Vendndodhja e Spinaricës, pranë zbulimit të një misteri

July 16, 2017 11:37

Vendndodhja e Spinaricës, pranë zbulimit të një misteri

 

Dokumente mesjetare mbi lulëzimin dhe fundin e një qyteti-port në Myzeqe, tashmë të zhdukur pa lënë gjurmë…

Ilirjan GJIKA 

Qyteti-port i Spinaricës që “jetoi” midis viteve 1205-1370 ishte që nga qendrat e rëndësishme ekonomike të Myzeqesë mesjetare. Do të ishin venecianët apo raguzianët që do ta quanin kështu, për shkak të bimës aq të përhapur të Zhukës (Juncus) që mbizotëron në këtë zonë. Me gjethet e saj në formë gjëmbash, që në latinisht përkthehet “spina”, dmth Spinaricë, në shqip Gjëmbas –vend që të shpon.

Spinarica u ngrit në grykëderdhjen e lumit Vjosa dhe prej saj importoheshin artikuj luksi si verë, cohëra të ndryshme, armë dhe eksportohej grurë, mel, bathë, mëndafsh apo prodhime të tjera bujqësore dhe blegtorale. Qëllimi i skelës së Spinaricës ishte eksportimi i produkteve bujqësore të fushës së Myzeqesë, që konsiderohej në Shqipërinë mesjetare si “hambari i grurit”. Por një nga artikujt kryesorë ishte edhe kripa, e cila nxirrej me shumicë në kriporen aty pranë.

Deri në gjysmën e dytë të shekullit XIV-të, tregu Spinaricës ishte më i rëndësishmi në Shqipërinë e jugut, përsa i përket tregtisë së grurit. Dokumentet e kohës dëshmojnë për një eksport të madh të tij, që nis nga viti 1276 dhe vazhdon deri në vitin 1345 (Acta Albaniae I. 794, 529).

Në Spinaricë ishin ngritur edhe koloni të tregtarëve veneciane dhe raguziane. Ndërsa zyrat konsullore e të këtyre republikave detare dëshmohet qysh nga viti 1277 (Acta Albaniae. I. 368, 369, 534). Për t’i shërbyer më mirë trafikut detar do të ngrihej edhe qyteza, ku do të banonin dhe strehoheshin tregtarët, detarët si dhe do të funksiononte edhe rrjeti i shërbimeve, me bujtina, metalpunues, marangozë, nallbanë, etj.

Nga dokumentet e ndryshme të shekullit të XIV-të, përmenden edhe disa banorë të këtij vendbanimi mesjetar, si Mihali i Spinaricës apo i biri i Nikollës së Spinaricës. Ndërkohë që, përveç tregtisë, Spinarica, kryente funksionet edhe të një porti ushtarak. Fillimisht ajo përmendet në vitin 1205, kur i jepet Venedikut bashkë me Gllavinicën dhe Vlorën (Acta Albaniae. I. 130).

Po kështu, Spinarica ishte pjesë e prikës që mori Manfred Hoheshtaufeni, nga martesa e tij me vajzën e Mihalit II, të despotatit të Artës (Acta Et Diplomata. I. 125). Ndërsa në vitin 1277, ajo shërbente si bazë e flotës detare bizantine, nën komandën e sevastit Stano (Acta Albaniae. I. 491). Gjithashtu edhe flota anzhuine gjatë sulmit të saj mbi Berat, në vitin 1279 e ktheu atë në bazë të rëndësishme të saj (A. Duceller. La façade maritime de A’lbanie au Moyen age. Durazzo et Valona du XI au XV siècle. Tessaloniki 1981. f. 252).

Kështu, për vetë rëndësinë që kishte, Spinarica, kaloi gjatë ekzistencës së saj nën zotërimin e Bizantit dhe më pas të Venedikut, Despotatit të Artës, Hohenshtaufenve dhe Anzhuinëve të Napolit, apo mbretërisë Serbe. Pas vitit 1370, qyteti-port, nis të mos përmendet më në dokumentet historike (Acta Albaniae. I. 368). Ajo mbeti vetëm një emërtim i përdorur vetëm në hartat dhe portulanët perëndimorë të lundrimit.

