A do na gjejë me një Administratë Publike moderne viti 2020?

January 28, 2019 09:42

A do na gjejë me një Administratë Publike moderne viti 2020?

Nga Ylli Çabiri*

Ballafaqimi i të gjitha problemeve të analizuara, me Programet e Qeverive të ndryshme dhe, veçanërisht, ato të viteve 2005-2009, 2009-2013 dhe 2013-2017 dëshmon, para së gjithash, mungesën e një vizioni të qartë e bashkëkohor për reforminin e Qeverisjes.

Në këto Programe evidentohet nevoja e ndryshimeve thelbësore në Qeverisje dhe shpallet angazhimi për të ofruar një qeverisje efektive dhe efiçente, pra një Qeverisje të mirë, me një rrjet institucional efektiv dhe një Administrate të qëndrueshme, me nëpunës civilë të punësuar dhe të vlerësuar sipas cilësive profesionale, përvojës, meritës dhe përkushtimit në kryerjen e detyrave, por të gjitha këto nuk shoqërohen me masa konkrete për t‘u zbatuar menjëherë pasi të fitohen zgjedhjet.

Në këtë rast është e kotë të analizohet teza populiste e Qeverisë në dietë, apo ajo e Qeverisë së vogël. Njëra është më populiste se tjetra. E para u provua tërësisht e pasuksesshme. E dyta…..

Sidoqoftë, kjo nuk është fare çështje madhësie të Qeverisë. Mbi të gjitha, kjo është çështje efektiviteti dhe efiçence e ushtrive qeverisëse, të cilat mund të jenë efektive dhe të frytshme vetëm në rast se “rreshtohen” mirë dhe u krijohen mundësi të jenë të tilla. Përsa i takon madhësisë së Ministrive, ju siguroj se ato kanë stafe shumë të reduktuara në raport me simotrat e krahasueshme.

Në fund të fundit, gjithçka është çështje vizioni. Kur ky vizion është i mangët ose i gabuar, është e sigurt që dhe rezultatet do të jenë po aq të mangëta e të gabuara.

Papa Vojtila, më antikomunisti prej Papëve, kërkoi me këmbëngulje të takonte disa prej njerëzve që kishin jetuar përtej perdes së hekurt. Na shihte me kuriozitet dhe keqardhje brenda kostumeve tona cohë-trashë për atë vapë vere të vitit 1991, dhe gati sa nuk na thoshte se s’është faji juaj, por i sistemit komunist që ju ka lënë “idiotë”.

Është çështje vizioni – tha ai, – Ja, unë jam Papa dhe ju më shihni jo thjesht si njeriun e zotit, por si përfaqësuesin e zotit në tokë. – Ja, ju për shembull si e keni emrin? – Zvezda – i thashë unë, për ta lehtësuar.

– Ç’jeni ju? – Ministër i Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtisë me Jashtë në Shqipëri -ju përgjigja frëngjisht. – Cili është vizioni juaj për Papën? – ma ktheu ai me një frengjishte Marseje. – Pak gjëra di – iu përgjigja – Më shumë nga anekdotat franceze. – Pa hë, di të na thuah ndonjë – qeshi ai, sikur po fliste me një kalimtar të një vendi të humbur.

Papa vdiq dhe arriti në dyert e parajsës, por shën Pjetri, Sekretari i Zotit për Parajsën, nuk ia hapte derën, – ia fillova unë. Dëgjoni, iu lut Papa, duhet ta hapni derën se jam Papa, përfaqësuesi i Zotit në tokë. Papa? – pyeti i habitur shën Pjetri. S‘e kam dëgjuar ndonjëherë. Ç’është ky? – Nëse vërtet nuk e dini, pyesni të paktën Zotin se jua thotë ai, se ai me siguri më njeh.

Shën Pjetri mori Zotin në telefon. Binte zilja dhe dëgjohej zhurma e hapësirës boshe. U përgjigj Zoti i përgjumur , por edhe ai s’po kujtohej në fillim. Më pas i ra ballit me pëllëmbë dhe tha: – Ah po! Ej, Shën Pjetër, të kujtohet kur zbritëm të dy një fundjavë në Romë për të shijuar darkën e së shtunës dhe krijuam atë klubin sipas idesë që patëm në Jeruzalem? Po? Po që vumë në krye dikë që e quajtëm Papë? Po? Epo duket që kjo funksionoka gjithnjë….

