Vetingu në drejtësi, mes dyshimit dhe shpresës

April 22, 2019 15:40

Vetingu në drejtësi, mes dyshimit dhe shpresës

Nga Todian Greku

Në vitin 1990 shqiptaret rrezuan një nga diktaturat më të egra në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore. Nën thirrjet “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” mori fund një regjim në të cilin të hidheshin prangat vetëm nëse guxoje të mendoje kundër vijës se partisë. Por pas afro 29 vjetësh është e qartë se kjo nuk është Europa për të cilën ëndërronin të gjithë. Duket se pas tre dekadash, tranzicioni ende nuk ka marrë fund, ndërsa integrimi për në familjen e madhe europiane është ëndrra tjetër më e madhe pas rrëzimit te diktaturës. Anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk vjen pa plotësuar më parë kushtet, disa prej të cilave Brukseli i ka të panegociueshme. Një ndër to është ndërtimi i një shteti të lirë dhe demokratik, i cili të bazohet mbi parimet e së drejtës dhe ku shkelësit e ligjit marrin dënimin që u takon.

Por nuk ka ndodhur kështu në Shqipërinë postkomuniste…

Korrupsioni dhe krimi duket se janë ulur këmbëkryq në shoqërinë tonë, ndërsa institucionet e sistemit të drejtësisë e kanë humbur çdo vit e më shumë besimin e qytetareve. Drejtësia është një nga pushtetet, të cilat partitë politike janë munduar ta kenë nën kontroll dhe duket se ia kanë arritur qëllimit. Përdorja sipas interesave të çdo krahu politik ka bërë që përveçse një kusht për integrimin në BE, reforma në sistemin e drejtësisë të jetë, domosdoshmëri.

Deri tani Shqipëria është një nga rastet e rralla në të cilin ndërhyrja në sistemin e drejtësisë është kaq rrënjësore. U deshën ndryshimet në Kushtetutë që të evitohej mundësia që reforma të bëhej nul nga gjykata. Impenjimi i ambasadorëve të SHBA dhe BE ishte aq i madh saqë dështimi nuk ishte një opsion. Në korrik të vitit 2016, si rrallë herë më parë, parlamenti miratoi paketën e ndryshimeve kushtetuese me 140 vota pro. Menjëherë pas miratimit të reformës në sistemin e drejtësisë nisi edhe puna për ngritjen e institucioneve të reja që parashikoheshin në ligj. Në thelb, reforma parashikonte nxjerrjen nga sistemi i të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar, te paaftë dhe ata që kishin lidhje me persona të inkriminuar. Gjithashtu një nga elementët kyç të reformës ishte edhe shkëputja e varësisë dhe ndërhyrjeve të politikës. Pra krijimi i një sistemi drejtësie i cili do të kishte mundësi të “vetëqeverisej” dhe që të kishte nevojë minimale për ndërhyrje nga parlamenti.

Faza e parë dhe më e rëndësishme ishte vetingu, një proces i cili do të kontrollonte trupën e magjistratëve për deklarimet e pasurisë, kontrollin e figurës dhe aftësitë profesionale. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në një farë mënyre është edhe “zemra” e reformës në sistemin e drejtësisë,  pasi çdo magjistrat duhet të kalojë fillimisht në filtrat e tij dhe më pas mund të aplikojë për institucionet e reja, si KLP, KLGJ, SPAK apo BKH. Për të monitoruar punën e KPK-së, si pjesë e reformës u ngrit edhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Edhe pse pa funksione ekzekutive, por vetëm në rolin e këshilluesit dhe ndihmësit, përfshirja e ndërkombëtarëve erdhi pikërisht për të rritur besueshmërinë e procesit të vetingut. Që nga dita kur nisi punën, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka kaluar në “sitë” rreth 111 magjistratë nga 802 që është në total numri i tyre. Edhe pse përgjithësisht puna e KPK-së është lavdëruar nga ndërkombëtarët, nuk janë të pakta rastet kur është vënë seriozisht në dyshim integriteti dhe serioziteti i punës së këtij institucioni.