Duket qartë se pas kësaj kohe, Spinarica, ose braktiset ose ndërron emër, për të humbur për shumë kohë në histori së bashku me vendin e lokalizimit të saj. 3 I vetmi objekt që ka mbetur nga Spinarica mesjetare është kisha e Shën e Premtes. E shpallur si monument kulture që nga viti 1979, ajo sot gjendet gjysmë e rrënuar. I vetmi studim që ekziston për të është ai i bërë nga prof. Aleksandër Meksi, në vitet 70-të të shekullit të kaluar dhe është botuar fillimisht në Revistën Monumentet, me titullin: “Disa kapela bizantine në vendin tonë” (Monumentet, 10, Tiranë 1975), për të vijuar më pas në vitin 1983, në librin e këtij studiuesi: “Arkitektura Mesjetare në Shqipëri” (f.122-123). Sipas tij, kisha e Shën e Premtes është ndërtuar diku në fund të shekullit të XIII-të, fillimi i shekullit të XIV-të. Ajo është një kapelë njënefëshe me planimetri katërkëndëshe.

Objekti ka vetëm një hyrje në anën veriore, një absidë prej tre faqesh dhe ngrihet mbi një xokol të ndërtuar me gurë. Nga brenda kisha është mbuluar me qemer ndërsa dyshemeja është e pashtruar me e mbuluar me dhe.

Teknika e ndërtimit të saj është e ndryshme dhe për të janë përdorur gurë të marrë nga rrënojat e Apolonisë dhe tulla të kuqe (Meksi, po aty). Kisha ndodhet pranë ish kënetës së Hoxharës një gji i dikurshëm deti, ku kishte grykëderdhjen lumi i Vjosës. Mendohet se ajo është objekti i vetëm që ka mbetur nga qyteza e dikurshme e Spinaricës. Ndërtimet e tjera të saj, ashtu të rrënuara, u përdorën si materiale ndërtimi nga popullsia vendase, që u rivendos këtu në këtë pjesë të Myzeqesë bregdetare, diku në fillim të shekullit të XVIII-të. Vetëm kisha shpëtoi prej tyre duke na dëshmuar lokalizimin e Spinaricës së dikurshme.

Për ndërtimin e Shën e Premtes ekzistojnë disa hipoteza.

Së pari, kisha mund të jetë ngritur nga venecianët ose raguzianët për nevojat e tyre shpirtërore. Kjo mund të ketë ndodhur pas 20 qershorit të vitit 1210, kur despoti Mihal I i Epirit, i akordoi venedikasve përveçse privilegjeve ekonomike edhe privilegje shpirtërore. Midis të tjerave në të thuhet se në të gjitha tokat e tij venedikasit: “… le të kenë ku të duan kishën, kurjen dhe fondikun dhe të gjitha nderimet e tjera shpirtërore ashtu dhe tokësore” (Acta Et Diplomata. I. 140). Marrëveshja midis territoreve që përfshin kjo marrëveshje është edhe kartularati i Gllavinicës, pjesë e të cilit ishte edhe Spinarica.

Ndërsa hipoteza e dytë thekson se kisha mund të ketë qenë ndërtuar nga bizantinët, kur Spinarica ishte nën zotërimin e tyre. “Spinarica ishte porti kryesor ku evadoheshin produktet e Despotatit të Beratit në drejtim të Venedikut dhe Raguzës. Domethënë ajo shfaqej si një treg shtetëror i këtij Despotati,– thekson historiani Pëllumb Xhufi për të (P. Xhufi. Nga Paleologët tek Muzakajt, Sh. B. 55, Tiranë 2009, f. 35-36).

