Vizita e fshehtë e Fatos Nanos në SHBA

June 27, 2016 10:28

Vizita e fshehtë e Fatos Nanos në SHBA

Ditari politik i Servet Pëllumbit, “Përvoja ime me Partinë Socialiste”,  botimet “Toena”, një skaner politik i forcës kryesore në vend, PS përballë PD-së; Libri vjen si një bilanc politik në 25 vjetorin e themelimit të PS-së, nga një prej pretedentëve për t’u bërë lider pas “rënies” së Nanos 

Për të treguar se ditari i tij politik është shkruar për kohën ’91-’96, politikani Servet Pëllumbi thotë se sot do të ishte e pamundur të hidheshin detajet nga ajo kohë. Për shkak se përvoja e tij në partinë socialiste sa vjen personale ashtu dhe në marrëdhënie mjaft delikate me personazhe politike brenda saj, si kjo parti u përça, si përjetoi hyrjen në burg të liderit të saj historik, Fatos Nanos, por dhe në anën tjetër të opozitës. Ndoshta edhe në rrëfimin e tij gjatë promovimit ditari “Përvoja ime në Partinë Socialiste”, Pëllumbi dukej se ende mbante “përplasjen” e madhe, të brendshme që ndodhi në partinë e tij në vitet ’91-’96 duke u ndalur pikërisht në marrëdhëniet me Fatos Nanon. Në botimet e disa pjesëve nga ditari i meposhtëm Pëllumbi tregon raportet me opozitën kur Berisha ishte President, sidomos pas zgjedhjeve të ’96-ës kur PS tërhiqet, dhe situata politike në vend kishte marrë vemendjen e ndërkombëtarëve të cilët shihnin rrezikun e një lufte civile në Shqipëri.

***

E hënë, 30 dhjetor 1992

Si për ta mbyllur vitin që po lëmë pas me “hidhërimin” karakteristik që shoqëron ngjarjet, sidomos ato politike në një kohë tranzicioni, po shpreh disa objeksione rreth fakteve që kanë të bëjnë me shokët me të cilët punoj, që takohem gati çdo ditë, përshendetemi, i buzëqeshim njëri tjetrit, i rrahim krahët, i themi më pëlqeu shumë diskutimi, artikulli, veprimi, thënia jote në “x” e “y” rast, më pas në takimin me një tjetër ndodh që po ai të thotë: “Na lodhi ky profesori me akademizmin e tij, nuk shkohet në Europë me të, ma kanë thënë troç plot të huaj: “E sa kohë do ta mbani në krye atë marksistin ortodoks”.

I.Meta prapa krahëve më quan “plaku”. Dikush tjetër më etiketon padrejtësisht “si zëvendësi i Fatosit që i mbulon gjynahet” etj..etj.Pra, kemi defekte në lidhjet shpirtërore, në sinqeritetin dhe besimin reciprok që janë shumë të rëndësishme për një parti serioze dhe me ambicie të mëdha për të qeverisur vendin.

Ndërkohë, këto mund të quhen të vogla, shfaqje papjekurie e disa të rinjve… pra diçka kalimtare! Por ka dhe “thashetheme” të një natyre tjetër që cënojnë rëndë kohezionin tonë të brendshëm. Maqo Lakrori, i afruar çuditërisht me I. Lleshin (I dorëhequr nga drejtimi i PS-së), po përpiqet “me iniciativë” por pa thënë asgjë në Kryesi, të formojë një grup me intelektualë për të përpunuar një alternativë ekonomike të PS-së. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, por i ka thënë Gramozit se do të shkojë në bazë për ta mbrojtur ! Më tej i ka thënë po Gramozit, se do të shtrojë në kryesi çështjen e vajtjes së fshehtë të Fatosit në SHBA në fillim të dhjetorit 1991, sepse atje “Nano na shiti”. Gramozi i kujdesshëm e parimor si gjithmonë, më informon se e kishte biseduar gjatë me Maqon këtë çështje. Shkëmbyen mendime për hapat e mëtejshme. Ndër të tjera i them.

-Nëse ai do ta kërkojë zbardhjen e “aferës Nano” është e drejta e tij nuk kam asgjë kundër, por të zënë anëtarët e Kryesisë një nga një për të përgatitur terrenin, siç po bën ai, kjo është e gabuar, fraksioniste…Veçse në një linjë të ngjashme janë edhe disa nga intervistat e P. Majkos që është bërë i preferuar i organeve të shtypit të orientuara kundër nesh. E çfarë nuk thuhet në to për F. Kumbaron,e B. Zenelin, të dy anëtarë të Kryesisë. Vetë Fatosi ka “lidhje tavolinash” me ta, kurse ata, me sa duket, një lloj “Pushteti” mbi të! Po a ka kuptim të hapim tani çështje të tilla? Kjo meriton “shoshitje” të kujdesshme…

Në këtë fundviti më befasoi edhe E. Kolaneci, shoku im i gjimnazit dhe ambasador në Vjenë. Ëngjëllin e kishte takuar një mik i Shqipërisë e biznesmen i fuqishëm austriak që kishte pritur e trajtuar si miq te Fatosit dhe Bashkimin në hotelin e tij tepër luksoz, pa paguar asgjë për fjetje, ngrënie, pije. Por ata, i kishte thënë ai, kanë abuzuar në mënyrën më të paturpshme duke marrë me firmë bizhuteri me një vlerë 13 mijë shilinga ! Nuk iu besoja veshëve. I them Engjëllit:

-A ka ndonjë mundësi që të jetë ngatërruar miku nga Austria?

-Në asnjë mënyrë, – m’u përgjigj ai. Kishte faturat dhe m’i tregoi. “Ja dhe një proçkë tjetër e Fatosit”,  mendova me vete. Engjëlli më tha:

-Ai nuk kërkon kthimin e parave të vjedhura, por që shokët e tyre në parti të dinë të vërtetën për drejtuesit që kanë.

Kurse vetë ai, sipas ambasadorit, ishte shprehur ashpër e prerë:

-Nuk dua t’ua shoh kurrë më sytë.

U ndamë me Engjëllin duke i uruar njëri tjetrit Vitin e Ri, por dhe me premtimin që unë i dhashë për t’ia thënë këtë shqetësim në takimin më të parë Fatos Nanos. Sa përcolla Engjëllin, shkova te Fatosi në zyrë. Më dëgjoi pa interes. Dukej që ishte në dijeni. Më pas duke ia faturuar Bashkimit, tha si nëpër dhëmbë:

-Do të ketë marrë ndonjë gjë Bashkimi, por ai ia ka futuruar shumë, 13 mijë shilinga!

U habita nga një logjikë e tillë! Megjithatë, sa u largova unë nga zyra e tij ai e thirri “bashkëvuajtësin” sepse isha ende në korridor dhe e pashë Bashkimin që disi i alarmuar shkoi te Fatosi. “ja dhe një “peshqesh” jo i zakonshëm për Vitin e Ri”, mendova. Njëherësh, u betova para vetes dhe po e “shenjtëroj” në ditar: sa të jem në këtë Parti, gjëra të tilla nuk kam për t’ia falur askujt! Gjithsesi, pa harruar se ushqimi i shpresës është një shpresë tjetër!/MAPO

June 27, 2016 10:28
Komento

1 Koment

  1. perkthyesi June 27, 11:10

    Fatos Nano, nje nder politikanet me te felliqur dhe me kontraverse qe ka patur ndonjehere Shqiperia! Prania e tij ne faqet e shtypit, e ndot, e baltos dhe e kapatis keqazi ate. Lereni kete kufome ne habitatin e vet!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*