Papa Vojtila qeshi me lot pas kësaj historie. Qeshte e qeshte dhe njëkohësisht bënte pareshtur kryqin, duke mërmëritur diçka nëpër dhëmbë. Me siguri lutej dhe kërkonte ndjesë.

Ylli Çabiri

Në pjesën e Ekzekutivit Qendror dhe Administratës Publike, si masa kryesore theksohen vetëm disa slogane të përgjithshme e të pamjaftueshme: (i) Qeveri e vogël dhe në dietë; (ii) Transparencë e veprimtarisë së Ministrive dhe Institucioneve; (iii) Ristrukturim i Ministrive dhe Institucioneve në varësi të tyre, me synimin e pakësimit të Administratës dhe të numrit të institucioneve të varësisë; dhe (iv) Konsolidim i shërbimit publik, duke respektuar dhe shtrirë më tej statusin e nëpunësit civil, duke rritur pagat dhe zvogëluar diferencat e mëdha midis tyre.

Tek masa e fundit e propozuar, rregullisht dhe thuajse në të gjitha Programet elektorale të Partive, nuk ka asnjë objektiv konkret e të shifruar: sa për qind përfaqësojnë nëpunësit civilë në Administratën Publike dhe sa do të arrijnë pas 4 vitesh qeverisjeje? Sa janë në fillim të mandatit qeverisës pagat e nëpunësve civilë dhe sa do të jenë në fund të 4 viteve?

Askund nuk jepen shifra. Por vetëm fjalë. Dhe njerëzit e gjorë votojnë për fjalët dhe jo për shifrat. Përveç anës deklarative dhe elektorale të tyre, këto masa nuk e trajtojnë drejtpërdrejt pjesën më të madhe të problematikës që doli nga analiza e mësipërme e Qeverisjes. Masat nuk japin, as edhe një orientim të mjaftueshëm programor, që mund të shërbejë si bazë për hartimin e një strategjie konkrete të reformimit të Administratës Publike.

Është krijuar perceptimi se askush, asnjëra palë politike, nuk duket e interesuar që ta “betonojë” ligjërisht Administratën Publike. Kjo bëhet për të krijuar të “çarat” e nevojshme, që të punësohen militantët, si shpërblim për kontributin që kanë dhënë në zgjedhjet e radhës.

Askush, asnjëra palë politike, nuk duket e interesuar që ta rrisë arsyeshëm numrin e nëpunësve civilë në Administratën Publike. Nëse jo, përse atëhere nuk përcaktohen me shifra në Programin elektoral se sa mësues, mjekë dhe infermirë mund të fitojnë Brenda 4 viteve statusin e Nëpunësit civil?

Argumenti se kjo nuk bëhet dot për arsye shtrëngesash buxhetore nuk qëndron, sepse bëhet fjalë për të njëjtën sasi parash që jepet sot nga buxheti i shtetit. Në rast se nuk është kështu, le të sigurohet ky status kundrejt një Memorandumi mirëkuptimi, që pezullon për një farë periudhe rritjen e menjëhershme të pagës. Jam i sigurt, që do të pranohej lehtë një masë e tillë.

Është mungesë vizioni politik gjithë sa u tha më sipër për koalicionet joprogramore të punësimit, për hyrje-daljet pa asnjë kriter profesional në Administratën Publike, për shtrirjen shumë të kufizuar të numrit të Nëpunësve Civilë në Administratën qendrore e lokale.

Të gjitha këto konsiderohen si gjëra të ditura, por askush nuk ka vullnet e vizion të fillojë t’i zgjidhë. Politikanët duhet të kenë një vizion të kthjellët, ta debatojnë, ta shkruajnë dhe ta shpallin atë: ku do të arrihet me Qeverisjen dhe kur do të përfundojë kjo Reformë e pafund për Qeverisje të mirë? Pa këtë vizion, ne vazhdojmë të rrotullohemi të gjithë në boshllëk.