Ndërsa një tjetër provë se kisha e Shën e Premtes ishte kisha apo një nga kishat e Spinaricës, është se ajo ndodhej pranë shtratit të dikurshëm të Vjosës. Këtë na e dëshmon edhe shkrimtari Aristotel Mici, në shkrimin e tij “Rreth Portit të Mundshëm Detar të Apolonisë”, ku midis të tjerave shkruan se: “Ashtu si e mbaj mend, deri në vitin 1955, kur e kam vizituar tok me shkrimtarin Jakov Xoxa, kisha e Shën e Premtes ngrihej në një vend gjysmë të shkretë, në bregun e majtë të Lumit të Vdekur, afër grykës së tij” (Aristotel Mici, “Rreth Portit të Mundshëm Detar të Apolonisë”, Dielli, 16 gusht 2014). Kështu, mund të themi se “Lumi i Vdekur”  nuk është gjë tjetër veçse shtrati i dikurshëm i Vjosës, i cili kalonte fare pranë kishës, gjë që vërteton edhe njëherë tezën, se këtu dikur ndodhej Spinarica.

Edhe studimi i kishës së Shën e Premtes nga Aleksandër Meksi, e përforcon një gjë të tillë. Në studimin e mësipërm, studiuesi i njohur i monumenteve të kultit, kur bën përshkrimin e terrenit dhe të themeleve të saj, midis të tjerave thekson: “…duke filluar nga dera e deri në anën perëndimore themeli është gati një metër më i ulët duke zbuluar themelet e kishës në këtë anë. Duket se këtu ka qenë bregu i kënetës” (Aleksandër Meksi, Monumentet, 10, Tiranë 1975, f. 85). Pra, i kënetës të cilët e krijonte lumi i Vjosës që kalonte pikërisht aty, duke lënë si dëshmi edhe shtratin e quajtur nga vendasit si “Lumi i Vdekur”. Por, duke theksuar faktin se dikur kishat ndërtoheshin në vende të banuara për t’i shërbyer komunitetit, me të drejtë lind pyetja. Kjo kishë e ndërtuar në të njëjtën kohë me ekzistencën e Spinaricës dhe në grykëderdhjen e Vjosës, kujt vendbanimi i përket?! “Ç’kërkonte” ajo, siç e përshkruan Prashnikeri: “…në mes të kënetës së shkretë’’ (Camillo Praschniker, Muzakia und Malakastra, Alfred Holder, Wien 1920, f. 39). Ndërkohë që kisha e Shën e Premtes mban emrin e njërës prej shenjtoreve të kishës, që njihet si shëruese dhe përkujtohet në kalendarin kishtar çdo 26 korrik. Ndoshta në këtë pjesë të Myzeqesë, ku si në të gjithë ultësirën pranadriatike të Shqipërisë, ishin dikur evidente sëmundje të tilla si malarja, njerëzit kishin nevojë për besim dhe shpresë.

Kështu, kisha e Spinaricës u pagëzua prej banorëve apo ndërtuesve të saj me emrin e Shën e Premtes, me idenë, se shenjtorja-shëruese, do t’i mbronte ata nga sëmundjet dhe epidemitë të cilat gjatë mesjetës bënin kërdinë. Si qytet-port, ajo do të mbronte edhe detarët që ktheheshin nga udhëtimet në det, ku mungesa e kushteve higjienike dhe ushqimet i bënin ata ndër më të prekurit. Duhet theksuar se dihet shumë mirë, që murtajën në Evropë e sollën dikur nga Krimea, marinarët gjenovezë në shekullin e XIV-të. Ishin pikërisht minjtë e hambarëve të anijeve ata që e bartën virusin vdekjeprurës së “Vdekjes së zezë”, nga e cila u zhduk 1/3 e popullsisë së atëhershme të Evropës (Zhak Le Gof, Qytetërimi i Perëndimit Mesjetar, Toena, Tiranë 1998, f. 505) . Prandaj ngritja e kishave me funksione të tilla ishte një praktikë e njohur edhe në këtë rajon të vendin tonë.

