Vetingu, si pjesë e luftës politike

May 25, 2018 13:53

Vetingu, si pjesë e luftës politike

 

Todian Greku*

Për pjesën më të madhe të shqiptarëve sistemi i drejtësisë është një nga ato hallka të shoqërisë, i cili për shumë vite ka degraduar në nivele të larta korrupsioni, ndikim politik dhe paaftësi. Integrimi në familjen europiane është parë më shumë si një hap, i cili do të zgjidhtë mjaft probleme që ndër vite janë krijuar ose nuk kanë marrë zgjidhje nga klasa politike. Integrimi në BE nuk është në dëshirën e politikanëve shqiptarë, por në plotësimin e një sërë kushtesh dhe plotësimin e standardeve te vendosura nga zyrtarët e unionit. Një nga “ngrehinat”, e cila duhej shembur dhe ringritur nga e para sipas një modeli evropian, ishte edhe sistemi i drejtësisë. Por a do të arrihej kjo?

Klasa politike në Shqipëri në rrjedhën e viteve është shquar për përplasjet dhe konfliktet e vazhdueshme deri në bllokimin ë funksionimit të institucioneve të ndryshme. Por nuk ndodhi kështu në 22 korrik të vitit 2016, kur Kuvendi i hapi rrugë me 140 vota pro nisjes së Reformës në Sistemin e Drejtësisë. Deri në ditën ë votimit, diskutimet politikë për bazën ligjorë dhe fillimin e Reformës kaluan në debate të forta politike, të cilat u tejkaluan në konsultime të vazhdueshme me Ambasadën Amerikanë dhe Përfaqësinë e BE-së. Paketa e Reformës në Drejtësi e miratuar në vitin 2016, mbi të gjitha synonte rikthimin e besimit publik të gjyqësori.

Një nga shtyllat kryesorë të reformës është Vetingu, kalimi në sitë i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve edhe nxjerrja jashtë sistemit e të gjithë të korruptuarve. I kanë shërbyer interesave politike në të dyja krahët, këtë e kanë treguar edhe vendime gjyqësore, të cilat kanë shkaktuar jo pak habi te përfaqësuesit e “Perëndimit” në Shqipëri.

Parimisht procesi duhej të kishte ecur përpara, por edhe pse po mbushen afro 2 vjet, gjyqtarët dhe prokurorët e  kaluar në sitën e Vetingut numërohen me gishtat e duarve. Kjo pasi edhe shumë muaj pas miratimit të reformës, zbatimi i tij u bllokua. Më shumë se sa për diskutime teknike, ngërçi u shkaktua pas akuzave të opozitës, e cila këmbëngulte se mazhoranca qeverisëse po kërkonte kapjen politike të procesit. Debati, më shumë së sa për karakterin profesional të ligjit për Vetingun u kanalizua në akuza dhe kundërakuza. Për disa muaj, forcat më të mëdha politike u endën në tymnajën e luftës politike.

Vetëm pas presionit të fortë ndërkombëtar, dy partitë kryesore arritën një marrëveshje politike dhe ligji për nisjen e punës së Vetingut kaloi. Sipas marrëveshjes,  anëtarët e Komisioneve të Vlerësimit u ndanë përgjysmë. Edhe pse presioni i SHBA dhe BE ishte i lartë, partitë vendosën si parësore anën politike dhe nisën të bëjnë llogaritë për personat që do të katapultoheshin në krye të Komisioneve të Vetingut. Kjo është e thjeshtë të verifikohet, mjafton të shohësh listën e të zgjedhurve nga Kuvendi për organet e Vetingut. Një pjesë jo e vogël e tyre kane pasur pozicione të larta drejtuese nen qeverisjen e Partisë Socialistë apo Partisë Demokratike. Natyrshëm lindin disa pyetje, a do t’i plotësojë Vetingu pritshmëritë e qytetarëve për pastrimin e Drejtësisë nga të korruptuarit dhe të paaftët?

***

*Ky shkrim është pjesë e Projektit të Institutit Shqiptar të Medias  “Media dhe Reforma në Drejtësi”, mbështetur nga Ambasada Amerikane në Tirane. Opinionet dhe  gjetjet e shkrimit janë të autorit

May 25, 2018 13:53
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*