Vjedhjet e energjisë rritën procedimet e prokurorisë

February 8, 2016 14:32

Vjedhjet e energjisë rritën procedimet e prokurorisë

Prokuroria e Tiranës ka bërë bilancin e punës së saj për rreth një vit. Prokuroria bën me dije se gjatë vitit 2015, ka regjistruar 16.500 kallëzime, që janë rreth 1100 më shumë se një vit më parë. Ndërkohë, është vendosur mosfillimi për rreth 6000 referime, një pjesë prej të cilave të dorëzuara në fund të vitit 2014. Në bazë të këtyre shifrave, dëshmohet rritja e rolit kontrollues paraprak mbi materialet e referuara.

Më tej thuhet se gjatë vitit 2015 janë hetuar rreth 12600 procedime penale, pra 330 procedime më shumë se një vit më parë, me rreth 6800 persona të pandehur dhe nën hetim.

– Janë dërguar për gjykim 4400 procedime, që janë rreth 730 më shumë se një vit më parë

– Janë pushuar 1265 procedime ose rreth 200 më pak se një vit më parë

– Janë pezulluar 4220 procedime ose rreth 800 më pak se viti 2014

– Ndërkohë janë mbartur për vitin 2016, rreth 2550 procedime ose 110 më shumë se viti 2014

Gjatë vitit 2015 kanë njohur rritje veprat penale që lidhen me pronën, veprat kundër autoritetit të shtetit, veprat kundër personit. Por, pavarësisht se këto grup veprash kanë pasur rritje, kjo rritje nuk është e ndjeshme në krahasim me totalin e procedimeve të regjistruara. Rritje të numrit të procedimeve ka pasur gjithashtu edhe për “vjedhje energjie”, “korrupsion aktiv” dhe “shpërdorim të detyrës”. Numri i procedimeve penale për veprat e tjera është pak a shumë në të njëjtat parametra.

Gjatë vitit 2015 ka pasur rritje të procedimeve të zhvilluara në afatin 3-mujor dhe ulje të procedimeve me afat mbi 3-mujor. “Gjithsesi, shprehim bindjen se numri i procedimeve mbi afatin 3-mujor mund të ishte më i vogël nëse do të kishte pasur impenjim më të madh nga ana e oficerëve të Policisë Gjyqësore, si në Policinë e Shtetit, ashtu edhe në seksionin pranë Prokurorisë. Problematika me oficerët tashmë është e konstatuar dhe drejtuesit e Prokurorisë së Tiranës po hartojnë masat për përmirësimin e performancës së tyre”, thuhet më tej. /Dita/

 

February 8, 2016 14:32
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*