VIDEO /“Policë” që kryejnë krime të frikshme

February 4, 2016 11:34

VIDEO /“Policë” që kryejnë krime të frikshme

Duket se krimi ka zbuluar një metodë të re për të kryer qëllimet e veta; uniformat e policisë.

Katër persona të veshur si policë kryen një masakër të vërtetë në një lokal në Elbasan, duke vrarë tre vetë e duke plagosur rreth 7 të tjerë.

Të veshur me uniforma policie, për ta bëhet më i lehtë kamuflimi, ashtu edhe arratisja nga vendi i ngjarjes pa lënë shumë gjurmë.

Policia ende nuk i ka arrestuar autorët dhe nuk i ka identifikuar, ndërsa pista e vetme është ajo e hakmarrjes.

Në njoftimin e radhës nga Policia e Shtetit thuhet se është gjetur një armë automatike rreth 500 metra larg vendit të krimit, dy armë të tjera automatike janë gjetur ndërkohë.

Autorët i kanë braktisur armët në vendin e ngjarjes. Sigurisht, armët nuk preken me duar, për të mos lënë gjurmët e gishtërinjve.

Kjo metodë nuk është e re, por ajo e veshjes me uniforma policie shënon precedentin e radhës.

Më herët, persona të paidentifikuar dhe të veshur si policë rrëmbyen Enver Stafukën në Krujë.

Katër “policë” e prangosën fillimisht atë dhe më pas e futën me forcë në një automjet dhe u zhdukën. Fati i Stafukës nuk dihet.

Autorët dyshohet se grabitën edhe automjetin tip “Golf” me të cilin kryen rrëmbimin. Ngjarja ndodhi më 8 shkurt të vitit 2015 dhe që prej atëherë nuk ka asnjë të dhënë hetimore.

E njëjta metodë u përdor edhe për rrëmbimin dhe më pas vrasjen e shtetasit Gazmend Çollaku. Katër persona të veshur gjithashtu si policë, rrëmbyen mbrëmjen e 6 janarit në Durrës, 40-vjeçarin, duke e masakruar dhe vrarë në një fshat të Krujës.Trupi i tij u gjet të nesërmen.

Për rastin është arrestuar një shtetas, por ende nuk dihet nëse ai është autori i vërtetë. Denis Shtraza ka mohuar krimin.

Policia po heton rastin, ndërsa mister mbeten ende tre personat e tjerë të përfshirë në krim, nëse i katërti (i arrestuar) është përfshirë në ngjarje.

Në të shumtën e rasteve, viktimat kanë pasur precedentë penalë, ndërsa janë përfshirë edhe në trafikun e drogës. Krimet janë kryesisht për larje hesapesh.

Një ditë më parë, kryeprokurori Adriatik Llalla tha se në Tiranë dhe Durrës po vepron një grup i strukturuar kriminal që po i bën karshillëk shtetit. /S.Ll/Dita/

VIDEOJA nga rrëmbimi i Stafukës:

February 4, 2016 11:34