Pothuaj në të gjitha Strukturat e miratuara, Drejtoria e Financës (me 2-3 Sektorë) është paradoksalisht jashtë Drejtorisë së Përgjithme të shërbimeve Mbështetëse. Financa është një Shërbim mbështetës “klasik”, që i shërben të gjithë Ministrisë, duke mbështetur veprimtarinë e Drejtorive të tjera “funksionale”. Nuk ka asnjë kuptim që kjo të jetë një Drejtori e veçuar nga Drejtoria e Pergjithshme e Shërbimeve Mbështetëse apo e ndryshme nga Drejtoria Juridike. A nuk tregon kjo qartë vizion të gabuar?

Çështje tjetër me shumë rëndësi është standardizimi i kësaj Drejtorie. Jo vetëm standardizimi në kuptimin e numrit të njerëzve në raport me stafin e përgjithshëm të Ministrisë. Kjo po e po. Por edhe standardizim në një kuptim më të gjerë, ku kryefjala të jetë standardizim i llojit të shërbimit, që i jepet Ministrisë nga Drejtori të tilla.

Mungesë vizioni strategjik

Po të analizohet me kujdes Strategjia Ndërsektoriale e Reformës së Administratës Publike (2015-2020) zbulohet se në të mungojnë  çështje shumë të rëndësishme e prioritare për t’u zgjidhur, pa të cilat Administrata Publike shqiptare vështirë se mund të shndërrohet në një Administratë moderne perëndimore.

Do të shqyrtoj të paktën dy çështje, më kryesoret prej tyre.

Çështja e parë lidhet me vendim-marrësit tanë, të cilët kanë demonstruar se nuk e kanë patur vizionin e duhur strategjik për këtë Reformë themelore. Me mendjelehtësi adoleshente kanë përgatitur dhe miratuar gjithçka që është servirur nga Departamenti i Administratës Publike dhe politikanët përkatës.

Sipas Ligjit, Qeveria shqiptare nëpërmjet Departamentit të Administratës Publike, i raporton çdo vit Kuvendit të Shqipërisë mbi përparimin e Reformës së Administratës Publike dhe në veçanti për menaxhimin e shërbimit civil. Nga studimi i Raporteve të paraqitura çdo vit që nga viti 2002 rezultojnë këto dobësi: (i) Raportet e viteve 2012, 2013, 2014, 2015, 2016 dhe 2017 fjalë të ndryshme thonë të njëjtën gjë. Ato flasin për përgatitje të Kuadrit ligjor, rritjen e pagave, rritjen e cilësisë së Institutit të Trajnimeve dhe rritjen e kapacitetit të nëpunësve civilë nëpërmjet trajnimeve.

Zakonisht, në këto dokumente, nuk ka asnjë tregues sasior. Vendoset objektivi për rritjen e pagave pa thënë se cila është dyshemeja e rritjes. Thuhet se do rishikohen kurrikulat e trajnimit, pa përcaktuar se sa të tilla do të rishikohen dhe sa do të bëhen të reja. Flitet për rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore nëpërmjet trajnimeve, pa thënë se sa nëpunës civilë mund të trajnohen.

Të gjithë objektivat mbeten të njëjtë për vitet 2012, 2013 dhe 2014. Vazhdon i bezdisshëm refreni i përvitshëm “përgatitje e kuadrit ligjor”, duke cituar të njëjtat projekt-ligje për disa vite radhazi. Në këto Raporte vihet re një përmirësim përmbajtësor, duke filluar nga viti 2016. Shfaqen disa objektiva të rinj, me terma më “modernë”, të tillë si informatizimi dhe portalet on line. Por vazhdohet njëlloj, pa tregues sasiorë, me vizionin të bëjmë sa të bëjmë….

Flitet për shtrirje të shërbimit civil, por nuk caktohet asnjë objektiv se ç’pjesë e Administratës Publike mund të përfitojë dhe kur mund të përfitojë konkretisht. Sepse shërbimi civil është sot një pjesë shumë e vogël e Administratës Publike.

Raportet nuk kanë përfundime apo komente të asaj që ka ndodhur. Tentativa e parë e ndrojtur, është bërë në Raportin e vitit 2005, ku është thënë se Administrata Publike ka nepotizëm dhe shumë ndërhyrje në nivel politik gjatë konkurseve, procedurat e konkurrimit të të cilëve janë të komprometuara. Tentativa e dytë është bërë në Raportin vitit 2006, por këtë radhë më e kursyer. Janë kritikuar ndryshimet shumë të shpeshta të Strukturave, por sipas autorëve kjo ka qenë çështje mungese vizioni dhe jo lëvizjeje e stafeve.

