Vlora, përcaktuese në kthesën historike të 23 qershorit

Zenepe Luka June 10, 2013 09:42

Vlora, përcaktuese në kthesën historike të 23 qershorit

Nga Vlora zonja Valentina Leskaj, në këtë intervistë ekskluzive për gazetën “DITA ”, paraqet situatën zgjedhore, problematikën që ka Vlora dhe deri tek argumenti “Malaj”. E njohur dhe vlerësuar si një politikane e ekuilibruar, që përdor argumentin, arsyen dhe jo baltën, me detaje ajo flet për fitoren e thellë të së majtës më 23 qershor, se si do të blindohen komisionet dhe KZAZ-të për të ruajtur votën, kërkesa që i drejton Arben Malajt, pse Jozefina Topalli është modeli më i keq i gruas në politikë dhe këshilla që i jep Berishës për pas 23 qershorit.

Zonja Leskaj, cila është arsyeja që u përfshitë në listën e kandidatëve në Qarkun e Vlorës?

Gjykoj se nuk ka ndonjë lidhje vendosja ime në Vlorë, me një fitore të sigurt. Jo, unë e kam të sigurt fitoren edhe në Elbasan, ku kam qenë. Dua t’ju them se unë nuk kam ardhur në Vlorë vetëm tani, që jam kandidate për deputete. U bë një vit e gjysmë që jam këtu, e ngarkuar nga kryesia e Partisë Socialiste, si e deleguar për rrethin e Vlorës, si drejtuese politike, çka do të thotë se është më se normal kandidimi im këtu. Jo vetëm kaq, unë kam arsye të tjera, shumë më të forta, që të jem deputete e Vlorës.

Mund t’i mësojmë këto arsye, që ndoshta votuesit nuk i njohin?

Së pari unë kam dy fëmijët, që janë vlonjate 24 karatësh, madje edhe nipi e mbesa thonë se jemi nga Vlora. Kësisoj, për sa kohë unë jam minoritet në familjen time, pse të gjithë janë nga Vlora, dua të them se edhe unë personalisht si Vali, kam lidhje shumë të ngushta me Vlorën. Unë kam kryer arsimin e mesëm në Vlorë, por familja ime ka qenë e lidhur ngushtë qysh herët me këtë qytet. Kështu që nga lufta e 1920-s gjyshi im, më pas edhe xhaxhai, që është Hero i Popullit, Abaz Shehu. Ai ka qenë komandant i Brigadës së 5-të S dhe kur u plagos, plagët ia kanë lidhur vlonjatët dhe, kur u vra, në Gjorm, e përcolli Vlora me ligjet e saj. Ai ka një lapidar në këtë trevë, që përcjell jo vetëm heroizmin, por edhe lidhjet e ngushta me Vlorën. Dua t’ju kujtoj që personalisht unë, pikërisht më 1997-n, në periudhën më të vështirë të Vlorës, erdha dhe ngrita një qendër sociale me emrin Aulona, që është edhe sot dhe u ka shërbyer mijëra grave. E bëra këtë kur unë nuk isha në politikë, por me dashurinë për këta njerëz, duke menduar që çdokush mund të vendosë një gur në zhvillimin e qytetit dhe të vendit. Pas këtyre që shpreha, besoj se edhe ju u bindët, që është krejt e natyrshme, që unë të kandidoj në Vlorë. Por unë dua të them se edhe në Elbasan e kam ndjerë veten elbasanlie. Madje, nëse më lejoni të shtoj diçka, dua t’ju them se unë ushqej një mirënjohje të thellë për ata që më kanë votuar. E kam thënë dhe nuk do të pushoj së thëni për sa kohë që do të jem, sepse janë njerëz të  mrekullueshëm. Unë jam ndjerë mjaft mirë, kur të gjithë më quanin nga Elbasani dhe kam arritur ta identifikoj veten me ata njerëz që më kanë mbështetur dhe votuar për tre mandate me radhë.

 

Cili është ‘çelësi sekret’ që keni përdorur për t’u njësuar me komunitetin që ju voton?

