Violeta Ibrahimi, një jetë e dashuruar me muzikën

March 8, 2018 11:42

Violeta Ibrahimi, një jetë e dashuruar me muzikën

 

Nga Blerina Moka

“Pronto, Blerina jam zysh Leta, më mban mend?

Më pas një e qeshur gurgulluese u përhap në dhomën time, dhe në ekranin e celularit mu shfaq figura e një gruaje rreth të 60-dhjetave që më fliste me shumë emocion.

Për momentin zëri dhe figura s’thonin asgjë, por e qeshura e saj më zhyti në kujtimet e fëmijërisë.

Ishte mësuesja ime e muzikës e shkollës 8-vjeçare Rrushkull të Durrësit, Violeta Ibrahimi.

Rrudhat i tregonin moshën, por e qeshura kishte mbetur po ajo!

Menjëherë filluam të kujtonim një për një të gjithë ish-nxënësit e saj, zysha kishte dëshirë të mësonte gjithçka për ta.

Prej 22 vitesh ishte larguar nga Shqipëria drejt Italisë dhe që atëherë nuk e kishte vizituar atdheun, por nuk na kishte harruar!

Biseda rrodhi gjatë dhe pa sens kohe, aq shumë kishim për ti thënë njëra-tjetrës.

“Për festën e 7 Marsit do të jem në Tiranë, të lutem njofto dhe të tjerët”, ishte porosia e mësueses.

Nuk më besohej se do ta kishim sërish mes nesh.

Ajo grua e vogël, por me zemër të madhe me të cilën na lidhnin kujtimet më të bukura të fëmijërisë, do të takohej me ne pas më shumë se 30 vitesh.

Unë, Iliri dhe Alma e takuam zysh Letën një pasdite me shi në qytetin e saj të lindjes,  në Durrës.

Përmes lotësh, zysha na rroku kokën në gji dhe na puthte me shumë mall.

Me të u ndjemë fëmijë si dikur, ndërsa ngacmoheshim me njëri-tjetrin se kush e kishte dashur më shumë zysh Letën.

Rikujtuam takimin e parë me të në shkollë.

Unë atëherë ndiqja klasën e katërt të ciklit fillore.

Me një fizarmonikë të vjetër, të mbuluar nga pluhuri i harresës, zysh Leta nisi provat për zërat e bukur dhe unë pata fatin të isha një prej anëtarëve të grupit artistik të shkollës.

Ne nisëm të jepnim koncerte jo vetëm për shkollën, por morëm pjesë dhe në konkurse mes shkollave të tjera.

“Ke qenë shumë e rreptë zysh”, i them me buzëqeshje, por të jemi mirënjohëse për punën e bërë me aq dashuri për ne.

Këmbëngulëse në punë për të marrë më të mirën prej nesh, ajo nuk përtonte të luante në fizarmonikë 3-4 orë duke përsëritur këngët e përzgjedhura në repertor për koncertet e radhës.

Pa fjalë, ajo na dha modelin e njeriut punëtor e të ndershëm, përveç emocioneve që na dhuronte duke punuar në grup.

Lënda e muzikës ishte më e dashura dhe tingujt e fizarmonikës, të padëgjuar deri më parë, u bënë kaq familjare për ne sa, sikur një ditë zysh Leta të mungonte, orët e tjera të mësimit na dukeshin krejt kot!

Ajo u largua nga shkolla jonë pas 3 vitesh për tu transferuar në Durrës, por la shumë boshllëk pasi asgjë nuk qe e njëjtë më pas.

Prej asaj kohe, unë nuk  këndova më. Lënda e muzikës nuk na ngjallte më interes.

Gjatë bisedës mësuam shumë gjëra që si kishim ditur më parë për të.

Na tregoi se e kishte nisur jetën nga zero në Itali, duke pranuar të bëjë punë të ndryshme, por pasionin për muzikën nuk e harroi.

Fizarmonika kishte qenë shpëtim për shpirtin e saj.

“Me kursimet e para mora me qira në dyqan fizarmonikën me të cilën ushtrohesha 2 orë cdo ditë, sepse nëse nuk do të punoja sistematikisht me të, dalëngadalë pasioni do të vdiste e bashkë me të dhe kujtimet e mia”

Dhe për të ishte njësoj sikur të humbte veten!

Pas dy vitesh fizarmonika më në fund u bë e saja, ajo e pagoi gjithë shumën dhe sot nuk e ndan më nga duart.

Mësuesja ime pranoi të punojë në çfarëdo lloj pune që i ofrohej, mjaftonte që ta lejonin të luante në fizarmonikë.

“Nuk jam ndarë asnjë ditë prej saj. E kam vendosur në një cep të dhomës e duket sikur më flet që të mos e harroj”, na thotë zysh Leta.

Ajo luan mjeshtërisht tangon, e cila është në sinkron me shpirtin pasionant të saj.

Me tingujt e saj duket sikur na thotë të jetojmë jetën me të njëjtën energji e pasion duke i marrë çdo dite më të mirën, ndaj unë me mirënjohje dua t’i them: Faleminderit Heroina ime!

March 8, 2018 11:42
Komento

1 Koment

  1. Bravo Violeta... March 8, 12:20

    E pash diku ke faqa e top-channl .
    kaq shume shetitje ne marrezi ,te Art-it e muzikes ,
    me ne fund degjojm tingujt melankolike te Fizarmonikes ,
    nji nder instrumentet me popullor ne shkollat tona ,
    nji nder instrumentet me te bukur
    dhe akoma me shume kur luan nji Femer ,
    qe e ben shume Romantike ambjentin e gjithcka .Nji fillim jete ,fillim i stines se jetes ,Pranveres …
    Ku eshte fshehur Krajka i madh ?!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*