Vizitat e para në Hauret e Avgjisë

Nga Kosta Barjaba August 12, 2014 13:53

Vizitat e para në Hauret e Avgjisë

1.
Kur qeveria e re e nisi punën me botimin e disa fotove-imazh që dëshmonin gjendjen e punëve në disa nga institucionet e qeverisë që iku, shumëkush e interpretoi këtë si një pasion të Kryeministrit të ri për t’i dëshmuar publikut estetikën e qeverisjes së re. Kjo përshtypje u përforcua pas aksionit për risistemimin e disa godinave të rëndësishme të shtetit. Me këto veprime , gjithsesi, Kryeministri lëshoi mesazhin se qeveria e re kishte filluar pastrimin e bodrumeve të qeverisjes së vjetër. Kishte në këtë veprim një simbolikë: Paralelja me historinë e stallave të Avgjisë, për pastrimin e pisllëkut tridhjetëvjeçar të të cilave Herkuli, i caktuar prej Mbretit, u detyrua të devijonte dy lumenj të rrëmbyer. Por veprimet e mëtejshme qeverisëse shkuan përtej simbolikës. Ato u bënë pararendëse e disa reformave të rëndësishme të qeverisjes, të cilat prekën sektorë që gjatë 24 viteve tranzicion, ishin trajtuar si të paprekshëm. Në këtë mënyrë, qeveria e re duket se u kujdes që pastrimit prej saj të “Haureve të Avgjisë”, t’i japë një përmbajtje të dyfishtë, dukë përfshirë në të jo vetëm estetikën dhe artin e qeverisjes, por edhe reformat e disa sektorëve jetikë për të ardhmen e kombit.

2.
Kujdesi për imazhin e institucioneve të shtetit nuk është një veprim i ekzagjeruar. Të familjarizuar me difektet e qeverisjeve të kaluara, shqiptarët kishin nevojë jo vetëm për një qeverisje të re, por edhe për një imazh të ri të saj. Ky imazhi, i kombinuar me veprime të reja, do të krijonte një ndjenjë lehtësimi për të gjithë. Kujdesi për estetikën e qeverisjes është një parametër i rëndësishëm i lidershipeve politike të kohës sonë. Mjaft manuale të qeverisjes dhe lidershipit, i konsiderojnë këto të fundit si një mjeshtëri artistike. “Arti i Qeverisjes” dhe “Arti i Lidershipit Politik” janë ndër lëndët më tërheqëse në shkollat e famshme të administrimit dhe qeverisjes në universitetet më prestigjioze të botës së sotme. Por pasioni pas imazhit, estetikës dhe artit nuk mund të prodhojë një qeverisje më të mirë, nëse nuk shkohet në thellësi të “haureve”, për të nxjerrë që andej jo vetëm mbetjet e dukshme, por edhe ato të akumuluar prej dekadash. Por për këë nuk mjaftonte vetëm uji i pastër dhe i rrëmbyer i lumenjve që devijoi Herkuli. Duheshin dhe duhen reformat të thella. Të cilat qeverisja e re dëshmoi se ishte gati t’i ndërmerrte, pavarësisht pajtimit të shoqërisë me kuturbimin që vinte prej tyre. Mjaftojnë të përmendim dy prej tyre, Lazaratin dhe reformën arsimore, për të treguar sinergjinë midis imazhit dhe veprimeve dinamike dhe të guximshme qeverisëse.

3.
Lazarati duket tashmë një kapitull i mbyllur. Goditja që iu dha këtij fenomeni tregoi se rezistenca e të keqes nuk është kaq e fortë sa mendohej, nëse sinqeriteti qeverisës zëvëndëson hipokrizinë dhe interesat elektorale. “Lazarati” ishte një ndër “Hauret e Avgjisë” ku kishin zënë vend, madje ishin atrofizuar, një pjesë e pisllëkut të shoqërisë dhe qeverisjeve shqiptare, të cilat kombinonin interesat e trafiqeve ilegale me interesat politike dhe elektorale. Por pastrimi i “haureve” të Lazaratit duhet të përfshijë edhe veprime të tjera, midis të cilëve denarkotizimin e tokës dhe mjedisit. Mbjellja dhe kultivimi i marihuanës nuk ka pasoja shëndetësore dhe sociale vetëm për popullsinë përdoruese. Pasojat janë të ndjeshme dhe të rënda për tokën. Studimet tregojnë se për çdo njësi toke të mbjellë me marihuanë, dhjetëfishi i saj helmohet prej herbicideve dhe kimikateve të përdorura. Ujrat në zonat rreth tyre gjithashtu ndoten rëndë. Përveç kësaj janë frenuar e ngadalësuar natyrshëm edhe ritmet e zhvillimit ekonomik të fshatit. Ky frenim ishte mbuluar pas shkëlqimit të jashtëm të të ardhurave prej tregëtimit të marihuanës. Por ato nuk kanë shkuar në familjet lazaratase. Këtë e provon edhe fakti që komuna e Lazaratit është e dyta në rrethin e Gjirokastrës për nga numri i familjeve përfituese të Ndihmës Ekonomike. Por pastrimi i “Lazaratit” duhet të përfshijë edhe denarkotizimin e “trurit”, dhe në këtë rast jo vetëm të lazaratasve!

4.
Tashmë publiku shqiptar është njohur me operacionin radikal të reformës së universiteteve. Pakkush e priste që bisturia e reformës të shkonte aq thellë. Asnjë qeveri nuk kishte guxuar të avanconte deri në në heqjen e liçencës së shkollave të larta. Kjo nuk është bërë edhe në momentet kur këto shkolla kishin bërë hatara, një pjesë e të cilave u bënë të njohura ndërkombëtarisht. “Stallat” e universiteteve në disa raste ishin stalla në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale. Nuk ka asnjë dyshim se pas lulëzimit të jashtëm dhe iluzor të universiteteve private fshihej një pjesë e pisllëkut të shoqërisë. Pas vetëjoshjeve dhe autosugjestionit se po i hapim perspektiva arsimore rinisë, fshihej pamundësia për t’iu bërë të rinjve një ofertë instrumentale për jetën dhe të ardhmen e tyre. E cila maskohej pas një zgjatjeje disavjeçare të rënies në kurthet e papunësisë. Por ky pastrim i “Haureve Universitare të Avgjisë” nuk do ta pastrojë shoqërinë nga pisllëku ku ka rënë, nëse nuk shkohet më tej. Sistemi universitar është maja e aisbergut të mashtrimit arsimor, politik dhe qytetar që po i bëhej shoqërisë shqiptare. Nivelet parauniversitare të shkollimit vuajnë ngë ta njëjtat simptoma dhe po u zihet fryma nga të njëjtat ndotje.

5.
Publiku pret që këto vizita në “Hauret e Avgjisë” të mos mbeten vizitat e fundit. Reformat qeverisëse nuk mund të kenë sukses pa spastrimin dhe dezinfektimin e plotë prej mbeturinave, një pjesë e të cilave të kalçifikuara. Qeveria i ka dhënë shenjat se ato janë, në fakt, vizitat e para.

 

Nga Kosta Barjaba August 12, 2014 13:53
Komento

2 Komente

  1. elio August 12, 16:03

    He mo Kosta , e gjete trasten ne Amerike apo ..e pagove…

    Reply to this comment
  2. Koste "Pelixhja e re" August 12, 19:20

    O Koste “Pelixhja e re” e komunizmit a ke mire ate universitetin mesdhetar qe ke hapur me Cacin e qe e perdorni vetem per te shitur diploma se stduent nuk kam pare te futen atje por diploma jepni pa fund

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*