Besoj dhe jam e bindur, se është raporti njerëzor, respekti ndaj njerëzve, ndaj atyre që të kanë votuar dhe mbështetur. Kam dashur dhe dua që të bëj një investim pozitiv, për të cilin mendoj se Shqipëria ka shumë nevojë. Këtë e mendoj për shkak të një klime shumë të ashpër që politike, që populli shqiptar ka vuajtur dhe vazhdon të vuajë edhe pas 22 vjetësh që ka rënë regjimi. E dini çfarë kërkojnë njerëzit në takimet elektorale, që bëj tani? Kërkojnë rrugë, ujë, drita dhe një mundësi për të punuar. Pra ata kërkojnë një minimum dhe që nuk u është afruar ende. Ndaj besoj që ky popull i shumëvuajtur në të gjithë kohërat, meriton respekt, dashuri dhe mirënjohje të thellë kur na japin votën, që ende vazhdojnë të besojnë tek politika.

 

Besoni se do të merrni maksimumin e votave në zonën ku jeni kandidate për deputete në Vlorë?

Unë mbuloj të gjithë Qarkun, kam shkelur të gjitha zonat, që nga Bregu, Lumi i Vlorës, por jam ngulur në zonën e Topalltisë. Kam parë që janë njerëz shumë punëtorë, të respektueshëm dhe ajo që më bën përshtypje, është ky konstatim:Çfarë varet nga dora e njeriut, është bërë, çfarë ka pasur në dorë pushteti është e rrënuar. Ndaj kuptoj, që është një moment për reflektim të thellë nga politika shqiptare. Ne si Parti Socialiste kemi bërë një reflektim të thellë, që nga momenti që bëmë një program të thellë, jo si ai i Berishës në 2005-n. Ai u ul tek 15-katshi, mblodhi ca njerëz, që i quajti KOP, shumica e të cilëve ishin ata që ishin mërzitur dhe e kishin braktisur Berishën dhe një ditë u pajtuan. Ai doli me një laptop e u tha shqiptarëve: Ky është program i Partisë Demokratike, i qeverisë së ardhshme. E kam parë me vëmendjen më të madhe, madje e kam ndjekur për një kohë të gjatë dhe deklaroj me përgjegjësi, jo për fushatë elektorale, se nuk është bërë asgjë. Ndërsa për hartimin e programit tonë, serioziteti qëndron në faktin se kemi punuar më shumë se dy vjet e gjysmë për hartimin e tij, me ekspertizë lokale dhe ndërkombëtare. Jo vetëm në Tiranë, por kemi shkelur të gjitha rrethet, janë bërë dhjetëra tryeza për të gjitha problemet si për shëndetësinë, për zhvillimet rajonale, për arsimin dhe deri për zhvillimin e sportit. Pra është bërë një punë shumë serioze, pse kemi kapur të gjithë spektrin e problemeve që ka vendi dhe kemi përcaktuar objektivat, strategjitë, që i paraqesim edhe gjatë fushatës elektorale, duke dhënë garancinë e realizmit të tyre në mandatet qeverisëse.

 

Me pak fjalë mund të përcaktoni se çfarë është programi i Rilindjes, që e keni moton e fushatës zgjedhore?

Rilindje nuk do të thotë që të mbushim gropat që ka lënë Qeveria e Berishës, por është një program me vizion zhvillimor. Ajo që i ka munguar vendit dhe ajo që më shqetëson edhe për buxhetin e shtetit të qeverisjes, që ra, është se nuk ka program zhvillimor, nuk ka programe afatgjata. Buxheti është përdorur për qëllime elektorale,pasi bëhet njëherë në dy vjet, sa herë ka zgjedhje. Ky është shkatërrimi që i është bërë pasurisë dhe buxhetit të shtetit. Kur nuk ka politika afatgjata, është një përdorim abuziv i buxhetit.

 

Konkretisht, keni një panoramë të problemeve që ka Vlora lidhur me investimet?

Gjëja e parë që kam bërë kur erdha në Vlorë, ju kam kërkuar strukturave të partisë, koordinatorëve që kemi, që të identifikojnë nevojat që ka çdo fshat, çdo komunë e bashki. Kjo na bën që të jemi seriozë, të njohim situatën dhe çfarë mund të bëhet për të ndihmuar popullatën.

