Vlerat e Luftës sonë antifashiste janë të përjetshme

Manxhar Binaj* January 10, 2016 08:41

Vlerat e Luftës sonë antifashiste janë të përjetshme

(Rreth shkrimit të Viktor Malajt: “Lufta Nacional Çlirimtare dhe armiqtë e saj”)

Si pjesëmarrës të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare përshëndesim me arsye dhe me zemër analizën e gazetarit të shquar dhe të guximshëm Viktor Malaj, një shkrim me argumente të sakta, të plota dhe bindëse. Ky shkrim në vlerësimin tonë dhe jo vetëm, por të atyre që e kanë parë me sy, e kanë prekur realisht, e kanë përjetuar atë që ka ngjarë në vendin tonë, kush më mirë se sa kjo pjesë, dëshmitare okulare mund të dëshmojnë dhe të vërtetojë me fakte e prova të pa kontestueshme, aktin më të lartë të popullit shqiptar: Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare. Edhe populli ynë u rreshtua në frontin Çlirimtar- Ndërkombëtar. Autori pa frikë dhe pa i’a bërë syri tërr, ka dalë në mbrojtje të Luftës Çlirimtare Shqiptare.

Nga viti 1992, me ndryshimin e sistemit, por e rezultuar me rrënimin e vendit dhe të vlerave, kanë qenë shumë të paktë ata autore, gazetarë a shkrimtarë që kanë dalë kaq hapur e me kurajon qytetare të mbrojnë, argumentojnë një të vërtetë historike, me gjak të derdhur, sakrifica, heronj dhe dëshmorë nga të cilat ndoshta dhe të pa njohur më parë.

Autori, Viktor Malaj, si gazetar objektiv sa i saktë dhe argumentues në të gjithë shkrimin e vet, ka nxjerrë në pah të vërtetat e kësaj lufte, pa asnjë zmadhim e zbukurim, ka treguar dhe argumentuar heroizmin dhe sakrificat e panumërta të popullit shqiptar, ka folur për aktin sublim të djemve dhe vajzave shqiptare në moshën më te re, që morën pushkën dhe i dolën zot vatanit, kundër dy zaptuesve të egër dhe barbarë, siç ishin fashizmi italian dhe nazizmi hitlerian, për të çliruar atdheun dhe popullin shqiptar.

Gazetari ka ditur t’u japë përgjigje të prerë dhe të saktë ballistëve dhe zogistëve si dhe bashkëpunëtorëve të tyre të djathtë me Sali Berishën në krye, të humbur në atë luftë dhe në përjetësi që u bashkuan me pushtuesit kundër interesave të vendit. Ata në kor ulërijnë dhe hedhin baltë e blozë mbi këtë luftë. Këta që na hiqen si “baballarët e Kombit”, kanë bashkëpunuar e kanë qenë përkrahës të flaktë me fashistët e nazistët që kishin zaptuar Shqipërinë, duke luftuar vëllezërit dhe motrat e tyre, të një kombi, se gjoja do binin “Komunizmin në Shqipëri”.

Gazetari ka vënë me shpatulla pas murit pjellat e kolaboracionistëve, të cilët kohët e fundit po ulërijnë nga “rreziku i komunizmit”, kur shohin ndonjë foto të Enver Hoxhës. Të gjitha bëmat e tyre i ka vulosur me damkën e tradhtisë,dhe me dokumente të plota të marra nga arshivat e armiqve, i ka ndëshkuar historia Shqiptare dhe ajo botërore. Ka nxjerrë në dritë të diellit, marrëveshjet e bisedimet e tyre të fshehta e skllavëruese në kurriz të popullit shqiptar, qysh nga viti 1939 e deri më 29 Nëntor të vitit 1944.

Autori i shkrimit me të drejtën e pa revokueshme thotë saktë se: ”Lufta Çlirimtare është një nga veprat më madhore dhe më fisnike e popullit shqiptar”. Do të shtonim madje se është më e veçanta nga të gjitha luftërat që ka zhvilluar populli ynë në shekuj, përjashto atë të Skënderbeut.

Cilat janë veçoritë e kësaj lufte? Nga se dallon ajo nga luftërat e tjera?

Populli shqiptar ka luftuar në shekuj, është përleshur dhe përgjakur me të gjithë ata që e kanë shtypur e robëruar. Megjithëse i vogël në numër, në krahasim me pushtuesit, asnjëherë nuk është përkulur e gjunjëzuar, por është ndeshur e ka luftuar me trimëri dhe heroizëm për të drejtën e tij fundamentale, për të fituar Lirinë dhe Pavarësinë e vendit.

