Vitali Kliçko hipën në ringun presidencial

February 27, 2014 10:26

Vitali Kliçko hipën  në ringun presidencial

Pas betejave në ringun e boksit, Vitali Kliçko do të hipë në ringun elektoral. Ish-kampioni i botës në boks do të kandidojë në zgjedhjet presidenciale në Ukrainë, pas shkarkimit të Janukoviç. Kliçko ishte ndër më aktivët në protestat e opozitës në Ukrainë, të cilat kulmuan me largimin e Janukoviçit nga pushteti dhe lirimin e Timoshenkos nga burgu. Ndonëse ka vetëm një vit në politikë, ish-boksieri kërkon të arrijë majën edhe në këtë fushë. “Do të kandidoj për president, sepse jam i bindur se në Ukrainë duhet ndryshuar gjithçka. E them me bindje të plotë se mund t’ia dalim. Ky vend mundet dhe duhet të funksionojë me të njëjtat parime si çdo vend tjetër në Evropë”, thotë Kliçko. “Nuk kemi shumë kohë. Dua ta bëj Ukrainën vend modern evropian. Nëse mund t’ia arrij përmes pozicionit të presidentit, atëherë do të bëj maksimumin për të fituar”. 42-vjeçari i lindur në Kirgizstan e shpalli kandidaturën për zgjedhjet e 25 majit para gazetarëve të mbledhur në parlament, në Kiev. Ukrainasi, fitues në 45 duele nga 47 në ring, pati një shkëputje dyvjeçare nga boksi më 2005 deri më 2007, ndërsa një vit më parë u tërhoq përfundimisht, për t’u angazhuar në politikë. Në fakt, kjo nuk ishte gjë e re për të, pasi është angazhuar që në kohën e Revolucionit Portokalli, së bashku me vëllanë e vet, Vladimirin, gjithashtu ish-boksier. Kliçko, i preferuari i perëndimit tani, është lider i Aleancës Demokratike për Reforma dhe deputet në parlamentin e Ukrainës.

 

February 27, 2014 10:26
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*