 

Vendosja në krye të listës së kandidatëve të liderit socialist z. Edi Rama, mos është një shkak më shumë, që kryeministri i ardhshëm të bëjë më shumë për Vlorën?

Unë e shoh të natyrshme ardhjen e z. Rama në Vlorë. Besoj, që pas 100 vitesh Pavarësi, Vlora e meriton të ketë një kryeministër, deputet të Vlorës. Sigurisht edhe kjo që nënvizoni ju në pyetjen tuaj, ka një të vërtetë. Vlora ka një potencial shumë të madh, jo vetëm për sa i përket turizmit, por edhe bujqësisë, trashëgimisë kulturore. Në fakt të gjitha këto potenciale, ashtu edhe detin e mrekullueshëm, i braktisi për 8 vjet me radhë Sali Berisha. Kjo është fatale dhe e pafalshme për qeverisjen e tij. Ndaj Partia Socialiste, do të japë modelin ndryshe për të vënë në lëvizje këto potenciale dhe mbi të gjitha potencialin njerëzor, që ka një kurajo të jashtëzakonshme. Vlora ka Universitetin e saj, që është pas atij të Tiranës, që është një burim që mund të kthehet në mirëqenie për njerëzit. Pra të gjitha këto pasuri, duhet të kthehen në mirëqenie për komunitetin. Ka edhe një arsye tjetër, që Vlora e meriton, pasi jo vetëm është një nga mbështetëset më të fuqishme të së majtës, por sepse Vlora ka një nuhatje shumë të hollë politike, gjithmonë Vlora ka qenë përcaktuese në momentet e kthesave së historisë. Më besoni, që edhe 23 qershori do të jetë një moment historik. Jam e sigurt që Vlora do të jetë e para, që do t’i japë grushtin qeverisjes së Berishës.

 

Nuk e di nëse ju kanë rënë në vesh shqetësimet që ngrenë aty – socialistë të Vlorës, përse pesë deputetë që janë në krye të listës vijnë nga Tirana. Mendoni se ky “zemërim” mund të ndikojë në rrjedhje votash?

Ne flasim për zgjedhje politike dhe jo lokale. Sigurisht në këto të fundit kërkohet që kryetari komunës, i bashkisë të jetë vendas. Në zgjedhjet politike, është parlamenti që bën politikën kombëtare. Rëndësi ka pesha e figurave në Parlament, kontributin që ata japin në politikë. Mendoj se nuk ka rëndësi se ku e ka shtëpinë, pasi përvoja e këtyre viteve ka treguar se deputetët nga rrethet, jetojnë në Tiranë. Ndërkohë, mund të jesh me shtëpi në Tiranë dhe të rrish më shumë në zonën tënde elektorale. Flas për vete, unë shkoj vetëm njëherë në javë në Tiranë, gjithë kohën jam në Vlorë. Kështu mund të flasim edhe për kolegë të tjerë sikurse është Luiza Xhuvani, që jeton në Tiranë dhe e gjen gjithë kohën në Sarandë, apo Fatmir Toçi, që ka bërë aq shumë për Lumin e Vlorës. Parë në këtë vështrim them se puna e deputetit nuk varet se ku e ka shtëpinë, por sa i angazhuar është për të bërë detyrën e tij, për të qenë pranë zgjedhësve, që i dhanë votën. Tek e fundit, unë Vali Leskaj e ndjej dhe jam nga Vlora, jam në shtëpinë time. Pastaj, ne sot flasim për integrimin në Europë, ku shkrihen kufijtë e fshatit dhe të qytetit. Bindja ime është se ne duhet të flasim për një Shqipëri Europiane, që ka një vizion, që shkon përtej çdo ndarjeje. Duke parë listën e kandidatëve për deputetë, nuk shoh ndonjërin që nuk ka lidhje me Vlorën, duke nisur që me Edi Ramën, që ka familjen këndej, është rritur që fëmijë në Skelë.