Përkundrazi është kundërshtuar mosmarrja e mendimit të Departamentit të Administratës Publike për ndryshimet strukturore të Ministrive, por kjo ka rënë në vesh të shurdhët. Në 15 Raporte të studiuara vetëm në dy Raportet, që përmenda, gjen ndonjë kritikë.

Deputetët ligjvënës asnjëherë nuk i kanë komentuar këto Raporte, sikur çdo gjë në Reformën e Administratës Publike të kishte shkuar vaj. Deputetët nuk e kanë hapur gojën për të propozuar diçka, qoftë dhe të çfarëdoshme. Të krijohet përshtypja se këto Raporte nuk janë shqyrtuar fare nga Deputetët, por vetëm janë depozituar çdo vit për të zbatuar kërkesën ligjore.

Fatkeqësisht mungon vizioni strategjik i ligjvënësve dhe vendim-marrësve për Qeverisjen dhe rrugët e reformimit të saj.

Çështja e dytë lidhet me Asistencën ndërkombëtare, pra me paratë e taksapaguesve ndërkombëtarë. Ata kanë patur disa Projekte me rëndësi, që kanë ndihmuar Reformën e Administratës Publike në Shqipëri. Bëhet fjalë për Projekte ndërkombëtare shumë serioze donatorësh seriozë si: Programi IPA i Bashkimit Europian, GIZ e kooperacionit Gjerman, Banka Botërore etj.

Projektet kanë qenë të drejtpërdrejta, në ndihmë të Reformës së Administratës Publike shqiptare, ose kanë qenë financime për SIGMA-n, një institucion europian i specializuar në fushën e Reformave të qeverisjes me qendër në Paris.

SIGMA ka botuar një Raport mbi Shqipërinë, i cili ka qenë edhe bibla për Strategjinë Ndërsektoriale të Reformës së Administratës Publike 2015 – 2020 në Shqipëri. Ky document është paraprirë nga një proces absolutisht korrekt vlerësimi i gjendjes së Administratës sonë.

Prioritetet e identifikuara nuk janë vërtetësisht ato që duhen. Ekspertët kanë propozuar katër synime kryesore për t‘u përmbushur deri në vitin 2020: (i) Zhvillimi i kapaciteteve për hartim politikash dhe për draftim Legjislacioni; (ii) Punë më e madhe për adaptimin e Acquis Communitaire, megjithëse Shqipëria ka tashmë një Administratë Publike, që përbëhet nga institucione efiçente dhe efektive, ku shërbejnë punonjës të shërbimit civil profesional, që veprojnë në mënyrë të pavarur dhe kontribuojnë në afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian; (iii) Përmirësimi I mëtejshëm i sistemit të blerjeve publike, përfshirë koncesionet ppp, bazuar në sistemin ekzistues, plotësisht operacional, dhe që konsiderohet i ndershëm nga shumica e operatorëve dhe nga organizatat e shoqërisë civile; dhe (iv) Forcimi dhe perfeksionimi i kontrallit financiar publik, përfshirë fondet e Bashkimit Europian, duke shfrytëzuar instrumente tashmë funksionale si: Programi I Buxhetit Afatmesëm dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Këto synime kanë shërbyer si bazë për zbërthimin e mëtejshëm të detyrave sipas viteve dhe hartimin e një Strategjie të plotë e të gjithëpranuar, të shoqëruar me një Plan Veprimi të detajuar. Nëse të gjitha këto bëhen siç kanë thënë ekspertët e SIGMA-s, viti 2020 do ta gjejë Shqipërinë vërtet me një Administratë Publike moderne?

Jo! Jam i prerë në këtë përgjigje.

*Ish-ministër në Qeverinë e Stabiltetit

(Vijon)

January 28, 2019 09:42
Komento

6 Komente

  1. Partiçka apo... banda? January 28, 10:51

    Në programet elektorale të… BANDAVE… nuk ka se si te kete objektive konkrete e të shifruara per sa i perket vendosjes mbi baza te forta te nje administrate (pseudo)publike, gjendja alarmante e se ciles e ka bere me te nevojshem se kurre REFORMIMIN STRUKTUROR te saj.