Për të vërtetuar plotësisht se Spinarica ndodhej këtu, pranë kishës së Shën e Premtes, le të rendisim me radhë disa argumente. Si fillim, mund të themi se ky qytet-port, gjendej pranë Apolonisë. I pari që e mbështeti këtë ide ishte albanologu Milan Shuflai. Në librin e tij “Serbët dhe Shqiptarët”, midis të tjerave ai shkruan se: “Si shembull i Dukles është Apolonia në jug….Me banorët e saj u mbushën qytetet e vogla që gjenden rreth e qark, bazën e të cilave e përbënin kështjellat bizantine. Kështu u formua Spinarica e kohëve të mesme mbi lumen e Vjosës…’’ (Milan Shuflai, Serbët dhe Shqiptarët’’, Bargjini, 2001, f. 82).

Këtë gjë na e vërteton edhe dokumenti i datës 15 nëntor 1297, të cilin e citon Pëllumb Xhufi te libri i tij “Nga Paleologët te Muzakajt”. Sipas tij: “Një anije raguziane e nisur nga Durrësi, u detyrua për një avari të ankorojë në vendin e quajtur Slanicë pranë Spinaricës. Këtu u shkarkua ngarkesa me mall, që pastaj u shpërnda në shtëpitë e Buvalcariorum de la Polina… Polina është emri mesjetar i Apolonisë së lashtësisë dhe i Pojanit të sotëm” (Acta Albaniae. I. 528-shiko tek P. Xhufi, Nga Paleologët tek Muzakajt, f. 135). Ndërkohë që Sllaniku ndodhet sot disa kilometra në Jug-Perëndim të kishës së Shën e Premtes në fshatin Boçovë (Fier). Pra nga citimi del se midis Sllanikut dhe Polinës ndodhej Spinarica (Shën e Premtja). Ndërkohë që disa autorë të tjerë argumentojnë tashmë, se Spinarica mesjetare nuk është gjë tjetër veçse porti i dikurshëm i Apolonisë antike. Ata e lidhin këtë gjë edhe me afërsinë e madhe midis kishës së Shën e Premtes dhe qytetit antik, e cila shkon në nga 1.5-2 km (Straboni thekson se Apolonia ndodhej 1.5 km nga shtrati i Vjosës).

Pikërisht rreth saj teze, Ilirjan Gjika dhe Etnor Canaj, si bashkautorë, theksojnë se në funksion të bazës ushtarake të Spinaricës ishte edhe garnizoni i vendosur në Apoloni, ku ndodhej edhe një manastir të fortifikuar. Edhe elementët romanikë të kishës së Shën Marisë, të këtij manastiri, lidhen me vendosjen e garnizoneve perëndimore, ndoshta normane apo anzhuine. Po kështu edhe piktura murale e portikut të kësaj kishe, me figurat e pikturuara të perandorëve bizantinë, Mihalit VIII dhe Andronikut II Paleologë, të cilën luftuan kundër anzhuinëve në Berat dhe këtë trevë, dëshmojnë praninë ushtarake bizantine këtu (I. Gjika-E. Canaj, Debati mbi lumin e Vjosës, Ku ndodhej Spinarica mesjetare, Gazeta Standard, 11 qershor 2014). Kjo gjë vërtetohet edhe nga gërmimet arkeologjike të kryera në teatrin e Apolonisë siç është gjetja në të e monedhave, disa prej të cilave i përkasin periudhës kur funksionoi Spinarica, asaj të shekujve XIII-XIV-të.

Pikërisht gjatë gërmimeve në teatër, në vitet 1971-1981, arkeologia Aleksandra Mano, gjeti aty një koleksion monedhash mesjetare si: bizantine, veneciane apo të principatës së Akesë (Aleksandra Mano, Apolonia e Ilirisë, Tiranë 2006, f. 554-560). Si duket, del se Spinarica ka funksionuar edhe pas vitit 1370 por edhe gjatë shekullit pasardhës, tashmë me emrin e vjetër, Apoloni. Janë një sërë dokumentash osmane që e përmendin atë si bazë detare për ndërtimin e anijeve të marinës osmane, rreth një sulmi të mundshëm në Itali. “Pranë Apolonisë shumë e madhe duhet të jetë përgatitja e ushtrisë kalorëse dhe këmbësore të turqve…”, thuhen në një letër të janarit 1480, të cilën rektori i Raguzës ja dërgon mbretit të Napolit (Dokumente të Shekullit të XV për Historinë e Shqipërisë, vëll IV, I, Tiranë 1967, f. 49). Duke ju referuar këtyre ngjarjeve edhe Pëllumb Xhufi është i mendimit se “Në Spinaricë duhet të kishte një kantier ndërtimi anijesh” (P. Xhufi, Dilemat e Arbërit, Pegi, Tiranë 2006, f. 186).