Lufta Antifashiste nuk ishte një luftë kaçakësh, e as çetnikësh, por ishte një luftë e organizuar mbi baza e parime themelore, e drejtuar nga një kokë drejtuese siç ishte Shtabi i Përgjithshëm, me Komisar Enver Hoxha dhe Komandant Spiro Moisiun. Ky shtab bëri dhe bashkimin organik të formacioneve partizane, reparteve, dhe njësive në një ushtri të vetme, të komanduar dhe drejtuar në gjithë veprimet luftarake dhe në të gjithë territorin e vendit. Ky shtab i bazuar në taktikën e artit “Operativ të Luftës Klasike”, me një strategji të orientuar dhe caktuar, siç ishte çlirimi i vendit, ndërtoi dhe taktikën e luftës partizane në përshtatje me kushtet e terrenit tonë. Lufta Nacional Çlirimtare ndryshon edhe në kohë me luftërat parardhëse, ajo nuk vazhdoi me ditë e javë e muaj, por ishte lufta më e gjatë, me vite, prej 4 vjetësh, e cila vazhdoi pa ndërprerë ditë e natë. Dhe pas Kongresit të Përmetit, ajo kaloi në luftë Frontale dhe shpuri në fitoren përfundimtare, në çlirimin e vendit, dhe vendosjen e pushtetit popullor, të zgjedhur me votën e lirë, të popullit shqiptar.

Enver Hoxha me zgjuarsinë dhe largpamësinë e tij, së bashku me Komandantin e Shtabit Spiro Moisiu e kuadro të tjerë të luftës, ditën të ofrojnë dhe trajtojnë me kujdes të gjithë ata ushtarakë që kishin studiuar e mbaruar shkollat jashtë vendit, në kohën e regjimit të Zogut dhe ju bashkuan LANÇ-it për çlirimin e vendit. Koto kuadro, madje u caktuan në pozita kyçe, drejtues repartesh e njësish siç ishin: Mehmet Shehu, Shefqet Peçi, Abaz Shehu, Tahir Kadare, Hulusi Spahiu, Gjin Marku, Dali Ndreu,etj. Një gjë të tillë “Balli Kombëtar” nuk mundi ta bënte, për arsyen e thjeshtë se: Kauza e tij ishte antikombëtare dhe për rrjedhojë nuk u përfshinë në radhët e tyre ushtarakë të kësaj kategorie, të arsimuar dhe kualifikuar jashtë vendit.

Këta kuadro, duke njohur dhe mirëzotruar atë pak teknikë dhe artin “Operativ të Luftës Klasike”, dhanë një kontribut të shquar në përgatitjen ushtarake të forcave partizane. Këta përgatitën dhe aftësuan djem dhe vajza, në gjithë vendin nga qyteti dhe fshati në Luftën Çlirimtare. Mjaft nga këta kuadro edhe pas çlirimit dhanë një ndihmesë të konsiderueshme në formimin dhe modernizimin e ushtrisë Popullore. LANÇ, thotë autori: “Nuk duhet nderuar dhe respektuar pse atë e udhëhoqën komunistët, dhe pse ajo drejtohej kundër fashistëve. Luftën e bëri populli Shqiptar, merita e komunistëve qëndron në udhëheqjen dhe qëllimin e Luftës”.

Viktor Malaj me guxim e kurajo merr në mbrojtje të gjithë pjesëmarrësit e Luftës, përfshi edhe veteranët që jetojnë sot. Ai shkruan se: “Respekti dhe nderimi shkon për gjithë ata që morën vendimin për të lënë rehatin personal dhe për të rrezikuar jetën e tyre kundër pushtuesve”. Ai me të drejtë thotë se: “Nuk mund të presim që luftën dhe luftëtarët të nderohen nga tradhtarët, sharlatanët, hajdutët, kontrabandistët, ne do t’i shtonim dhe nga armiqtë që së bashku me forcat naziste na luftuan për disa vjet me radhë dhe më në fund i`1a mbathën këmbëve, bashkë me okupatorët për t’i shpëtuar ndëshkimit të popullit për krimet që kishin bërë.

Popullin tonë dhe luftëtarët e tij të lirisë, i ka nderuar, përkrahur e ndihmuar bota, fronti i madh antifashist me SHBA, BS e Anglinë, prandaj s’kemi dashur dhe nuk duam që të nderohen dhe respektohen nga këta sharlatanë, humbës!

Autori shkruan me kurajon e përligjur: “Se armiqtë e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, ndodhen sot edhe në koridoret e pushtetit aktual dhe sillen si hije pas drejtuesve qeveritarë”! Ata, madje nuk lënë gur pa lëvizur, duke sajuar e shpifur për të ardhur përsëri në krye të pushtetit, të djathtët me Sali Berishën në krye, të cilët kanë groposur këtë popull, duke vjedhur e shkatërruar për 25 vjet me radhë, janë pasuruar duke grabitur tokat e popullin, pasurinë që kishte vënë me djersë e gjak për 45 vjet me radhë. Këta hajdutë e kriminelë, kultivuan në brezin e ri drogën, vjedhjen, grabitjen, vrasjet, duke i vënë njollën e zezë popullit shqiptar.

