Vlorë-Lezhë, burg gjimnazistit dhe përdhunuesit

September 26, 2014 08:50

Vlorë-Lezhë, burg gjimnazistit dhe përdhunuesit

Gjykatat e Vlorës dhe Lezhës dhanë masat e sigurisë “arrest në burg” për gjimnazistin Aldo Arshiaj, që plagosi me pistoletë në shkollë shoqen e klasës pse i refuzonte dashurinë dhe për Luan Lleshajn, nga Mirdita, masë në mungesë, për përdhunimin e fqinjës së tij 13-vjeçare.

 

Vlorë

I heshtur brenda kafazit të hekurt, gjimnazisti Aldo Arshiaj, nuk ka folur asnjë fjalë për gjyqtaren e gatshme, përveç deklarimit të gjeneraliteteve, një procedurë e zakonshme në procese gjyqësore. I dyshuari 17-vjeçar doli mesditën e djeshme për masë sigurie në Gjykatën e Vlorës, pasi akuzohet se ka plagosur me dy plumba pistolete në ambientet e shkollës së mesme të Gjormit shoqen e tij të klasës E. Tota, 17 vjeçe, pse i refuzonte dashurinë. Në seancë ka folur vetëm avokati i të miturit, që kërkoi masë më të butë sigurie për shkak të moshës së klientit të tij dhe rrethanave të ngjarjes. Sipas avokatit Kastriot Brahimuçaj, Arshiaj është provokuar dhe ofenduar si nga vëllai i vajzës, po ashtu edhe nga kjo e fundit. Por prokuroria kundërshtoi, duke thënë se i dyshuari ka shkuar me paramendim i armatosur në shkollë dhe vajza është nxjerrë nga mësimi duke e dërguar tek Arshiaj. Në fund të seancës, gjyqtarja e çështjes Elona Mihali, dha “arrest në burg” për gjimnazistin për “vrasje me paramendim”, e mbetur në tentativë, dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”, në ambiente publike. Sipas hetimeve të prokurorisë, nëna e djalit, njëkohësisht mësuese e Matematikës në gjimnazin “Hamdi Rrapi”, ka kërkuar 5 minuta leje për 17-vjeçaren Tota dhe ia ka çuar të birit në një klasë ku nuk bëhej mësim për sqarim. Arshiaj i ka kërkuar shpjegime shoqes së tij pse i vëllai i saj e akuzonte për ngacmim dhe që të hiqte dorë nga ajo. Kaq ka mjaftuar dhe ka përdorur pistoletën duke e plagosur në kokë me plumb.

 

Lezhë

Gjykata e Lezhës dha dje masën “arrest me burg” në mungesë, për 43-vjeçarin Luan Lleshaj, i cili akuzohet për abuzim seksual me një 13-vjeçare. Masa ndaj të dyshuarit pedofil është dhënë me dyer të mbyllura. Prokuroria lexoi faktet që dispononte, si dëshmitë e vajzës, familjarëve, mungesën e të dyshuarit që s’u gjet në banesë dhe ekspertizën mjeko-ligjore. Më herët policia vendosi shumën 2,5 milionë lekë të vjetra për personat që do të japin informacion për kapjen e 43-vjeçarit. Lleshaj rezulton person në kërkim që prej datës 19 shtator të këtij viti, kur ndaj tij është bërë denoncimi nga prindërit e vajzës së mitur S. D., nga fshati Prosek. Duke qenë fqinj i të miturës, Lleshaj e ka ndaluar në rrugë kur vajza po shkonte me bagëti pas mbarimit të mësimit dhe e ka përdhunuar për 30 minuta në pyll. Pas krimit ai është arratisur në drejtim të paditur dhe u shpall në kërkim.

September 26, 2014 08:50
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*