Vettingu në politikë, Ruçi i drejton 8 pyetje Venecias

October 3, 2018 19:29

Vettingu në politikë, Ruçi i drejton 8 pyetje Venecias

Zbardhet letra e kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi për Komisionin e Venecias në lidhje me vettingun në politikë të kërkuar nga opozita. Ashtu siç vendosi në komision, maxhoranca ka dërguar për opinion në Komisionin e Venecias draftin e opozitës për të bërë vetting në politikë, raporton  “BalkanWeb”.

Ruçi në letrën e tij, dërguar Presidenit të Komisionit të Venecias Gianni Buquiçhio, shtron 8 pyetje për opinion, duke vënë në dyshim madje dhe legjitimitetin dhe qëllimin e projektligjit.

Po kështu kërkohet opinioni për praktikat ndërkombëtare në kontrollin e figurës së të zgjedhurve, ndërsa shtrohet pyetja a është ndërhyrja në të drejtën për mbrojtjen e reputacionit.

Kujtojmë se opozita ishte kundër dërgimit të projektligjit në Komisionin e Venecias dhe vendimi i maxhorancës u pa si një përpjekje për të zvarritur vettingun në politikë dhe për të mos e pranuar.

 

LETRA

Me anë të kësaj letre dëshiroj t’ju vë në dijeni se në Kuvendin e Shqipërisë, me nismën e grupit parlamentar të Partisë Demokrati dhe grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim është depozituar projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr.8417, datë 21.10 1998, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, i cili po shqyrtohet në Këshillin e Legjislacionit dhe në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Gjatë diskutimit të projektligjit, nisur nga rëndësia e tij, mbledhja e përbashkët e Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, vendosi t’i drejtohet dhe të kërkojë opinionin e ekspertëve të Komisionit të Venecias, nëse projektligji është në përputhje me standardet dhe praktikat evropiane në këtë fushë.

Bazuar në këtë kërkesë, do të vlerësonim opinionin tuaj mbi çështjet e mëposhtme:

1) Cili është qëllimi i projektligjit për vettingun e politikës? A është ky një qëllim legjitim?

2) A është ndërhyrja në të drejtën për t’u zgjedhur e balancuar dhe në përputhje me standardet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ) dhe jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDN), në kuptim të parimit të proporcionalitetit dhe parashikimit me ligj”?

3) Cilat janë standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira lidhur me kontrollin e figurës së të zgjedhurve (deputetë/të zgjedhur vendorë)?

4) A ka dallim ndërmjet standardeve dhe kontrollit të figurës së gjyqtarëve/prokurorëve dhe të zgjedhurve (deputetë/të zgjedhur vendorë)?

5) A është ndërhyrja në të drejtën për mbrojtjen e reputacionit, në kuptim të nenit 8 të KEDNJ, e balancuar dhe në përputhje me standardet e KEDNJ dhe jurisprudencën e GJEDN?

6) A është ndërhyrja në të drejtat për një proces të rregullt ligjor (akses në gjykatë), në kuptim të nenit 6 të KEDNJ, në përputhje me standardet e KEDNJ dhe jurisprudencën e GJEDNJ?

7) A janë formuluar nenet e projektligjit për vettingun e politikës në mënyrë korrekte nga pikëpamja e teknikës së hartimit të një norme kushtetuese?

8) A mund të sjellin implikime, ndikim të papërshtatshëm apo edhe mbivendosje parashikimet e projektligjit për vettingun e politikës në drejtim të zbatimit dhe efektivitetit të dispozitave që rregullojnë funksionimin e gjykatave të posaçme (neni 135/2 i Kushtetutës), Prokurorisë së Posaçme dhe Njësisë së Posaçme Hetimore (neni 148/4 i Kushtetutës), të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPI), ligji nr. 9367/2005), të institucioneve që merren me procesin e dekriminalizimit (ligji nr. 138/2015)?

Për sa më sipër, në frymën e bashkëpunimit të deritanishëm me Komisionin e Venecias, si dhe bazuar në procedurat që janë ndjekur më parë nga Kuvendi i Shqipërisë, më lejoni t’ju paraqes kërkesën për opinion për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”.

 

v.l/ Dita

October 3, 2018 19:29
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*