Zonja Leskaj, në këtë intervistë nuk mund të anashkalojmë argumentin “Malaj”. Mendoni se distancimi i deputetit Malaj dhe se kandidimi i tij i pavarur, do të ndikojë në fitoren e PS në Vlorë?

Mendoj se distancimi dhe kandidimi i tij i pavarur, ishte një zgjedhje e z. Malaj. Pyetjes tuaj se sa do të ndikojë në fitoren e PS në Vlorë, unë siguroj se në Vlorë koalicioni i majtë do të fitojë 9 me 3. Ajo që do t’i këshilloja z. Malaj është që të tërhiqet, pasi kemi bërë një rrugë të gjatë bashkë dhe të vendoset në krah të partisë së tij. Kjo do ta nderonte. Ajo që na duhet sot, është një fitore e thellë, në mënyrë që të kemi më shumë vota në Parlament, që të bëjmë reformat, që përmes reformave integruese, të realizojmë programin që kemi marrë përsipër. Për të argumentuar më tej, dua të shtoj se ne kemi kohë që kërkojmë heqjen e akcizës së naftës, heqjen e TVSH-së për plehrat, për ilaçet, por nuk kemi pasur votat. Prandaj na duhet të bëjmë shumicën,  ë kemi votat e domosdoshme. Kështu do të krijojmë një shpresë të re.

 

Zonja Leskaj, politika ka trumbetuar me të madhe se 30 për qind e deputetëve do të jenë gra, ndërkohë që shumë prej tyre janë në fund të listës. Pse ka ndodhur kjo?

Po, është e vërtetë. Por më lejoni të shtoj se çështja e gruas, nuk është thjeshtë e përqindjes në Parlament. Për mua themeli i çështjes së gruas është programi, çka do të thotë që ne na duhet një program, që është me orientim, ka një prerje të barazisë gjinore. Së paku për 22 vjet, ky është një program shumë i qartë, por shoqëria shqiptare ka detyrime të mëdha. Më tej, mendoj se problemi i gruas, është çështje e gjithë shoqërisë, e gjithë politikës, pasi të drejtat e grave  të barazisë gjinore , janë në fokus edhe të instrumenteve ndërkombëtarë.

 

Zonja Leskaj, ju jeni në politikë për gjatë tre legjislaturave. Sipas jush, cili ka qenë modeli i gruas në politikën shqiptare?

Së pari, unë kam një qasje timen në politikë, që mendoj se politika në radhë të parë duhet të vërë në qendër dhe në themel interesat e publikut  dhe të njerëzve dhe duhet të flasim për njerëzit dhe jo për vetë politikën. Unë e konsideroj fatkeqësi, që kryetarja e Parlamentit, zonja Jozefina Topalli, ka qenë edhe në rolin e nënkryetares së Partisë Demokratike. Së dyti, unë mendoj që politika duhet të orientohet nga arsyeja dhe argumenti dhe jo nga agresiviteti, jo tek sharjet, jo tek balta. Unë e refuzoj këtë lloj politike, e përçmoj këtë lloj politike. Tek arsyeja është forca. Prandaj mendoj se modeli i zonjës Topalli, duhet harruar dhe për fat të mirë, ajo po ikën. Më 23 qershor, ndryshimi është i sigurt.

 

Në përfundim dua t’ju pyes zonja Leskaj: Jeni të ndërgjegjshëm për pasojën që do të sjellë mangësia në KQZ, kur dihet që certifikon zgjedhjet?

Sigurisht që është problem, problem për demokracinë, që edhe pas 23 vjetësh krijohen këto probleme, por ne nuk kemi asnjë merak se do të kemi problem me fitoren. E para, më 23 qershor e majta do të ketë një votë masive, një rrebesh votash, që nuk mund ta ndalë Berisha dhe komisionerët e tij. Tjetra, vota do të ruhet atje ku votohet në KZAZ. Të dyja këto ne do t’i blindojmë, sepse në fund të fundit kemi një palë që do të vjedhë dhe pala tjetër, që jemi ne, kërkojmë zbatimin e ligjit. Ne kemi të drejtën e Zotit që të kërkojmë e të mbrojmë zbatimin e ligjit. Po e përsëris që ne do t’i blindojmë, vetëm në zbatim të ligjit dhe nuk besoj se do të kemi nevojë për KQZ, përsa i përket kutive të votimit, nëse marrim masat e duhura në komisione dhe KZAZ. Të flasim konkretisht për Vlorën. Unë nuk e di se si mund të gjendet vota për Partinë Demokratike me këtë braktisje që i ka bërë Vlorës. Nuk ka infrastrukturë më të rrënuar se në Vlorë.

