, duke zbatuar dispozitat e Kodit të Procedurës Civile, kanë filluar bllokimin e llogarive bankare të shoqërisë OSHEE, duke qenë se kjo shoqëri është shoqëria që mbledh të gjitha të ardhurat e sistemit. Ky veprim mund të çojë në një bllokim të veprimtarisë së kësaj shoqërie dhe, si rrjedhojë, edhe cenim të furnizimit të konsumatorëve me energji elektrike. Nga ana e OSHEE-së, ndërmjet të tjerave, argumentohen në bazë të marrëveshjes së huasë, të datës 3 nëntor 2014, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, OSHEE ka marrë masat për hapjen e llogarisë bankare për të ardhurat e bllokuara për garanci (Escrow). Në bazë të kësaj marrëveshjeje, përcaktohet se është detyrim i OSHEE-së që në një institucion financiar të depozitojë të ardhurat për të paguar shpenzimet e transmetimit dhe të blerjes së energjisë në përputhje me një grafik të caktuar. Si i tillë, çdo bllokim i llogarive bankare të OSHEE-ë do të çonte në një shkelje të kushteve të marrëveshjes së huasë. Janë këto argumentet që kanë çuar në një vendim të ri të qeverisë që në ligjin nr.48/2014, “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore e tregtare”, të bëhet një shtesë në nenin 2 të tij (Fusha e Zbatimit) dhe konkretisht pas shkronjës “ç” të shtohet shkronja “d” me përmbajtjen “Që rrjedhin nga shitja, blerja dhe faturat e shërbimit të transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike”. Me qëllim zbatimin efektiv të këtij ndryshimi ligjor është e nevojshme që ligji nr.10486, datë 26.11.2011, “Për një ndryshim në ligjin nr.8662, datë 18.9.2000, “Për trajtimin si titull ekzekutiv të faturës së konsumit të energjisë elektrike””, të shfuqizohet. Me anë të këtij ndryshimi shoqëritë publike nuk mund bllokohen për shkak të mospagesave në kohë të faturave të lëshuara nga subjektet private pjesëmarrëse në sektorin e energjisë elektrike.

Pse duhej të ndërhyhej në ligj?

  • merret në konsideratë situata aktuale në sektorin e energjisë elektrike dhe shkaqet objektive të mos pagesave në kohë të faturave nga shoqëritë publike;
  • vjen si rrjedhojë e faktit që qeveria shqiptare me anë të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë është e angazhuar në shlyerjen e të gjitha detyrimeve të prapambetura të prodhuesve të energjisë elektrike;
  • do t’u japë frymëmarrjen e nevojshme shoqërive publike që operojnë në sektorin e energjisë elektrike dhe do të japë rezultat në përmirësimin e situatës financiare të shoqërive KESH, OSHEE dhe OST.

 

 

March 16, 2015 07:44
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*