Pse media nuk duhet t’i raportojë vetëvrasjet

October 9, 2017 09:04

Pse media nuk duhet t’i raportojë vetëvrasjet

Në dy prononcime për gazetën  “Dita”,  ekspertët e shëndetit mendor Ariana Reli në Shqipëri dhe Naim Fanaj në Kosovë tregojnë se forma e raportimit të një vetëvrasjeje luan një rol të veçantë në frenimin e këtij fenomeni.

Psikiatri Naim Fanaj:

Doktor, si ndikon në përhapjen e vetëvrasjeve amplifikimi i këtyre rasteve në media?

Bazuar në një analizë-studim të vitit 2008 mbi shtypin dhe shkrimet mbi suicidin kemi gjetur se shtypi lëngon keq në qasjen këtij fenomeni, sidomos ai në Shqipëri. Por edhe mediat e tjera po ashtu nuk qëndrojnë më mirë. Rendja pas lajmit bombastik bën që të harrohen efektet shumë negative që kanë shkrimet sensacionaliste edhe për rastet me suicid.

Titujt e mëdhenj, tejtheksimi i faktorit social, përshkrimi me imtësi i rrjedhës, fotot, tragjiciteti që e përshkojnë ngjarjen, pa dyshim, e shtojnë pranimin e suicidit si një metodë për zgjidhjen e problemeve, për të mos thënë se shërbejnë si një katalizator në vendimmarrjen tragjike.

Shtypi shqiptar është mjaft larg rekomandimeve të ekspertëve të shëndetit mendor në botë mbi mënyrën e shkrimit për vetëvrasjen. Me këtë mendoj se ka një ndikim dukshëm negativ në sjelljen suicidale të shqiptarëve.

Konkretisht çfarë po ndodh me shoqërinë shqiptare, pse po shtohen këto raste?

Kur jemi te vetëvrasja, kemi vërejtur se Shqipëria ka një koeficient më të lartë sesa Kosova. Nuk jam ndonjë njohës i madh i shoqërisë shqiptare, por mund të them se çështja e vetëvrasjeve është shumë komplekse dhe së pari është faktori i shëndetit, çrregullimeve mendore që i shkakton vetëvrasjet (depresioni, abuzimi me substancat, skizofrenia etj), për të kaluar pastaj edhe tek faktorët social. Por një gjë mund të them se një nga faktorët kryesorë të gjetur në studimet mbi suicidin, është pashpresa. Ajo i jep flakë këtij akti tragjik. Besoj se në shoqërinë shqiptare dhe kosovare prezenca e pashpresës është me bollëk.

Cilat janë masat që dikasteret duhet të marrin për të  frenuar këtë fenomen negativ?

Institucionet qeveritare dhe ato profesionale nuk kanë arritur të hartojnë politika ose strategji që qartazi ta adresojnë këtë problematikë, si dhe të kontribuojnë në parandalimin ose zvogëlimin e vetëvrasjeve. As në Shqipëri, as në Kosovë. Edhe disa gjëra që janë bërë, kanë ngelur vetëm në letra ose në sirtarë. Profesionistët e shëndetit mendor nuk munden ta përmirësojnë këtë gjendje vetëm duke punuar me pacientë në mjediset e tyre. Sidomos brezi i ri ka nevojë për më shumë programe parandaluese.

 

Psikiatrja Ariana Reli: Vetëvrasja është dukuri që imitohet

Të gjithë ne jemi dëshmitarë të vështirësive me të cilat po përballet çdo ditë shoqëria shqiptare. Tranzicioni i stërzgjatur, lëvizja e lirë e popullsisë, pamundësia për të gjetur punë, vështirësitë ekonomike, diversiteti i kulturave dhe mentaliteteve, kriza dhe konfliktet brenda familjeve si dhe pamundësia për të gjetur rrugën e daljes nga vështirësitë e kohës, shpesh e bëjnë individin të gjendet në udhëkryq dhe me vendimin për t’i dhënë fund jetës.

Së fundmi, secili nga ne ka qenë shpesh i ekspozuar ndaj rasteve suicidale, të cilat nuk kufizohen vetëm me komente gjatë një takimi të rastësishëm apo gjatë një bisedë në tavoline, por edhe raportimit të këtyre rasteve në media.

Studime të shumta të kryera në disa vende kanë vërtetuar se vetëvrasja është dukuri që imitohet. Mënyrat e përshkrimit, ekspozimi i detajeve të metodës së përdorur, përshkrimi i papërshtatshëm i kontekstit, toni dhe gjuha e përdorur mund të ndikojnë ndjeshëm veçanërisht atë pjesë të popullsisë që është më e prekshme ndaj fenomenit. Çështja qëndron në vulgarizimin ekstrem të raportimit që mund të krijojë një kulturë vetëvrasjeje, ku suicidi shihet si një mënyrë e pranueshme për t’u larguar nga vuajtjet e kësaj bote.

Vetëvrasja është rrallë rezultat i një faktori ose ngjarjeje të vetme. Ajo është finalizimi ekstrem i ndërveprimit të një sërë faktorëve dhe zakonisht përfshin një histori problemesh psikosomatike, sëmundje mendore apo fizike, abuzim me substanca, mosmarrëveshje familjare, konflikte ndërpersonale dhe stresorë të tjerë të jetës. Media duhet të sqarojë se ngjarja finale që çoi në vetëvrasje, nuk ishte shkaku i vetëm i saj.

Raportimi i përsëritur ose i tepruar i vetëvrasjeve ka shumë mundësi të gjenerojë suicid ndërmjet grupeve më të rrezikuara, veçanërisht të moshave 15-30 vjeç. Nëse vetëvrasja prezantohet si një mënyrë efektive e zgjidhjes së problemeve të vështira, ajo mund të perceptohet si zgjidhja e duhur kur njerëz të tjerë në risk për suicid përballen me probleme të ngjashme.

Është e rëndësishme të merren më shumë në konsideratë pasojat e vetëvrasjes tek familja dhe të afërmit, stigma dhe vuajtja psikologjike e tyre.

Media mund të luajë një rol aktiv për të parandaluar vetëvrasjet duke publikuar ofruesit e shërbimeve të shëndetit mendor, shenjat paralajmëruese të  sjelljes vetëvrasje, duke përcjellë mesazhin se sëmundje që komplikohen me suicidin, mund të trajtohen dhe kurohen.

Është e domosdoshme vendosja e një bashkëpunimi ndërmjet shëndetësisë dhe medies për të shpëtuar jetë dhe për të promovuar një mirëqenie të plotë të komunitetit.

October 9, 2017 09:04
Komento

1 Koment

  1. MH October 9, 14:08

    Megjithese kerkume me shume dashuri demokracin.Kjo “Demokraci” po na kosit njeriun e pa shprese qe jo nuk i mungon shoqerise por po ka me bollek.Edhe sot vashdojme te kritikojme monizmin social si te pa shprese por qe ne ate monizem askush nuk vetflijohesh.Te gjithe kishin nji nivel te barabarte shprese per te jetuar.Kishim mjaft mangesi por te gjithe e donin jeten sa ma te gjate e per cudi nuk kishim te tilla fenomene sociale vetflijuse.Sepse simbas propgandes sot,ne ate sitem monist duhet te kishim te pakten per modesti 50% te shoqerise ne vendim veteflijimit. Dhe jo si sot kur demokracia na i ka “garantue” lirin pa limit dhe vetflijimi ka marre uraten me shume kryelartesi per te mos jetuar ne dashuri me dashnoren “demokraci”!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*