    Gangrena me emrin NEPOTIZEM eshte shkaku kryesor i moszhvillimeve global te vendit, dhe lufta kunder saj ishte ne fakt njera nga pikat domethenese te programit te RILINDJOTERVE ne fushaten super te shtrenjte elektorale te 2013-es.

    Rezultati i gjashte viteve me vone nuk ka nevoje per shume komente. Salinizmi nuk ka kushedi se sa ndryshim nga edvinizmi!!!

    Nese Papa Vojtila sot do ishte ende gjalle, ai do e korrigjonte vetveten, dhe fajtor per kete lloj keqadministrimi amatoresk nuk do bente me sistemin, por individin.

    Ne komunizem ishin NJESHAT, ata qe me politikat e tyre “PERCA DHE SUNDO”, te instruktuara dhe te udhezuara keto prej QEHALLAREVE te tyre “imperialisto-revizioniste” e mbanin te nenshtruar popullin me lloj-lloj marifetesh, duke filluar nga spiunimi brenda rrethit familjar, perndjekjet kemba-kembes ne qendrat e punes, nderhyrjet e paskrupullta ne jeten e tyre te perditshme, dhe duke perfundusar me internime familjare dhe burgosje masive.

    Njelloj si para 30 vitesh, sot jane po prape njeshat, ata te cilet po e mbajne PENG lindjen e DEMOKRACISE REALE ne vend,duke mos e lejuar vendin te ece me hapa sa me te shpejta perpara drejt evropes se civilizuar.

    “Tangoja” me nje hap para e dy hapa prapa eshte rezultat i vizioneve të cunguara ne(keq)qeverisje.

    # Reforme Zgjedhore!!!
    # Urgjentisht!!!
    # Sot se neser eshte vone!!!

    Reply to this comment
  2. naim dimashi January 28, 11:19

    Nuk i kuptoj keta njerez si ky Cabiri qe japin mendime per qeverisjen,bejne kritika dhe elozhe. Keta nuk jane as specialista dhe as me bindje te qendrueshme politike. Vellai i ketij Yllit ka nja tridhjete vjet ne DAR Elbasan,ka zene myk e nuk ben asnje pune,por mbahet vetem se ky Cabiri i madh eshte i lidhur me gruan e Edi Rames. Dhe flet kryeministri Rama per ndershmeri, reforma, bashkeqeverisje!!!!!!!!!

    Reply to this comment
  3. BLACK SWAN January 28, 13:20

    ka raste kur mund të biesh dakort dhe me ndonje Zvezdë;
    ja psh aty kur tregon keqardhjen në sytë e Papës për idiotët e dobishëm të komunizmit, ka plotësisht të drejtë.

    Reply to this comment
  4. Flutura January 28, 13:28

    O Cabir,
    Si te kane lene jashte mor burre? Po ti ke qene….dhe te rrish pa gje? s’ka kuptim. Ketyre qe shkruan s’ vlejne. Lexon titullin robi, dhe s’ka nge te degjoj perrallat e tua. Po ta mbajti dil dhe perballu me alternativat e tua, se ca kohe qe qe si pune ministri, nuk ndrite gje.

    Reply to this comment
  5. Benet KESH January 28, 13:32

    Qenka zemeruar Stela Çabiri siç duket Linda Rama-Cabiri-Xhillari sja jep me “pulen ne qese” qe ka mids shaleve

    Reply to this comment
  6. mirel January 28, 14:55

    Zoti Cabiri, administrata publike do shkrihet dhe do ngrihet korporata publike qe do tjetersoje pronat publike dhe do ja japi PPPve.
    Nuk heqim dore tha Ahmetaj

    Mesazhi eshte i sakte. Nuk ka vend per iluzione, por vetem per protesta per te rrezuar kliken e hajduteve dhe krimineleve qe gjeten mbeshtetje te kolltuku i ngrohte i shqiptareve qe rrojne qyl ne kurriz te atyre qe punojne dhe nuk dolen ne mbeshtetje te studenteve.
    Rrokullisjae shtetit ka marre tatepjeten. Cdo lloj teorie tjeter eshte iluzion.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*