Për ata që vajtojnë dhe ulërijnë për mos ardhjen në pushtet të “Ballit të Kombit”, pas Luftës të Dytë Botërore, siç dhe shkruan gazetari Malaj, ne duhet të kujtojmë se Shqipëria e 1944, ishte Shqipëria që na la mbreti- tradhtar me “baballarët e kombit”, një Shqipëri gjysmë feudale, me 95 % të popullit analfabet, me malarje, turbekuloz. Me krenari e themi se: Shqipëria gjatë 45 viteve bërë transformime rrënjësore: Zhduku analfabetizmin (që fatkeqësisht është rikthyer në këta 25 vjet të “demokracisë”). Ngriti universitetet, thau kënetat, ngriti fabrika e uzina moderne, ndërtoi hidrocentrale, dhe elektrifikoi gjithë vendin… Ngriti plantacione me ullinj e agrume, të cilat në mënyrën më kriminale i shkatërroi politika “demokratike” e pas vitit 1990, duke zbatuar teorinë e zeros më kriminale, antikombëtare dhe antinjerëzore, të rekomanduar nga renegatët e arratisur, antishqiptare!

Si veteran, por dhe gjithë veteranët e Vlorës duam të falndërojmë gazetën “DITA dhe kryeredaktorin e saj, zotin Adrian Thano, si dhe gazetarët: Viktor Malaj, Bedri Islami, Xhevdet Shehu, etj, të cilët me shkrimet e tyre në këtë gazetë, kanë marrë në mbrojtje si çështjen Kombëtare, Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, Epopenë më të Lavdishme të popullit shqiptar.

Gazeta “DITA” dhe ekipi i saj me soicizëm, arsye dhe argumente kanë mbrojtur dhe mbrojnë këtë kauzë kombëtare, mbarëshqiptare! Nuk mund të lemë pa përmendur poetin e flakërimeve shqiptare, Arben Duka, poetin gjirokastrit, i cili me poemat e tij, me klithma shqiptare ka fshikulluar gjithë abuzuesit dhe deformuesit, pafytyrësinë e gjithë atyre që tentojnë të baltosin Luftën Çlirimtare shqiptare, por kanë realizuar baltosjen e tyre! Ai në emër të popullit dhe si përfaqësues i denjë i këtij populli, u ka treguar vendin të gjithëve, dhe të majtëve abuzues. Autori, Arben Duka, një kolos i pendës, i vargut, i fjalës së shkruar ka marrë në mbrojte gjakun e derdhur nga ata që dhanë gjakun, jetën për të bërë Shqipërinë, dhe gjithë veteranët e kësaj Lufte.

Si veteran, po dhe si gjithë veteranët e Vlorës Heroike, urojmë nga zemra Gazetën “DITA”: Të sjellë ditë të begata për popullin shqiptar! Urojmë gjithë stafin e gazetarëve të saj, penda e tyre siç është top dhe të mbetet TOP!

Shkrimi i Viktor Malaj, është jo vetëm një dëshmi e gjallë historike, që duhej shkruar me kohë nga historianët tanë të nderuar, por dhe mbetet i tillë. Ishte dhe do të mbetet si një gur themeli në themelin e LANÇ.

*Veteran i LANÇ-it

Manxhar Binaj* January 10, 2016 08:41
Komento

1 Koment

  1. XUME PROTOPAPA January 10, 18:55

    PO ORE MANXHAR

    shkrimi eshte i shkelqyer, edhe levdatat jane me efekt, por sikur te na tregoje pak edhe per Agronin, Sokolin, Vjollcen do I beje nje te mire kesaj shoqerie qe po stermundohemi ta ndertojme dhe asaj qe te dha aq shume sa as edhe njeriu tjeter.

    Ti ishe i vetem partizan i luftes NA-ÇL, une kam patur plot pese te tille, edhe nga Vlora, e nuk pata as edhe nje privilegj nga enveroxhizmi qe te mijte dhane kontribut per te ardhur ne pushtet e drejtuar Shqiperine.

    Sokoli yt, vazhdon te jete nje nga ata gjykatesit e Donald Lu-se, tek Apeli i Krimeve te renda, edhe pse Sali Qelbesire Shiqerwe Berisha e zboi nga KLD-ja me ndihmen e Bujar kapterit, ish kolegut tend (jo ne lufte).

    Me gjithate, lavdi te perjeteshme heronjve te luftes NA-ÇL !

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*