Vështirësi qarkullimi në zonat me dëborë, mjegull në Rrugën e Kombit

January 4, 2016 10:30

Vështirësi qarkullimi në zonat me dëborë, mjegull në Rrugën e Kombit

Përveç reshjeve të dëborës, autostrada Durrës-Kukës, kryesisht përtej tunelit është e mbuluar edhe nga mjegulla.

Prej javësh, mjegulla mbulon zonën verilindore të vendit, por tashmë i janë shtuar edhe reshjet e dëborës, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve.

Policia i bën apel drejtuesve të mjeteve të lëvizin me kujdes, pasi ka dhe prani bore.

Në Mirditë, është punuar gjatë gjithë natës për të mbajtur hapur Rrugën e Kombit duke hedhur kripë e skorie. Reshje ka pasur edhe në zona të tjera të vendit, si në Korçë, Shkodër si dhe Dibër.

Akset problematike janë: Korçë-Dardhë, Bilisht-Kapshticë, Krumë-Qafë Prush (Kosovë), Kukës-Shishtavec si dhe Qafë Thore-Theth, në Shkodër.

Qarku Kukës

Në të gjithë qarkun ka pasur reshje bore, e cila ka arritur deri në 10 cm në qytetin e Kukësit dhe 15 cm në qytetin e Bajram Currit. Dëbora e rënë ka shkaktuar bllokimin e aksit rrugor Krumë-Qafë Prush që të nxjerr në Kosovë. Prefekti i Qarkut Kukës ka komunikuar me një firmë kontraktore për të bërë të mundur zhbllokimin e këtij aksi rrugor, duke futur në punë 2 borëpastruese. Edhe aksi rrugor Kukës-Shishtavec ka bllokime në pjesë të caktuara si rezultat i reshjeve të dëborës. Ndërkaq, furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm ka qenë pa probleme.

Qarku Shkodër

Në Malësi të Madhe ka pasur reshje dëbore në zonën e Vermoshit dhe zonën e Thethit. Aksi rrugor Qafë Thore – Theth është i bllokuar. Nga ana tjetër vijon puna për të mbajtur të hapura të gjitha akset rrugore nacionale, të cilat janë rënduar si rezultat i rënies së borës.

Qarku Korçë

Ditën e sotme ka pasur reshje bore në fshatrat Dardhë e Kapshticë. Në doganën e Kapshticës ka pasur një bllokim të aksit rrugor Bilisht – Dogana Kapshticë, por janë marrë masat menjëherë me 2 borëpastruese për pastrimin e këtij aksi rrugor.
Disa probleme në qarkullim janë shfaqur edhe në aksin rrugor Korçë- Dardhë, ku në pjesë të caktuara ka pasur bllokime.
Policia e Shtetit u bën thirrje drejtuesve të mjeteve që qarkullojnë në këto akse të përdorin zinxhirët në automjetet e tyre.

Në qarqet e tjera të vendit ka pasur reshje shiu me densitet të ulët dhe nuk ka pasur problematika për shkak të kushteve të motit.

Pritet të ketë një rritje të nivelit të ujërave në lumenjtë: Shkumbin, Ishëm, Erzen, Mat, Drin dhe Bunë.

MPB ka njoftuar të gjitha prefekturat ku pritet të ketë probleme të shkaktuara nga kushtet të motit, që të marrin të gjitha masat për përballimin e situatave të mundshme që mund të krijohen.

January 4, 2016 10:30
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim