Vettingu i politikës sipas PD, Balla: Përpjekje për të penguar Reformën në Drejtësi

September 10, 2018 16:45

Vettingu i politikës sipas PD, Balla: Përpjekje për të penguar Reformën në Drejtësi

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, është shprehur për “Top Talk” se PS-ja është pro Vettingut edhe në politikë, por theksoi se gjithmonë kur bëhet fjalë për një Vetting të vërtetë.

“Pikërisht për këtë arsye, kemi mbështetur nga dita e parë Reformën në Drejtësi, e cila imponon ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe të Prokurorisë speciale antikorrupsion SPAK, dy institucione që bëjnë realisht vettingun e plotë të politikës shqiptare”, ka thënë më tutje Balla.

Ai e ka cilësuar propozimin e Partisë Demokratike si “shumë të dobët” dhe si përpjekjen e saj të fundit për të penguar Reformën në Drejtësi.

“Nuk ka shqiptarë e shqiptare që beson se politikanët mund të bëjnë Vettingun e politikanëve, sepse është sikur t’i lësh Sali Berishës të bëjë Vettingun e Taulant Ballës, apo e kundërta”, ka argumentuar Balla.

“Është i dobët, sepse pikë së pari, politikanët nuk mund të bëjnë Vettingun e vetvetes. Së dyti, në materialin e paraqitur mungon hetimi i korrupsionit 27-vjeçar dhe të pasurive që politikanët kanë ngritur përmes tij”, ka theksuar ai.

I pyetur se përse nuk e shton pozita këtë pikë në draftpropozimin e PD-së, Balla ka thënë se aktualisht ndodhen në pikën ku opozita thotë “miratoni këtë draft, ose ramë e vdiqëm”.

Për të mbështetur pretendimin se kjo është thjesht përpjekja e fundit e PD-së për të penguar SPAK-un dhe BKH-në, Balla ka sjellë shembullin e Prokurorisë speciale antikorrupsion në Rumani, që ka arritur të vendosë pas hekurave 13 ministra, 38 deputetë e senatorë.

Kreu i grupit parlamentar socialist ka theksuar në këtë pikë edhe ndarjen e qëndrimeve mes dy forcave kundërshtare politike.

“Këta po bëjnë një përpjekje për t’u hedhur hi syve shqiptarëve, ndërkohë që ne prej ditës së parë kemi mbështetur SPAK-un (Prokurorinë speciale antikorrupsion) dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, të cilat janë dy institucione tërësisht të pavarura nga politika, të vetmet që mund të bëjnë një hetim dhe ndëshkim të korrupsionit 27-vjeçar në Shqipëri”, ka thënë Taulant Balla.

s.a/dita

September 10, 2018 16:45
Komento

1 Koment

Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*