Çfarë këshille do t’i drejtonit  z.Berisha nga Vlora?

Berishës këshillë? Mendoni që ai mund të dëgjojë një këshillë? Gjithsesi, unë dhe të gjithë ne I themi: Meqë i ndërtove të gjitha rrugët e Shqipërisë, tani shtro rrugën, që të çon tek nipërit dhe mbesat. Por përgjigjen definitive, do t’ia japë vota popullore e 23 qershorit. Duke votuar 29, që koincidon me datën e Çlirimit të vendit, Shqipëria do të çlirohet nga Sali Berisha, që e mbajti peng për një kohë të gjatë.

Ju faleminderit, zonja Leskaj!

 

Zenepe Luka June 10, 2013 09:42
Komento

9 Komente

  1. Lumi i Vlores June 10, 09:56

    Lexova intewrvisten qe nje zonje gazetare, i ben nje zonje te madhe te politikes shqiptare, deputetes Vali Leskaj.
    Dy gra, model per gazetarine dhe politiken shqiptare., duket kane gjetur njera tjetren.Vlonjatet e Lumit te Vlores, krenare per deputeten Leskaj, mbesa e Herotit te Popullit Abaz Shehu.

    Reply to this comment
  2. Emigranti nga lagjia Cole June 10, 09:59

    Suksese zonjes Leskaj, eshte modeli i domosdoshem i gruas ne politike.Topalli, Mesila Doda dhe “ushtaret e Berishes” ne Parlament. ulin dinjitetin e gruas shqiptare.
    Besojme se do tu mbyllet goja, pas 23 qershorit.

    Reply to this comment
  3. hosteni June 10, 10:25

    po do tja rrisi kjo vlerat e gruas shqiptare,,,,,,,,,,,,pppfffffffffff,,,,,,,,,tek kjo foto ka dale si nexhmija,,,,,,,,,,,,,,,,,(topalli edhe mesila doda nuk jane me te mira jo,,,,,,,,),,,,sipas meje te gjitha grate qe jane ne politike akoma kane simptomat komuniste edhe duhen akoma nja 30 qe te zhduken kto simptoma,,,,,,,,,,,,,,,,!!!!!!!!!!!!!!!!!

    Reply to this comment
  4. kalios June 10, 10:38

    Pershendetje z.Leskaj.Te uroj suksese ne fushaten qe drejton ne qakun e Vlores nje nga qarqet qe i ka dhene historise kombetare dicka me shume se shume te tjere,prandaj Vlora u ka per hak edhe juve z.Valentine si nje nga deputet me kulture te gjere ,me vizio dhe uide te qarta te cilat i ke treguar me diskutimet ne parlament dhe studiot televizive.Perpara argumentave te tua jane gjunjezuar dhe shume burra ,kundershtare politike e te zhurmshem te cileve ua ke mbyllur gojen me arsyetime e fakte qe llapaqenet kane qene te detyruar qe te heshtin edhe pse ata i terbon e i xhindos e verteta Jam i bindur se Ju e kini fituar respektin e vlonjateve qe dine te vleresojne vlerat e tua dhe te njerezve te tu qe kane dhene jeten per ta bere Shqiperine te lire e te zhvilluar per te siguruar nje te ardhme sa me te mire per te gjithe popullin e jo per femijte e qeveritareve sic po ndodh me kete qeveri qe punon vetem per oborrin e vet dhe tani pa pike turpi kane dale e genjejne me te njejtat premtime qe s,i mbajten kurre dhe duan qe persrri ky popull t,u mbushi thesin me vota dhe pastaj te na thone ku ju kemi pare.Nuk ma merrmendja se vlonjatet do te genjehen per t,i shperndare votat edhe per kandidatin e pavarur per te cilin une kam respekt,por puna e do,interesi i kombit e do qe ai te terhiqet per te mbetur persrei ne politike ,aktiv,dobiprures,sepse politika nuk behet vetem ne parlamentNe se do te merrte vetem 4-5 mije vota qe s,e nxjerrin deputet ,kujt i sherben.Vetem mund te ndihmoje PD-ne E di qe atehere Arben Malaj do te behet pishman se s,ma merr mendja qe te ferkoje duart e te kenaqet.Nuk besoj se eshte nje kamikaz per te vrare partine tij dhe endrrat e mijera vlonjateve dhe te majteve shqiptare Nuk do te ishte ne nderin e tij qe ta rreshtonte veten ne listen me ne krye Nanon ,Kacin e ZI,Dogjanet,xhvret e te tjere pa dinjtetin me minimal qe vec karrikev e parave te pista s,kane asgje te shterenjte .SukseseZ >Vali.Gra si ju meritojne vetem respek e mirenjohje.

