Vizat për Kosovën, Meta: Pasaporta shqiptare s’e zgjidh problemin

October 13, 2017 13:05

Vizat për Kosovën, Meta: Pasaporta shqiptare s’e zgjidh problemin

 

“Marrja e nënshtetësisë shqiptare për t’iu gëzuar liberalizimit të vizave s’e zgjidh problemin e zhbllokimit të proceseve integruese të Kosovës”.

Kështu u shpreh në një intervistë dhënë për “Radio Televizionin e Kosovës – RTK”, Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta.

“Kërkesën e Thaçit për pasaportat e vlerësoj si një protestë në emër të drejtave të qytetarëve të Kosovës. Kushtëzim jo i drejtë dhe racional i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës me çështjet e demarkacionit. Kosova i ka plotësuar të gjitha detyrimet që burojnë nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. S’është e drejtë që pas kaq vitesh qytetarët e Kosovës të jenë të vetmit në Ballkanin Perëndimor që të mos i gëzohen liberalizimit të vizave. Po të varej prej meje dhe për dëshirën e institucioneve të tjera të Shqipërisë kjo gjë do të ishte bërë që dje e jo që sot”.

Sipas kreut të shtetit shqiptar, kjo nuk është një zgjidhje, as afatshkurtër dhe as afatgjatë për qytetarët e Kosovës.

“Marrja e nënshtetësisë shqiptare për t’iu gëzuar liberalizimit të vizave s’e zgjidh problemin e zhbllokimit të proceseve integruese të Kosovës. Shqipëria është nën monitorim nga vendet e zonës Shengen të Bashkimit Evropian mbi plotësimin e detyrimeve për liberalizimin e lëvizjes së lirë. Një lëvizje e pakonsultuar në këtë drejtim mund të sillte pezullimin e vizave edhe për të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Mund të mos ishte tepër produktive pavarësisht nga qëllimi i mirë pozitiv dhe ndihmues që ka një propozim i tillë. Duhet të shtojmë përpjekjet tona për të zhbllokuar çështjen e liberalizimit të vizave. Duhet të punojmë dhe në mirëkuptim dhe në mirëbesim edhe me palët e Malit të Zi, por edhe me BE për çështjen e demarkacionit”, – u shpreh Meta.

 

October 13, 2017 13:05
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*