Një ndër ato raste që ka lënë “shije të hidhur” te qytetarët ka qenë konfirmimi në detyrë i Donika Prelës, Drejtuese e Prokurorisë për Krimet e Rënda e komanduar në detyrë në  maj të vitit 2018. Sipas raportit të administruar nga ILDKPKI, rezultoi se Prela nuk ka bërë deklarim të saktë në përputhje me ligjin dhe ka probleme me pasurinë, kryesisht me të ardhurat e siguruara nga bashkëshorti. Gjatë procesit të vetingut janë shkarkuar prokurorë apo gjyqtarë që kanë pasur një shtesë ndërtimi të pajustifikuar në deklaratën e pasurisë por në rastin e znj.Prela nuk ndodhi kështu. Komisioneret i njohën si të ligjshme të ardhurat e bashkëshortit, edhe pse kishte punuar i pa siguruar në një kompani private. Madje, komisionerët e KPK-së shkuan deri aty sa te shpiknin një term juridik të padëgjuar dhe pa sens. Bashkëshorti i zonjës Prela kishte kryer “evazion fiskal të ligjshëm”!!! Në një nga seancat, prokurorja Prela deklaroi në prani të vëzhguesit të ONM-së, se në Shqipëri është normale mospagesa e taksave. Një tjetër problem me pasurinë e znj.Prela ishte një apartament dhe një tokë, e cila ishte shitur brenda vitit me 3-fishin e çmimit të tregut. Por edhe pse tashme ka dalë vendimi i zbardhur i KPK-së për shefen e Krimeve të Rënda, Komisioneri Publik ende nuk ka vendosur nëse do ta ankimojë vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Sapo kaloi vetingun, Znj.Prela aplikoi për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, prokurorët e së cilës do të zgjidhen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Një tjetër vendim i organeve të vetingut është ai i shkarkimit nga KPA-ja i prokurores së Tiranës, Antoneta Sevdari njëherazi edhe anëtare e Këshillit te Lartë të Prokurorisë. Fillimisht prokurorja e kishte kaluar vetingun, duke u vlerësuar pozitivisht në të trija kriteret gjatë procesit në KPK por Komisioneri Publik vendosi ta ankimojë vendimin me arsyetimin se nuk justifikonte pasurinë e vendosur nga bashkëshorti gjatë kohës që ende nuk ishte martuar. Gjithashtu Kolegji i Apelimit theksonte se bashkëshorti i prokurores duhet të sigurohej ndërsa ishte emigrant në Greqi dhe Arabinë Saudite shumë vjet më parë. Pra znj.Sevdari i kërkohej llogari për pasurinë e krijuar nga bashkëshorti gjatë kohës që ende nuk ishin martuar. Një vendim i tille ka sjellë në një farë mënyre cenimin e besimit te organet e vetingut për sa i përket profesionalizmit.

Një tjetër nga rastet ku vendimi KPK-së cilësohet si i dyshimtë është konfirmimi në detyrë i Kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, pavarësisht se gjatë vetingut iu gjetën shkelje të rënda në deklarimin e te ardhurave, mosjustifikimin e pasurisë dhe evazion fiskal. Edhe pse Zaganjori pranoi se kishte bërë disa kontrata fiktive për pasuritë e tij, kjo nuk ishte e mjaftueshme për komisionerët e KPK-së që ta shkarkonin nga detyra. Kreu i Gjykatës së Lartë, sipas deklaratës së dorëzuar pranë KPK, rezultoi me rreth 1 miliardë lekë pasuri, por përsëri u konfirmua në krye të detyrës. Përfaqësuesit ndërkombëtarë të cilët monitorojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi i kërkuan Komisionerit Publik, ankimimin në Komisionin e Posaçëm të Apelimit (KPA) të vendimit për Zaganjorin. Ankimi për të u bë brenda afatit të parashikuar në ligj, por ende nuk është caktuar një datë fikse, se kur kreu i Gjykatës së Lartë do të dalë para trupës gjykuese.

Në një raport të Komitetit Shqiptar të Helsinkit në Nëntor të 2018, ky cilësohet si një ndër rastet më flagrante ku komisionerët kanë përdorur standarde të dy-fishta në gjykim, pavarësish se provat tregonin qartësisht se Kreu i Gjykatës së Lartë kishte probleme të rënda me justifikimin e pasurisë. Raporti i Komitetit Shqiptar të Helsinkit pohonte se trupat gjykuese të KPK-së kanë ndjekur standarde të ndryshme në mënyrën si i kane arsyetuar vendimet.

