Vjedhja e bankës, bllokohen kamerat e sigurisë

July 30, 2014 08:44

Vjedhja e bankës, bllokohen kamerat e sigurisë

Prokuroria e Tiranës ka përqëndruar hetimet tek pamjet filmike të2 viteve të fundit për të zbardhur mekanizmin e vjedhjes dhe personave të tjerë të implikuar

Klodiana Kotorri

Prokuroria e Tiranës ka bllokuar gjitha pamjet filmike të xhirurara nga kamerat e sigurisë në Magazinën e Vlerës në Linzë nga ku u vodhën mbi 600 milionë lekë të reja. Burime nga organi i akuzës thanë se grupi hetimor ka bllokuar ditën e djeshme të gjitha pamjet filmike të dy viteve të fundit të cilat pritet të zbardhin mekanizmin e vjedhjes. Grupi hetimor ka përqëndruar hetimet tek kamerat e sigurisë për të verifikuar nëse i akuzuari, Ardian Bitraj ka pasur bashkëpunëtor në vjedhjen e shumës marramendëse. Ky i fundit ka deklaruar para hetuesve se paratë në Bankën e Shqipërisë i ka vjedhur i vetëm, megjithatë prokuroria ka ngritur dyshime se ai ka bashkëpunëtorë të brendshëm apo qoftë edhe të jashtëm. “Do të verifikohen të gjitha pamjet filmike, jashtë dhe brenda Magazinës së Vlerës në Linzë, për të zbardhur mënyrën e vjedhjes së parave si dhe për identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm të Bitraj” thanë burimet nga prokuroria. Ndërkohë që auditi kishte njoftuar se do të dorëzonte të martën bilancin por një gjë e tillë nuk u bë e mundur dhe pritet që dorëzimi të bëhet ditën e premte.

Hetimi

Organi i akuzës ka nisur verifikimin e pasurive dhe llogarive bankare të familjarëve të afërt të dy të arrestuarve, për vjedhjen e thesarit të Bankës së Shqipërisë. Burime nga prokuroria thanë se do të verifikohen pasuritë e familjarëve dhe të afërmve të dy punonjësve të arrestuar, Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruza. Kjo e fundit ka mohuar akuzën duke deklaruar se nuk ka vjedhur shuma parash në bankë. Mësohet se janë 20 familjarë që po verifikohen nga prokuroria edhe për llogari në bankat e nivelit të dytë dhe që janë prindër, vëllezër, motra, kushërinj të parë, apo edhe të afërm të të arrestuarve. Ndërkohë që prokuroria ka hartuar një listë me emra të cilët do të merren në pyetje mes të cilëve janë drejtues të bankës si dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.

Vjedhja

Auditi i Brendshëm denoncoi vjedhjen e një sasie të konsiderueshme parash nga arkat e Magazinës së Vlerës në Linzë. Pas hetimeve të para u arrestuan dy punonjësit, Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia. Bitraj pranoi vjedhjen e rreth 600 milionë lekëve të reja që në momentet e para duke deklaruar se i kishte shpenzuar në lojëra fati. Ai ka marrë përsipër i vetëm vjedhjen e shumës marramëndëse ndërsa prokuroria dyshon se ai është ndihmuar edhe nga persona të tjerë. Ndërkohë që nga hetimet e kryera prej më se një javë, prokuroria deklaroi se paratë nuk janë shpenzuar në lojëra fati ashtu sikurse pretendon Bitraj. Grupi hetimor dyshon se ai ka krijuar pasuri të palujtshme ndaj dhe kanë nisur verifikimet e pasurive të familjarëve të tij.

July 30, 2014 08:44
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*