Së dyti, “Montes Spinarizae” (Acta Et Diplomata. I. 245) apo malet e Spinaricës që përmenden në kontratën e martesës së Manfredit Hohenshtaufen, nuk janë gjë tjetër veçse kodrat e Apolonisë dhe të prapatokës së saj, pra kodrat e Mallakastrës së sotme (….dhe disa kështjella si Durrësin, Vlorën, Kaninën, Beratin, malet e Spinaricës).

Së treti, kur Spinarica përmendet për herë të parë në vitin 1205 në Acta Et Diplomata, theksohet se ajo është pranë Gllavinicës dhe e veçuar nga Vlora, pikërisht në ligjëratë të drejtë: “…Spinarsa me kartularatin e Gllavinicës, i cili kartularat mund të jetë me tri ose katër fshatra të vogla dhe Vlora’’ (Acta Et Diplomata. I. 130). Pra Spinarica del se është pjesë e kartularatit të Gllavinicës, Bylisit mesjetar në Mallakastrën e sotme.

Së fundmi, ajo që e rrëzon përfundimisht tezën e deritanishme, e cila e lokalizonte Spinaricën në Zvërneci, është harta e vitit 1476, e hartografit Italian nga Ankona, Andrea Benincasa. Në të na jepen me radhë portet e bregdetit shqiptar të Adriatikut si: “…Pirgo, Levalli (Devolli), Spinarça, Cavo de Cauroni, Lavalona (Vlora) (Ludwig Von Thalloczy, Vëzhgime Iliro Arbërore, Camaj-Pipa, Shkodër 2004, f. 132).

Kështu midis Vlorës dhe Spinaricës ndodhet Cavo de Cauroni ose siç e quan Ana Komnena, “Kavaloni” (Alex. Vol I. Lib X 8. f. 81-85), dhe që korrespondon sot me Zvërnecin apo me njërin prej kepeve të Triportit që ndodhen pranë tij (Plaka, Kavaloni, Portonovo). Po kështu edhe përshkrimi që Eqrem Bej Vlora, i bën kësaj treve për periudhën e mesjetës është në përputhet me tezën tonë. “Atëherë, shkruan ai midis të tjerave, tokat e Myzeqesë së Vogël nuk ishin mbathur ende, arat mbaronin në feudin e Bishanit që ishte një Qefallohor (katund i lirë) dhe njëkohësisht liman detar në grykën e Vjosës” (Eqrem Bej Vlora, Kalaja e Kaninës Dhe Shkrime Të Tjera, Koçi, Tiranë 2004, f. 34). Ndërkohë që Bishani nuk është larg Shën e Premtes veçse dy kilometër më në jug dhe feudi në fjalë e përfshinte atë atëherë në territoret e tij.

Pra, mund të themi me plot të drejtë se ka ardhur tashmë koha, që edhe kjo tezë e cila po gjen çdo ditë e më tepër të fakte, të dhëna dhe argumente të reja, duhet që të përditësohet edhe në historiografi. Nëse përpara tre dekadash do të theksohej, se për vendndodhjen e Spinaricës nuk kishte të dhëna materiale dhe për këtë mund të merrej në konsideratë hipoteza e Dyseliesë, që e vendoste atë rreth Zvërnecit të sotëm, tanimë kushtet kanë ndryshuar. Ekzistenca e kishës së Shën e Premtes tregon shumë. Ajo së bashku me të dhënat që ofrojmë janë një tregues i qartë në favor të tezës sonë. Dhe kështu, së bashku me Apoloninë fqinje, Spinarica, do të jetë një vlerë e shtuar edhe e turizmit kulturor në këtë trevë të bashkisë Fier.

July 16, 2017 11:37
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*