    Reply to this comment
  5. beni June 10, 10:42

    Nuk ju votojme ju te PS sepse ju jeni hajdutet e rinj qe duan te vjedhin dhe ju do tja filloni nga e para se i keni xhepat bosh. Me mire le te rrije ky hajduti i vjeter se te pakten ky u mbush.

    Reply to this comment
  6. Mandi June 10, 19:09

    do apo nuk do leskaj, arben malaj do jete deputet me vota te bndshme ne qarkun e vlores

    Reply to this comment
  7. stafiarben malaj June 11, 10:04

    Stafi i Arben Malaj i kërkon zj. Valentina Leskaj të mos përpiqet dhe ndërhyjë për të deformuar garën.

    E ftojmë zj. Leskaj të bëjë fushatë të ndershme pa dëmtuar Partinë Socialiste. Çdo ndërhyrje që tenton të deformojë garën në dëm të Partisë Socialste dhe jo të Deputetit të Pavarsisë, z. Arben Malaj.

    Së bashku me z. Malaj e majta mund të arrijë një fitore më të plotë dhe më cilësore. Fushata e Ramës kundër Malaj e dëmton Partinë Socialiste dhe favorizon Berishën.

    Ju dhe Rama duhet të gëzoheni që kudo që shkoni gjeni miq të Malajt, miqësi e ndërtuar çdo ditë gjatë gjithë mandateve të tij shoqërore dhe politike.

    Ju, zj. Leskaj nuk mund ta këshilloni Malaj të tërhiqet nga përfaqësimi i qytetarëve të tij. Ju vetë, sipas raportimit të mediave, jeni ankuar se z. Rama nuk ju kishte pyetur për listat e deputetëve të Qarkut të Vlorës.

    Ju ftojmë shumë miqësisht të angazhoheni në një fushatë dinjitoze me integritet qytetar. Nderin që ju kërkoni zonja Leskaj nuk ta jep lista e kryetarëve, por dashuria, përkushtimi dhe mirënjohja e njerëzve të thjeshtë.

    Ndalni presionet ndaj votuesve të majtë në qarkun e Vlorës.

    Ndalni akuzat dhe shpifjet.

    Mos e ndihmoni Berishën duke sulmuar Malaj.

    Kjo, për të mirën e së majtës, si për të fituar zgjedhjet dhe për ta qeverisur sa më mirë vendin tonë.

    Malaj është në këtë garë për një model, për të rinjtë e vendit të tij, modelin e punës dhe përkushtimit dhe kundër modelit të listave të mbyllura dhe klienteliste.

    Stafi i Arben Malaj

    —###—

    Pjesë nga intervista e zj. Valentina Leskaj me gazetën “Dita”

    Reply to this comment
  8. FRANSUA June 11, 10:59

    A. Malaj do fitojë aq vota sa për 3 mandate sepse e do populli, eshte vullneti popullit 🙂

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim