Viktimë e paaftësisë së mjekëve dhe mungesës së drejtësisë

July 23, 2015 15:56

Viktimë e paaftësisë së mjekëve dhe mungesës së drejtësisë

Bashkim Bashtulla është një ish-oficer, i verbër nga qyteti i Durrësit i cili ka rënë viktimë e paaftësisë së mjekëve dhe mungesës së drejtësisë në qytetin e tij. Bashtulla përveç se nuk shikon, vuan edhe nga sëmundja e diabetit. Shqetësimet e sëmundjes do të shndërroheshin një ditë të vitit 2012 në një makth të vërtetë për të dhe familjen e tij pasi mjekët gabimisht i kanë prerë gishtat e këmbës. Për pasojë për Bashtullën nga ky moment, nis një kalvar i gjatë, por pa arritur të gjejë drejtësinë e munguar për shkak të pamundësisë financiare.

Kjo histori aq e dhimbshme dhe e trishtë vjen e rrëfyer nga vetë Bashtulla dhe gruaja e tij gjatë një bisede të lirë në një fokus grup zhvilluar në qytetin e Durrësit. Ai tregon se si një ditë shkoi në spitalin e Durrësit dhe kërkoi ndihmën e mjekut, (të cilit nuk dëshiron t’i përmendë emrin), për shkak se në gishtat e këmbës i ishin shkaktuar disa flluska.

“Shkova sa për një vizitë apo një konsultë. U ula pranë mjekut në dhomën e tij duke menduar se është vetëm një kontroll, por ai më ka prerë gishtat, pa më pyetur, pa më vënë në dijeni, pa narkozë. Ishin dhimbje të tmerrshme, ishte një situatë e paparashikuar në të cilën nuk dija çfarë të bënim. Ashtu i gjakosur jam nisur me urgjencë për në një klinikë turke në Tiranë pasi më thanë se janë shumë të mirë. Nuk kisha rrugë tjetër duke qenë se mjekët e spitalit në Durrës ato flluska i shihnin shumë të rrezikshme dhe e vetmja mënyrë shpëtimi për ta ishte që gishtat të priteshin. Kur kam mbërritur në klinikën turke mjekët aty janë tmerruar kur më kanë parë në gjendje të tillë dhe të gjakosur”, rrëfen i pambrojturi Bashtulla teksa aludon se e gjithë kjo ndodhi për shkak se nuk i dha para mjekut.

“Unë nuk e kuptoj se si mund t’i priten gishtat një njeriu me diabet i cili rrezikon hemorragji”, shton bashkëshortja e tij.

Por ky është vetëm fillimi i kësaj vuajtje të madhe njerëzore, pasi Bashtulla nga mungesa e të ardhurave financiare nuk ka mundur të kërkojë të drejtën e tij.

“Atëherë nuk kisha 5 milionë lekë që ta çoja këtë çështje në gjykatë. Ky ishte një problem shumë i rëndë dhe ligjor, rast që duhej denoncuar apo çuar në gjykatë. Por unë bisedova me një mikun tim dhe ai më tha se po të shkoja në gjykatë nevojiteshin lekë. Gjykata kërkonte 5 milion lekë dhe dihet po nuk i pate je i humbur. Ky personi që më preu gishtat, kishte lekë, ndërsa unë jo. Unë s’kisha para dhe u tërhoqa,” rrëfen i dëshpëruar ish-oficeri Bashtulla i cili gjatë kësaj bisede nuk lë pa vënë në dukje se kur ishte oficer dhe me shikim normal gjente zgjidhje për çdo gjë. Ai nuk harron të thotë se disa herë ka dashur të bëjë dhe vetëgjyqësi, por zemra e gjerë e këtij njeriu nuk e ka lejuar të bëjë një veprim të tillë.

“Ky personi që më preu gishtat më doli pas pak kohësh një ditë përpara. I thashë gruas kush është? Doktori që të preu gishtat, tha ajo. More djalë pse m’i preve gishtat? Ngeli … Në këtë moment vetëm se më mbajti logjika ime se do ja kisha futur me patericë. U dorëzua moralisht dhe fizikisht, dhe duhet të kërkonte falje” shprehet ai.

Bashtulla shpjegon se çdo zgjidhje e ka gjetur vetëm pranë shoqatës së të verbërve. “Unë çdo zgjidhje e kam gjetur tek shoqata. Presidenti është aq i përgatitur sa po na orienton dhe ndihmon për çdo gjë. Në vend tjetër këtu nuk gjen zgjidhje, këtu s’ka drejtësi apo mjekësi, ka vetëm lekë dhe mik”, shprehet i shqetësuar ish-oficeri Bashkim Bashtulla.

 

July 23, 2015 15:56
Komento

2 Komente

  1. Treviso July 24, 21:18

    Po ministri i shendetsise pse flen gjume ?
    A nuk ka nevoje shendetesia per reforma te shpejta?
    Po qeveria pse nuk vepron per ndryshimin e ligjit qe rendon mbishtresat e varfera?
    Gjygji duhet te hapet pa paguajtur asnje leke viktima. Pasi te mbyllet gjygji parate te gjygjit ti paguaj humsi i gjygjit.

    Reply to this comment
  2. Pirro July 25, 16:25

    Nese “DITA” do te botoje te tille artikuj pa nje informacion te plote per gjendjen e te semurit dhe mendimin e mjekeve, do humbase reputacionin e saj.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*