Pavarësisht rasteve kur vetingu ka ngritur dyshime mbi profesionalizmin, ky proces nxori në pah batakun e korrupsionit ku kishte rënë sistemi i drejtësisë në Shqipëri. Këtë e tregojnë edhe statistikat. Nga 111 magjistratë të cilët iu nënshtruan kontrolleve, 46 prej tyre u shkarkuan nga detyra kryesisht për shkak të problemeve të renda me mosjustifikimin e pasurisë ndërsa pjesa tjetër u rikonfirmuan në detyrë, ose dhanë dorëheqjen pa nisur ende vetingu. Nëse do t’i qëndrojmë shprehjes së urtë që, puna matet me rezultatet ky është pikërisht rasti i duhur. Edhe pse po ecën me ritme deri diku të ngadalta, në tërësinë e tij vetingu po tregohet shumë efektiv, duke shkaktuar tërmet në Sistemin e Drejtësisë. Deri tani është boshatisur Gjykata Kushtetuese, ku një ndër te shkarkuarit nga detyra është edhe kreu i këtij institucioni ndërsa Gjykata e Larte është jashtë funksionit.

Ky proces bëri atë që për shumëkënd ishte e paimagjinueshme, cenoi paprekshmërinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët në jo pak raste e tregonin me mendjemadhësi se ishin thuajse mbi ligjin. Deri tani KPK ka shkarkuar nga detyra 17 krerë gjykatash dhe prokurorish. Të gjithë emrat e përjashtuar nga Sistemi i Drejtësisë kanë patur probleme me pasurinë, ndërsa ky numër deri diku i lartë i të krerëve të shkarkuar tregon se në çfarë niveli kanë qenë gjykatat dhe prokuroritë tona. Shifrat e të shkarkuarve tregojnë se procesi i vetingut po funksionon dhe drejtësia po spastrohet, pavarësisht akuzave të politikës.

Në këto 29 vjet numërohen me gishtat e duarve rastet e gjyqtarëve të shkarkuar nga detyra apo të vendosur në bankën e të akuzuarve. Kjo edhe për shkak të sistemit të mëparshëm, në të cilin shkarkimi i një gjyqtari apo prokurori kalonte në mjaft procedura dhe burokraci të tejzgjatura.

Tashmë është më e thjeshtë se kurrë. Nëse Komisioneret vërtetojnë se ka probleme me një nga tre komponentët e vlerësimit, mjafton 1 seancë e KPK-së dhe çdo gjyqtar apo prokuror e sheh veten, në rastin më të mirë jashtë sistemit, ndërsa në rastin më të keq me nisjen procedurave për ndjekje penale. Aktualisht jemi në një situatë kur vetingu i rri gjyqtarëve dhe prokurorëve mbi krye si Shpata e Demokleut. Nëse nuk kthehet në një gjueti shtrigash, gjë që ka pak mundësi të ndodhë edhe për shkak të ONM-së, kjo do të ishte një nga reformat më radikale dhe të thella, të zbatuara në Shqipërinë postkomuniste.

Pavarësisht pengesave dhe shkopinjve nën rrota që mundohet të fusë herë pas here politika, tashmë i gjithë procesi është në fazën e zbatimit dhe teknikaliteteve,  duke i lënë mundësi minimale politikës për të ndërhyrë. Më shumë se çdo aspekt tjetër, reforma në sistemin e drejtësisë po rikthen shpresën dhe besimin te qytetarët. Po rikthen shpresën se drejtësinë nga togat e zeza do ta marrë ai që i takon dhe jo ai që paguan apo ka më shumë miq. Në gjithë këto vite sistemi i drejtësisë ka funksionuar si një “grup i strukturuar”, ku të gjithë mbronin njëri-tjetrin, mbronin dhe mbroheshin nga politikanët.

Tashme duket se kjo lidhje “okulte” është shkëputur. Nga çdo student i magjistraturës po largohet ideja se te qenët gjyqtar dhe prokuror, nuk është qëllim në vetvete për të bërë sa më shumë para, por për të dhënë drejtësinë sipas meritës.

 

April 22, 2019 15:40
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*